Shenjti i ditës: 1 nëntor – Festa e të gjithë Shenjtërve

Written by on October 31, 2016

Shenjti i ditës: 1 nëntor – Festa e të gjithë Shenjtërve

           «Të gëzojmë të gjithë në Hyjin në këtë festë….» kështu thotë antifona hyrëse. Kisha aktive e nderon Kishën triumfuese dhe i bën nderimet që nuk mund t’ia bëjë veçanërisht – siç ndodh në kalendarin e krishterë – me turmën e pallogaritshme të shenjtërve që popullojnë mbretërinë e qiejve. «Lum skamnorët në shpirt, e tyre është mbretëria e Hyjit», premton Jezusi në diskutimin e malit. Kush janë skamnorët sipas Jezusit? Janë «të dashurit e Hyjit», po të përdorim një shprehje të Isaisë. Me të varfërit e kanë përvetësuar mbretërinë e Hyjit zemërbutët, të pastrit në zemër, të mëshirshmit, pajtuesit, ata që vuajnë  dhe që kanë uri e etje për drejtësi në një botë ku mbizotëron gjithnjë ligji i më të fortit, të persekutuarit për shkak të drejtësisë dhe ata që janë viktima të pafajshme të shpifjeve, të thashethemeve, të fyerjeve publike ose të poshtërimeve nga ana e manipoluesve të opinionit publik.

            Duke shfletuar faqet e këtij libri lexuesi ka mundur të ballafaqohet me këto dëshmi tek të gjithë shenjtërit që kanë pasur besim në premtimin e mbretërisë së qiejve, pavarsisht nga turpi i dhunës, poshtërimeve, e përqeshjeve shenjë e të cilave janë bërë, dhe mbi të gjitha të provës ekstreme të martirizimit, të dhimbjes fizike e morale, të humbjes së dukshme të së mirës dhe të triumfit të keqbërësve. Me të gjithë këta shenjtër «që kanë kaluar në jetë më të mirë» besimtarët janë të ftuar të gëzojnë e të galdojnë. Feja na siguron, thotë shën Pali, se jemi me të vërtetë bijtë e Hyjit dhe trashëgimtar të mbretërisë, por ky realitet nuk është përmbushur komplet në trupin tonë prej mishi. Jetojmë në shpresë, dhe kjo shpresë bëhet siguri e gjërave të besuara.

Fillimet e kësaj feste datojnë në shekullin e IV. Në Antioki kremtohej të dielën e parë pas Rrëshajve. Në shekullin VII data u caktua me 13 maj, dita e kushtimit të Panteonit Shën Marisë së martirëve. Në atë ditë nga kësula e kupolës së madhe hidhej një shi trëndafilash të kuq. Gregori IV e vendosi kremtimin me 1 nëntor, pas të korrave vjeshtore, kur ishte më e lehtë të  sigurohej ushqimi për shtegtarët e shumtë që pas punëve verore shkonin në shtegtim në Qytetin e martirëve.


Current track

Title

Artist