Shenjti i ditës – 10 korrik: Shën Rufina e Sekonda, martire (+ 257)
Written by Radio Maria on July 8, 2017
Shën Rufina e Sekonda, martire (+ 257)
Dokumenti më i vjetër mbi Mundimin e këtyre dy martireve, Martirologu i Jeronimit, na i paraqet si dy motra gati për t’u martuar me dy të rinj të krishterë. Por pasi këta kishin mohuar fenë për shkak të kërcënimit të afërt me vdekje, refuzuan martesën, duke bërë kushtin e virgjërisë, dhe e ruajtën fenë. U akuzuan nga vetë të fejuarit e refuzuar dhe u arrestuan në miljen e 14 të rrugës Flaminia, ndërsa largoheshin nga Roma. Përpjekja e prefektit për t’i bindur që t’u kushtonin fli hyjnive dhe të pajtoheshin me dy pretendentët, qe e kotë. Kështu ai ua dorëzoi xhelatit, i cili i qoi në miljen e dhjetë të rrugës Kornelia, në lokalitetin e Selva Nera, ku dy virgjërat e reja u kokprenë. Trupat e tyre u varrosën nga një zonjë romake, Plautila, të cilës dy shenjtëreshat iu shfaqën në ëndërr duke i treguar vendin ku preheshin të pavarrosura.
Varri i dy martireve dhe i të tjerëve i ka bërë më pas të krishterët të ndryshojnë emrin e lokalitetit, nga Selva Nera në Selva Kandida. Në shekullin IV në varrin e tyre Papa Gjulio ndërtoi bazilikën e kushtuar dy martireve. Për bazilikën, tani të zhdukur, flitet në dokumente të shekullit IX. Që nga shekulli V vërtetohet ekzistenca e një ipeshkvi që kishte në kujdes disa qytete, që janë akoma ekzistuese, pikërisht në dioqezën e Portos dhe Shën Rufinës.