Shenjti i ditës: 1 qershor – Shën Justini, martir (100–165)

Written by on May 31, 2017

Shenjti i ditës: 1 qershor – Shën Justini, martir (100–165)

 

Shën Justini ishte një filozof i shenjtë e martir. Këto janë tituj që vështirë se i jepen njëkohësisht të njëjtit emër. Justini, ashtu si Agustini pas tij, e pagoi kërkimin e së vërtetës me taksën e dyshimit. Para se të gjente fenë e sinqertë në Krishtin, ai kaloi përmes përvojës stoike, pitagorike e neoplatonike. Në moshën tridhjetë vjeçare ai bëri takimin vendimtar me Ungjillin, pas përgjigjeve të pakënaqshme të doktrinave të tjera.

U lind në Nablus, ose siç quhej ndryshe Flavia Neapolis, në Samari. Aty ishte ende i gjallë lajmërimi i Mesisë. Njësoj si gruaja samaritane, Justini u bë shpallës i bindur dhe deshi t’ia shpallte jo vetëm banuesve të Samarisë, por botës së tërë këtë zbulim të hareshëm.

 

Në vitin 150 ai shkroi dy Apologjitë e famshme të krishterimit perandorit Antonin Pios dhe të birit, Mark Aurelit. Së bashku me veprat e tjera si Dialogu me Trifonin, janë dokumente të rëndësishme që na bëjnë të njohim metodën e katekizmit që përdorej në Kishën primitive. Deshi ta çonte në Romë dëshminë e tij të fesë. Rrëfimi i tij i hapur “Unë një prej tyre …”, siç përsëriste shpesh, i kushtoi jetën. Atij iu pre koka në Romë, bashkë me të krishterë të tjerë.


Current track

Title

Artist