Shenjti i ditës: 10 nëntor – Shën Leoni i Madh, papë e mësues i Kishës (+461)
Written by Radio Maria on November 9, 2016
Shenjti i ditës: 10 nëntor – Shën Leoni i Madh, papë e mësues i Kishës (+461)
Leoni, i lindur në Romë nga prindër me origjinë toskane, i bërë papë në 440, në pontifikatin e tij të gjatë realizoi bashkimin e Kishës, duke ndaluar përvetësimet e padrejta të juridiksionit nga ana e patriarkatit të Kostandinopojës dhe e vikariatit të Arles: luftoi herezitë e pelagianëve, të manikeive, të nestorianëve e mbi të gjitha të monofistëve me Letrën e njohur dogmatike të drejtuar patrikut Flavianit të Kostandinopojës, në të cilën paraqiti doktrinën katolike të dy natyrave në Krishtin në një person të vetëm. Letra, e lexuar nga legatët romakë në asamblenë konciliare të Kalcedonisë (451), paraqiti kuptimin dhe vetë formulat e përkufizimit dogmatik dhe shënoi një epokë në teologjinë katolike.
Por jo vetëm për këtë akt solemn Leoni mori i pari ndër papët, titullin i Madh dhe në 1754 atë të mësuesit të Kishës. Ai kishte një vetëdije të madhe për funksionin e vet. Mishëronte dinjitetin, fuqinë dhe zellin e princit të apostujve.
Nëntëdhjetë e gjashtë predikimet e tij dhe 173 letrat që na kanë mbërritur na paraqesin një papë të përkushtuar për të mirën shpirtërore të besimtarëve, të cilëve u drejtohet me një gjuhë të thjeshtë dhe të efektshme. Edhe pse nuk ndalej në hollësitë e çështjeve doktrinale, e paraqet përmbajtjen dogmatike me qartësi e saktësi dhe njëkohsisht me stil të ngritur dhe të kujdeshëm ndaj ritmit që e bën të pëlqyeshëm leximin.
Pontifikati i tij përkon me një prej periudhave më vështira të historisë; kështu sëbashku me kujdesin shpirtëror për besimtarët u bashkua në të edhe zelli për shpëtimin e Romës. Kur në pranverën e 452 Unët kaluan Alpet, Valentiniani III, pasi u strehua në Romë, nuk gjeti zgjidhje tjetër veçse ta luste papën të shkonte ta takonte Atilën, i cili kishte fushuar në Mantova. Leoni shkoi dhe e bindi prijësin e egër të tërhiqej përtej Danubit. Legjenda tregon se Atila pa në qiell apostujt Pjetrin e Palin me shpatat e drejtuara në mbrojtje të papës. I cili e përsëriti të njëjtën përpjekje tre vite më pas me babarin Genserikun, por me sukses më të vogël. Vandalët, të cilët zbarkuan në Itali nga Afrika, depërtuan në Qytetin e përjetshëm. Papa ishte i vetmi që e mbrojti dhe arriti që Genserisku të mos ia vinte flakën dhe të mos i vriste banorët. Në katërmbëdhjetë ditët pushtimit u mjaftua duke e plaçkitur. Historia e artit i është mirënjohëse.