ORIGJINA DHE HISTORIA
ORIGJINA DHE HISTORIA
Fillimet
Ideja dhe realizimi i parë i Radio Marisë ka nisur në vitin 1983, në famullinë Erba (Provincë e Komos), në veri të Italisë. Në vitin 1987, themelohet dhe regjistrohet Shoqata e Qytetarëve në Itali. Këtu filloi edhe projekti i Radio Marisë duke u përhapur dalë-ngadalë, derisa mbuloi tërë Italinë. Pas kësaj fillojnë të lindin shoqatat e tjera të Radio Marisë në më shumë se 50 vende të botës, duke u nisur nga Evropa, dy Amerikat, Afrika e deri në Filipine, në pjesën tjetër të kontinentit të Azisë. Të gjitha shoqatat kombëtare janë themeluar në mënyrë autonome në vendet e tyre, ndërsa lidhja e tyre e përbashkët bëhet e mundur përmes shoqatës së përbashkët që mbart emrin “Familja Botërore e Radio Marisë” (World Family of Radio Maria). Në çastin e themelimit të Familjes Botërore të Radio Marisë, në vitin 1998, në botë ekzistonin vetëm 16 Radio Mari kombëtare.
Shoqata kryesore
World Family of Radio Maria (WFRM) është shoqatë jofitimprurëse e themeluar për bashkërendimin, ndihmën e ndërsjellë dhe shkëmbimin e përvojave të shoqatave kombëtare, pasi u promovua në botë projekti radiofonik Radio Maria.
WFRM është mbartëse e lejes së projektit të regjistruar së pari në Itali. Secila shoqatë kombëtare, e themeluar në mënyrë të ligjshme në shtetin përkatës, e bashkuar me Familjen Botërore të Radio Marisë, shërbehet falas me këtë leje.
Të gjitha shoqatat zbatojnë të njëjtat parime themelore. Gjithashtu, ato e ndihmojnë njëra-tjetrën shpirtërisht, moralisht dhe materialisht.