Shenjti i ditës: 10 Prill – Shën Ezekieli, profet (shekulli VI para K.)

Written by on April 8, 2017

Shenjti i ditës: 10 Prill – Shën  Ezekieli, profet  (shekulli VI para K.)

 

Është profeti i tretë i madh shkrimtar, jetoi në një moment të vështirë për jetën e Izraelit. Në vitin 605, pasi e mundi Egjiptin, Nabukodonozori u bë zotërues i pakundërshtuar nga Nili në Eufrat. Mbretëria e vogël e Judës pati guximin të rebelohej, por pas një rrethimi të gjatë, Jerusalemit iu desh të dorëzohej. Mbreti Joiakini u shpërngul në Babiloni sëbashku me tetë mijë hebrenj, mes të cilëve ishte edhe Ezekieli prift. Pasi u vendosën në koloni bujqësore mes Babelit e Nepurit, u përdorën për ndërtimet madhështore të Babilonisë së ringjallur. Gëzonin një farë autonomie, dhe vetë Ezekieli zotëronte një shtëpi. Por të mërguarit ëndërronin atdheun e largët (………..). Megjithatë u joshën nga fuqia e babilonezve, që e konsideronin dhuratë bujare të hyjnive të tyre dhe filluan të praktikonin një sinkretizëm idhujtar, duke lënë pas dore Ligjin e Moisiut.

            Nga ana e tyre, judenjtë që qëndruan në atdhe me mbretin Sedecin, që u ishte imponuar nga kaldenjt, e kishin harruar mësimin e ashpër të vitit 597 dhe dhjetë vite më pas i përzunë përfaqsuesit e Nabukodonozorit. Ky e rrethoi përsëri Jerusalemin që u rrafshua për tokë. Mbreti u verbua dhe u shpërngul me gjithë ata që kishin shpëtuar. Ishte fundi i mbretërisë së Judës. Rënia e iluzioneve favorizoi tek shumë persona kalimin në idhujtari. Në Jude profeti Jeremi i bënte apelin e fundit të Jahvehut popullit jobesnik duke e thirrur të bëjë pendesë. Ishte viti në të cilin Ezekieli, në një vizion mistik, mori thirrjen profetike. Ishte tridhjetë vjeç, ishte i martuar por pak më pas do të mbetet i vejë. Ministeri e tij mes të mërguarve ka si qëllim të luftojë gabimet dhe iluzionet për t’i përgatitur për kthim. Zakonisht ai u flet bashkombasve që shkojnë ta takojnë në shtëpi, para se ta shkruajë porosinë e tij me penë. Zoti, thoshte ai, nuk është vetëm në Jerusalem: është i pranishëm me madhështinë e tij të pafundme kudo. Ai është Hyji i vetëm: të gjitha shkëlqimet dhe të gjithë hyjnitë të nderuar nga kaldenjt i shërbejnë si stol. Ezekieli mendohet se u vra nga një princ i Judës sepse e kishte qortuar për idhujtari. Varri i tij u bë vend shtegtimi për të krishterët.


Current track

Title

Artist