Shenjti i ditës – 1 dhjetor – Shën Eligji, ipeshkëv (588 – 660)

Written by on November 30, 2016

Shenjti i ditës – 1 dhjetor –  Shën Eligji, ipeshkëv (588 – 660)

 

            Një shenjt i dashur dhe popullor, i thirrur si pajtor qiellor nga një numër i madh «punëtorësh» për aftësitë e mëdha që tregoi në rini si praktikant në zanatet më të ndryshme e madje edhe si prerës monedhash për prodhimin mbretëror të Marsilias. Shën Eligji thirret si pajtor nga argjendarët, nga mekanikët, nga ata që punojnë metal, nga farkëtarët, nga saraçët, nga nallbanët, nga karrocierët… Lindi në Chaptelat në Limousin dhe në moshë të re u dërgua në dyqan pranë një argjendari në Lion, pastaj në Paris, ku njohu përgjegjësin e thesarit të mbretit, Klotarin II. Monarku zemërgjerë i porositi një fron krejt të artë, duke i dhënë metalin e çmuar që i nevojitej. Eligji nuk e bëri kreshtën me metal dhe bëri dy frone, duke merituar vlerësimin e pakushtëzuar të mbretit që ia besoi drejtimin e dyqanit. Eligji nuk u kufizua vetëm duke mbikqyrur, por vazhdoi të prodhonte objekte arti me të cilat zbukuroi shtëpitë e fisnikëve. Pastaj e kuptoi se ishte më frytdhënëse, shpirtërisht, të zbukuronte shpirtin me vepra dashurie. Përfitoi nga besimi i mbretit për të ndihmuar të burgosurit e të varfërit.

            Me të ardhurat e punës së vet ndërtoi një abaci në Solignac, që ia besoi drejtimit të shën Remaklit dhe vitin më pas, në 633, ndërtoi gjithnjë me shpenzimet e veta, një kuvend femëror në Paris. Gjashtë vite më pas, pasi vdiq mbreti, braktisi profesionin dhe drejtimin e dyqanit për t’u bërë meshtar. Edhe në karrierën kishtare u tregua një organizator i palodhshëm. Pasi u zgjodh ipeshkëv i Noyon – Tournai, themeloi kuvende të ndryshme në Evropën veriore deri në krahinën e Frizonëve. Vdekja i erdhi në Hollandë, gjatë njërit prej këtyre udhëtimeve apostolike. Akoma sot në shumë krahina franceze në ditën e festës së tij përsëritet bekimi i kuajve, katërkëmbëshi i çmuar që ishte shoku i udhëtimit në krahinat e pakalueshme për t’u ungjillizuar.


Current track

Title

Artist