MEDITIMI I DITËS – ZJARRI MES VERËS

Written by on August 17, 2019

E diela e njëzetë gjatë vitit – C

 

Lk 12, 49-53 ZJARRI MES VERËS

 

Kërkoj hirin: që guximshëm të mbaj Ungjillin edhe kur kjo më kushton shumë!

 

Jezusi u tha nxënësve të vet: 49 “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

Në kohën e verës nuk duam të flasim për zjarrin dhe flakën. Tmerrohemi kur mendojmë për zjarret të cilët në këtë kohë dinë të shkatërrojnë për pak orë të mirat të cilat njeriu gjatë viteve të shumta i ka fituar dhe i ka ndërtuar. Dhe ja këtu fjalët e Jezusit që flasin për zjarrin të cilin e hedh mbi tokë e për të cilin dëshiron me krejt forcën që të jetë ndezur flakë.

Jezusi di të flasë në mënyrë të mrekullueshme. Përdor përngjasimet që linin përshtypje te dëgjuesit. Këtë gjë e bën edhe në këtë tekst të shkurtër. Këtu kemi të folurit me përngjasime të cilin nuk mund ta kuptojmë fjalë për fjalë. Shumë mirë e dimë se si para pak ditëve e refuzoi propozimin e keq të dy nxënësve  që të hedhë zjarrin në fshatin e samaritanëve që nuk i priti nxënësit dhe as Jezusin.

Kur Jezusi flet kështu, lidhet me traditën biblike e cila me përngjasimin e zjarrit dëshiron të thotë diçka për Hyjin. Zjarri është simboli i Hyjit. Gjithashtu është simboli i dashurisë. Në zjarr lirohet energjia e madhe. Këtë gjë, Jezusi dëshiron ta realizojë mes njerëzve. Dëshiron t’u dhurojë diçka që do t’i ngrohë, do t’i lëvizë, diçka që do t’i nxjerrë nga jeta e vakët dhe jeta e pavullnetshme. Dëshiron që në ta të vendosë energjinë e Shpirtit që iu jep jetë zemrave të dobësuara që e mbush trupin e lodhur. Këtë gjë e kuptoj mirë meshtari dhe poeti I. Poljak kur shkroi vjershën që ka titullin domethënës: “Flakëroni zjarre të bardha të shpirtit”. Këtë gjë e kuptoi mirë edhe misionari Ante Gabriq që përsëriste vazhdimisht atë gjë që ishte parimi kryesor i jetës së tij: “të digjesh e të tretesh deri në fund!”

            Kur Jezusi shikon rrugën që ka përpara vetes, atë e krahason me pagëzimin në të cilin do të zhytet plotësisht në mundime dhe në vuajtje. Vërtetë, shëlbimi dhe shpërblimi do t’i kushtojnë shtrenjtë Hyjit-njeri, Jezusit. Mirëpo ai në të gjitha i dorëzohet vullnetit të Atit dhe dëshiron që në këtë gjë të shkojmë pas tij.

            O Zot, tani e kam të qartë çfarë deshe të na thuash me përngjasimin e Zjarrit. Mirë e di çfarë do të thotë për ne zjarri dhe të mirat e tij. Njeriut i mungonte një gjë e rëndësishme derisa nuk e zbuloi zjarrin. Zjarri na bashkon dhe na ngroh. Ai e shpërndan errësirën dhe formon ambientin e mirë mes atyre që rreth tij bashkohen. Ti këtë gjë e do për ne. Me Shpirtin Shenjt që na dhuron këtë gjë e bën dhe e krijon mes nesh. Do të doja, o Zot, që zjarri yt të më përfshijë. Le ta ndezë në mua dashurinë tënde dhe ta ndezë flakë zjarrin tënd. Sepse shumë shpesh në jetën time hyjnë vaktësia dhe mërzia. Më përfshin një jetë pa vullnet që nuk më lejon të bëj as gjërat me të vogla e as t’i kryej detyrat e mia. Ndonjëherë me stilin e tillë të jetës fik zjarrin që në mua do të duhej të ndizej flakë. Besoj, o Zot se me zjarrin tënd ke mundësi ta lëvizësh këtë situatë që është ndalur dhe numëron në vend. Besoj se ke mundësi të më japësh hovin e ri që do të zgjohet në mua. Edhe ti, o Zot dëshiron që zjarri yt të ndizet që të shndrisë çdo të mirë që sjell me vete. Në mua dhe rreth meje ka shumë dembeli dhe moskujdes. Të falënderoj, o Zot, për të gjithë ata njerëz që në vetvete mbartin energjinë e zjarrit tënd që ndizet në ta. Ata na nxisin dhe na lëvizin. Sa dua që një gjë e tillë të më ndodhë edhe mua. Që ditët e mija mos të jenë errësirë që të mos zbrazën kështu në lumin e heshtur të përjetësisë. Dua të digjem flakë me zjarrin tënd, o Zot e të kushtojë sa të kushtojë.

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: 53 babai do të zihet me djalin, e djali me babain, nëna me të bijën, e bija me t’ëmën, vjehrra me të renë, e reja me vjehrrën.”

            Edhe këto fjalë na befasojnë dhe na çudisin nëse nuk i kuptojmë mirë. Jezusi është njeriu që më shumë së askush e sjell paqen. Ai e kaloi tokën duke sjellë paqe. Duket se këtu ngrihet kundër paqes dhe kërkon ndarjen. Edhe kjo është e vërtetë. Ungjilli nuk është lexim ëmbëlsie, pa ngjyrë dhe neutral. Nuk e lë njeriun pa përcaktim kur takohet me të në të vërtetën. Pikërisht për këtë gjë ndodh ndarja mes pjesëtarëve të të njëjtës shtëpi, për shkak të pranimit ose të mospranimit të Ungjillit. Kush përcaktohet për Ungjill tejkalon kufijtë dhe ngrihet përtej lidhjeve familjare. Sa prindër dinë të ankohen se fëmijët e tyre nuk e praktikojnë besimin, se nuk janë kurorëzuar në Kishë dhe se nuk duan t’i pagëzojnë fëmijët! Ose sa shumë fëmijë vendosin ta jetojnë në plotësi besimin e tyre dhe të shkoj pas thirrjes së Jezusit, e prindërit këtë gjë nuk e pranojnë. Kjo është ndarja për të cilën flet Jezusi e që është e pranishme gjatë gjithë historisë së krishterë.

            O Zot, kjo fjalë e jotja me godet thellë dhe nuk më lë të qetë. Kërkon prej meje qëndrim që nuk e kam të lehtë ta mbaj. Më ndihmo që zgjedhjet e mia të krishtera dhe fetare dhe vendimet t’i zbatoj. Edhe pse në sytë e disave më këtë gjë do jem i prapambetur dhe klerikal më ndihmo që të mos kem frikë që të jem ndryshe në shpirt sipas dritës së Ungjillit. Po të lutem tani për të gjitha familjet që janë të ndara për shkak të Ungjillit tënd. Jepu fuqi dhe qëndrueshmëri atyre pjesëtarëve që besojnë dhe e zbatojnë fenë që të qëndrojnë dhe mos të dobësohen. Po të lutem edhe për ata që nuk ia dalin ta pranojnë Fjalën tënde dhe luftojnë kundër saj. Zbuti zemrat e tyre dhe ndihmoju që ta shikojnë bukurinë e kësaj fjale dhe të jetës së krishterë.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend