Shenjti i ditës: 1 Prill – Shën Ugo nga Grenoble, ipeshkëv (1053 – 1132)
Written by Radio Maria on March 31, 2017
: 1 Prill – Shën Ugo nga Grenoble, ipeshkëv (1053 – 1132)
Ugo ishte biri i një konti të Delfinatit, por jo për këtë iu lehtësua karriera kishtare, të cilën nuk e lakmonte aspak. Në vitin 1080, pasi kishte marrë pjesë në sinodin e Avinjonit si sekretar i legatit të papës, gati iu imponua emërimi si ipeshkëv i Grenoblit. Ishte vetëm njëzet e shtatë vjeç. E kreu me zell të madh detyrën e marrë, por në zemrën e tij planifikonte të mbyllej në heshtjen e një kuvendi. I takoi atij ta mirëpriste mësuesin e vjetër shën Brunon dhe t’i vinte në dispozicion malin e Certozës për themelimin e abacisë së famshme. Edhe Ugo ishte një shpirt kontemplativ dhe do ta kishte shkëmbyer me kënaqësi shkopin baritor me zhgunin e certozinëve. Provoi ta bënte këtë por kërkesat e tij refuzoheshin rregullisht nga Roma: vendi i tij ishte në udhëheqjen e dioqezës së madhe, në të cilën ishte treguar bari i zellshëm, duke zbatuar reformën gregoriane në Kishë.
Ishte një njeri me karakter të butë dhe të gatshëm, u tregua një mbrojtës i papërkulur i të drejtave të Kishës dhe i vetë pushtetit të tij të përkohshëm. Dioqeza e tij ishte një dioqezë kufitare, që shtrihej mes perandorisë gjermane dhe mbretërisë së Francës. I vlerësuar nga papa Gregori VII, i mësuar në shkollën e shën Brunos, i nderuar nga Bernardi i Kiaravales që shpesh i kalonte malet për ta vizituar, i këshilluar nga princat e Savojës, që e zgjodhën këshilltar të tyre, i dashur nga meshtarët e tij megjithëse i kishte korrigjuar për shpërdorimet dhe zakonet e këqija (si bashkëjetesa pa kurorë), ipeshkvi Ugo nuk e konsideronte veten të përshtatshëm për të drejtuar dioqezën, dhe duke parë se letrat e tij për dorëheqje, të dërguara në Romë nuk morën përgjigjen e shpresuar, vendosi, me gjithë moshën dhe shëndetin e keq të shkonte personalisht tek papa Inocenti III, për t’i kërkuar që të mund tërhiqej në Certozën e Madhe. Papa nuk e mirëpriti dorëheqjen e tij dhe e dërgoi sërish në selinë e tij ipeshkvore. Ugo u bind, u kthye në Grenoble ku vdiq, pak muaj më pas, i rrethuar nga miqtë e tij certozinë. Dy vite më pas u vendos në librin e artë të shenjtërve.