MIRË SE ERDHE!

MIRË SE ERDHE!

Historia e Radio Marisë në Shqipëri filloi në vitin 1995 kur z. Emanuele Ferrario kërkoi mënyrat për të bërë të mundur dëgjimin e Radio Marisë në gjuhën italiane në vendin tonë. Kjo gjë u bë e mundur në vitin 1998 në disa pjesë të Shqipërisë, në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan. Në të njëjtin vit filluan edhe kontaktet e para për hapjen e Radio Marisë në gjuhën shqipe, gjë që për arsye të ndryshme do të realizohej vetëm më 19 korrik 2003.

Që nga kjo ditë, për herë të parë në popullin shqiptar, u hap një radio që mori përsipër edukimin fetaro-kulturor të këtij populli të shumëvuajtur gjatë shekujve të kaluar. Në Shqipëri, projekti filloi më 7 korrik 2000, datë në të cilën u formua “Shoqata Radio Maria”. Gjykata e Tiranës e ligjëroi shoqatën më 20 gusht 2000. Radio Maria Shqiptare e filloi transmetimin e parë në Shkodër, më 19 korrik 2003, në orën 19:30, kur Shkëlqesia e tij Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i bekoi studiot e Radio Marisë.

Radio Maria Shqiptare u dëgjua fillimisht në frekuencën FM 102.2 MHz dhe mbuloi Shkodrën, Podgoricën, Ulqinin, Malësinë e Madhe, Dukagjinin dhe Pukën. Që nga dhjetori i vitit 2004, ajo dëgjohet në frekuencën FM 91.4 MHz në Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Rrogozhinë dhe Berat. Ndërsa në frekuencën FM 89.6 MHz, dëgjohet në Krujë, Mamurras, Laç të Kurbinit, Milot, Lezhë dhe Mirditë.

Dhe që nga shtatori i vitit 2005, me anë të internetit, Radio Maria Shqiptare dëgjohet në mbarë botën në adresën www.radiomaria.al. Ndërsa, që nga nëntori i vitit 2005, ajo dëgjohet në Shqipërinë verilindore, në Kukës, Tropojë dhe në Kosovë në frekuencën FM 90.0 MHz.

Shoqata Radio Maria e kryen veprimtarinë e saj në krejt territorin e Republikës së Shqipërisë. Selinë e ka në Tiranë, në adresën:

Rr. Papa Gjon Pali II, Nr. 4
Fushë-Kërcik, Babrru
Tiranë, Shqipëri



Current track

Title

Artist