MEDITMI I DITËS – FJALA JEP FRYT

Written by on January 26, 2017

Mk 4, 26-34 FJALA JEP FRYT

 

Kërkoj hirin: që të besoj paluhatshëm se Fjala e shkruar bie fryt në kohen e vet.

 

26 Jezusi vazhdoi t’i flas turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

Jezusi flet prej jetës për jetën. Nga zemra tek zemra. Çfarë pune e thjeshte dhe e rëndomtë është mbjellja, sa veprime natyrore bëhen duke përdorë lëvizjen e dorës së mbjellësit që me gishta merr dhe hedh farën nëpër arë. Fatkeqësisht kjo gjë sot bëhet shumë rrallë. Të gjitha i zëvendësuan makinat. Njeriu gjithnjë e më shumë po e humb lidhjen me natyrën. Çdo gjë i nënshtrohet shpejtësisë, fitimit, kështu edhe mbjellja. Jezusi flet për atë gjë që njerëzit e kanë aq të qartë, pothuajse të përditshme, gjë të cilën askush nuk ka mundësi ta vë në dyshim.

Dhe derisa mbjellësi mbjell ai është i vetëdijshëm se kjo punë ka mundësi të shkatërrohet. Çdo gjë tjetër i përket ecurisë së zakonshme të cilën ai nuk ka mundësi ta mbikëqyr as nuk ka mundësi të ndikojë në të. Çdo gjë tjetër varët nga forca jetësore e farës. Çdo gjë tjetër është aventurë e rritjes, e atij i duhet vetëm të shpresojë. A do të mbijë fara? A do të ketë të korra? Si do të jetë koha? Thatësirë? Breshër? Asgjë nga këto nuk ka mundësi për të parashikuar dhe në asgjë prej këtyre gjërave nuk mund të ndikojë. Ai e di se ky është rrezik, por në të hyn i gatshëm. Duhet për të mbjellur.

Kështu është edhe me Mbretërinë e Hyjit si me mbjelljen e farës. Jezusi e hodhi farën. Ecuria e rritjes e mori nismën, ngadalë dhe në mënyrë të padukshme, por gjithnjë rritet. Hyji është në vepër. Ende nuk erdhi koha e të korrave, por ajo me siguri do të vijë. Ajo që është e rëndësishme në kohën e pritjes është durimi. Të presësh me besim, më qëndrueshmëri dhe i kthjelltë. Duke besuar në fuqinë e Hyjit që e ka fara që u mboll në brendinë time, në njerëzit rreth meje. Mbretëria e Hyjit nuk është vepër e njerëzve. Shpallja e Fjalës së Hyjit ka rëndësi të madhe, por shumë më i rëndësishëm është veprimi i Hyjit për fshehtësinë e rritjes. Çfarë më porosit Zotëria më këto fjalë të shpresës për jetën time? O Zot, për çka po më thërret përmes këtyre fjalëve plotë shpresë dhe gëzim? A besoj në veprimin e fshehur të Hyjit në mua, në pjekjen e ngadalshme të farës?

Kështu është në secilën fushë të jetës së njeriut. Duhet mbjellur gjithkund, të investojmë dhe t’i kthehemi së ardhmes. Në shkollë, në edukim, në sipërmarrje, në jetën familjare, në dërgimin meshtarak dhe rregulltar, gjithkund duhet mbjellur duke të shpresojmë në ardhjen e frytit të mirë. Ku është fusha ime dhe ku mbjelli unë?

30 Dhe thoshte:“Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” 33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Kemi mundësi të shohim një rritje të caktuar në mësimin e Jezusit në këto shëmbëlltyra. Në shëmbëlltyrën për mbjellësin, Jezusi e thekson rëndësinë e mbjelljes: duhet mbjellur! Në këtë shëmbëlltyrë flet se si fara rritet nga vetvetja. Jezusi tërheq vërejtjen në kohen e rritjes së farës. Më shëmbëlltyrën për farën e sinapit thekson qëllimin përfundimtar dhe përfundimin e rritës. Mirëpo, në secilën prej tyre janë të pranishme tri pikëpamje të cilat në një punë të tillë nuk kemi mundësi t’i ndajmë njërën prej tjetrës: mbjellja, rritja dhe korrja.

Fjala e Hyjit mbartë në vetvete fuqinë të cilën në vetvete e ka fara e vogël e sinapit. Madhëria e rezultateve shihet në çerdhet e zogjve. Derisa Jezusi në vetmi iu shpjegon nxënësve të vet domethënien e shëmbëlltyrave, nuk kemi mundësi e të mos mendojmë në faktin e rritjes së «kokrrës së vogël të sinapit». Në fillim Jezusi ishte vetëm. Pastaj ia bashkëngjiti misionit të vet, mbjelljes së vet disa nxënës. Derisa iu shpjegon shëmbëlltyrat, kjo është një bashkësi krejt e vogël, një farë e vogël e sinapit që u mboll. Sot kjo farë është rritur dhe lëshoi degë duke u bërë pema e madhe e Kishës që pranoj në përqafimin e saj një   shumicë të madhe të njerëzve në të gjitha kontinentet dhe në të gjitha gjerësitë e tokës.

Të falënderoj, o Zot për këto shëmbëlltyra të besimit dhe të optimizmit. Nuk guxoj të frikësohem për të mbjellur. Më duhet të besoj në fuqinë tënde që vepron në mua dhe përmes meje. Më duhet të besoj në rriten time shpirtërore. Më duhet të kem besim në ata me të cilët jetoj në familje, bashkësi dhe vend të punës. Vetëm ti e di se çfarë ndodh në bendin e secilit njeri. Ti i vetmi e di mrekullinë e rritjes së brendshme të farës që mbolle në zemrën e secilit njeri. Më ndihmo që të besoj në të edhe unë.

 

 


Current track

Title

Artist