MEDITIMI I DITËS – NXITJET E SHPIRTIT
Written by Radio Maria on January 21, 2017
Mk 3, 22-30 NXITJET E SHPIRTIT
Kërkoj hirin: që të jem i hapur para Shpirtit të Jezusit dhe nxitjeve me të cilat më thërret në bashkëpunim.
22 Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “E ka në trup Beelzebulin e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”
Veç sa u larguan të afërmit e Jezusit pa kryer punë, Jezusit iu vërsul sulmi i ri. Këtë sulm ia bëjnë skribët që erdhën nga Jerusalemi. Ata erdhën nga kryeqendra fetare dhe kombëtare dhe nuk kanë aspak qëllime të mira. Kanë për qëllim që ta padisin Jezusin. Të afërmit thonë për Jezusin: «është jashtë vetës». Tani skribët e padisin se bashkëpunon me djallin. Nuk e pranojnë të tijtë, nuk e pranojnë as krerët e fesë. Gjykimi i skribëve do të thotë së Jezusi është i djallosur edhe pse suksesi i tij, që është më se i dukshëm, e ka burimin në ndihmën që ia jep djalli. Ky është gjykim i tmerrshëm. Kjo është shpifje e madhe. Kjo do të thotë se Jezusi, i cili më fuqinë e Shpirtit Shenjt dëbon djajtë, vet është i pushtuar, është nën ndikimin e shpirtit të keq dhe se bashkëpunon më të. Kjo do të thotë se Jezusin e mbështet satani.
Do të ndalëm këtu në heshtje dhe do ta sodisë Jezusin të cilin e braktisin dhe për të cilin njerëzit flasin gjëra të tmerrshme, bëjnë shpifje dhe padrejtësi të padëgjueshme. Ndoshta edhe unë në ndonjë mënyrë marrë pjesë në këtë gjykim dhe mohim ndaj Jezusit në rrethin tim? Për këtë gjë më duhet të mendoj seriozisht në lutje duke shikuar jetën, qëndrimet dhe sjelljen time.
Jezusi reagon. Kjo gjë ishte e nevojshme për shkak të njerëzve të thjeshtë të cilët këto gjëra nuk i kuptojnë aspak. Ekziston rreziku që ata të pranojnë këto gjykime të shkribëve. Jezusi di të diskutojë. Ngrihet në mbrojtje të dërgimit të vet. Logjika është më se e qartë.
23 Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Si është e mundur që Djalli ta dëbojë djallin. 24 Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. 25 Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërrohet. 26 Nëse, pra, Djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet ‑ i erdhi fundi! 27 Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.
Jezusi dëshmon se ata janë të palogjikshëm në meditimin që bëjnë. Qartë, thjeshtë dhe më siguri të plotë paraqet mbrojtjen e vet: ai që në vetvete është i ndarë, nuk mund të ekzistojë.
Në qoftë se Jezusi «hynë në shtëpinë e brendshme të ndokujt» dhe në qoftë se në të i rregullon gjërat dhe i dëbon shpirtrat e këqij, kjo do të thotë se është më i fortë se ata dhe se ata duhet t’i nënshtrohen. Këtu nuk mund të ketë kurrfarë bashkëpunimi. Thjeshtë, kjo do të thotë se para syve të njerëzve, të afërmve dhe krerëve të popullit është Dikush që është i fortë në vepra, Dikush që është më i fortë se djalli prandaj ka pushtet t’ia marrë pushtetin.
Të falënderoj, o Jezus, që je i qartë dhe i guximshëm. Të falënderoj që e di se je më i fortë se i Keqi dhe se ai nuk ka pushtet të më bëj keq kur jam me ty, kur të lejoj që t’i të banosh në brendinë time. Ku je ti, aty nuk ka vend për djallin, armikun e njerëzve që nga fillimi.
28 Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’ju falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, 29 por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim; është fajtor i një mëkati të përhershëm. 30 Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!”
Në këtë mënyrë, Jezusi e shpreh gjykimin kundër të gjithë atyre të cilët mbyllen përpara Shpirtit të Hyjit. Njeriu në lirinë e vetë edhe pran të gjitha fakteve të mundshme ka mundësi të mbyll sytë dhe ta kthej kryet, ka mundësi të mos dëgjojë dhe të mos shoh. Në këtë mënyrë ai mbyllet para Hyjit. Lirisht ia kthen shpinën. Ky është ai qëndrim të cilin e shpreh shkrimtari francez Emil Zola në lidhje me mrekullitë që ndodhin në Lurd: «Nuk besoj në mrekulli, dhe nuk do të besoja as atëherë po të shikoja me sy të mi shërimin e të gjithë të sëmurve në Lurd.» Çfarë mund të bëj Hyji përpara kësaj zgjedhjeje krejtësisht të lirë, Ai që më shumë se gjithkush të tjetër e nderon lirinë e njerëzve?
Kundërshtaret e Jezusit i panë të gjitha të mirat që Jezusi i bëri, por nuk e pranuan. Urrejtja i kishte verbuar plotësisht. Nuk e njohin, sepse nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë. Kështu bien në mëkatin që është mbi të gjitha mëkatet, në mëkatin kundër Shpirtit Shenjt. Të thuash për Jezusin se është satani, se është kundërshtari i Hyjit, kjo do të thoshte të mbyllesh sytë dhe veshtë. Kështu bëjnë kundërshtaret e tij. Kjo do të thotë, të ngrihesh kundër Shpirtit Shenjt. Ta bësh këtë gjë do të thotë të mbyllesh plotësisht para Hyjit dhe të bllokosh secilin përparim shpirtëror.
O Zot, më ndihmo që të dijë të jem i hapur para ndikimit të Shpirtit tënd. Më ndihmo që të kuptoj se vetëm duke bashkëpunuar me Shpirtin e tënd kam mundësi të marrë pjesë në misionin tënd që vazhdon deri në ardhjen tënde të dytë.
Na ndihmo që t’i bindemi Shpirtit tënd që të kemi mundësi të korrim fitore kundër fuqive të keqja. Na ndihmo që ta realizojmë këtë ndërmarrje.