MEDITIMI I DITËS – ZJARRI I ELISË
Written by Radio Maria on December 9, 2016
Sir 48, 1-4.9-11 ZJARRI I ELISË
Kërkoj hirin: që ta kem zjarrin e Elisë për ta dëshmuar fenë.
1 Atëherë porsi zjarr u ngrit Elia profet, flaka e tij digjte si vravashka. 2 Ai mbi ta solli urinë dhe me zellin e vet ua zvogëloi numrin.
Sot kemi para sysh faqen e Biblës që është marrë nga Libri i Siracidit. Kjo pjesë është zgjedhur sepse i përgjigjet pjesës së Ungjillit që na paraqet Shën Mateu duke na thënë se skribët prisnin kthimin e Elisë para se të paraqitej Mesia. Jezusi iu përgjigji se Elia tashmë kishte ardhur dhe se detyrën e Elisë e kishte kryer Gjon Pagëzuesi, por ata nuk e njohën as nuk e pranuan.
Elia ishte profet i jashtëzakonshëm. Ishte i njohur në kohën e vet, por edhe breznitë e ardhshme të popullit të Izraelit e vlerësuan shumë. Mbeti i pranishëm dhe nderohej edhe në traditën e krishterë. E grinte zelli për shtëpinë e Hyjit. Luftonte priftërinjtë, mbretërit dhe mbretëreshat që e adhuronin Baalin duke e braktisur Hyjin e vërtetë. Këtë njeri shkrimtari biblik më kë tjetër ka mundësi ta krahasojë përveçse me zjarrin? Si ka mundësi t’i duket ndryshe fjala në këto situata përveçse si «vravashka djegëse!»
Zjarri në Bibël është simbol dhe shenjë e Hyjit dhe i Të Tretës vetje të të Shenjtërueshmes Trini. Hyji zbulohet në zjarr. Kështu iu shfaq Moisiut në kaçubën që digjej. Në Sinai gjithashtu u shfaq në zjarr. Prandaj edhe Elia është i tillë, sepse do ta kryej vullnetin e Hyjit. Ai është zëdhënësi i Hyjit prandaj i përngjan zjarrit, e fjala e ti është si vravashka flakëruese. Ai është i fuqishëm dhe njeri që nuk ndalet dot kur duhet mbrojtur atë që është e Hyjit. Për shkak të qëndrimit të tij të qartë dhe të hapur u bë simbol i profetit dhe i profecisë.
Në dëshminë time meshtarake, rregulltare, si besimtar, a e kam sado pak zellin dhe rëndësinë e Elisë? Jo që të shkatërroj dhe të nënçmoj të tjerët, as që të jem fanatik, por që të shndrisë dhe të jem i vendosur, këtë po. Si Elia. Ose ndoshta jam i vakët, i frikësuar dhe nuk guxoj të dëshmoj bindjet e mia si besimtar dhe kam frikë të paraqes qëndrimet e mia të krishtera? A ndizet flakë në mua fjala e Hyjit ose veçse tymon e pafuqishme nën hirin e botës që më mbulon më propozimet e veta? Koha e Ardhjes është kohë e thirrjes më të fuqishme për të dëshmuar, për të pas zjarr më të madh dhe për tu djegur më me gatishmëri. Ku shihet kjo në jetën time?
3 Me urdhër të Zotit e mbylli qiellin e tri herë prej qiellit e zbriti zjarrin. 4 Oh, sa i lavdishëm u bëre, Eli, me mrekullitë e tua! Kush mund të matet me ty në lavdi?
Elia profet na paraqitet më figura shumë të fuqishme. Kjo gjë ndikon në dëgjuesit e tij. Zjarri dhe flaka gjithmonë na bëjnë serioz dhe iu afrohemi me nderim të madh. Zjarri është simbol dhe mjet i pastrimit. Është simbol e ndërhyrjes sovrane të Hyjit dhe Shpirtit të tij që pastron ndërgjegjet.
Gjon Pagëzuesi thotë se Jezusi do të pagëzojë me Shpirt Shenjt dhe me zjarr. Jezusi për vete thotë se erdhi që ta sjell zjarrin në tokë dhe dëshiron që ky zjarr të digjet flakë. Shpirti Shenjt erdhi mbi apostuj në formën e gjuhëve të zjarrta.
O Zot, dëshiroj që zjarri yt të digjet edhe në botën tonë. Jepja edhe kohës sonë personat e fuqishëm si Elia që të tërheqin vërejtjen pa pas frikë në çdo gjë që është e mirë dhe në çdo gjë që është e pakalueshme. O Zot, ndërhyj me zjarrin tënd. Pastroje çdo gjë që është e ndyrë. Ndize flakë çdo gjë të tharë, pastroje çdo gjë që është e kalbur. Po të lutem bëjë këtë gjë gjatë kësaj Kohe të Ardhjes. Më ndihmo që të shoh çfarë është e keqe dhe jofisnike në jetën time, më ndihmo që të punoj seriozisht që ato gjëra t’i largoi prej jetës sime.
9 Ti qe mbartur në vorbullën e zjarrtë, në karrocë me kuaj zjarri. 10 Ti qe shkruar të jesh përgatitje për kohët, ta zbutësh zemërimin para se të pëlcasë, ta kthesh zemrën e babait tek i biri e t’i rimëkëmbësh fiset e Jakobit.
Elia në mënyrë të mrekullueshme u ngritë në qiell. Siç ishte i fuqishëm dhe i mrekullueshëm gjatë veprimtarisë, shkrimtari biblik e përshkruan vdekjen e tij si ngritje të mrekullueshme në qiell. Thjesht ai u transferua në jetën e amshueshme. Elisë së zjarrtë i ka hije karroca e zjarrtë me kuaj të zjarrtë. Dukje e mrekullueshme. Pikërisht për këtë prisnin ardhjen e tij të serishme në lavdi. Në kohën e Jezusit për këtë gjë flisnin skribët dhe pyesnin a mos është shfaqur Elia në personalitetin e Gjon Pagëzuesit ose ndoshta të Jezusit.
Elia i fuqishëm ka për detyrë ta mbroj Izraelin nga hidhërimi i Hyjit dhe të thërrasë e të pajtoj zemrat e etereve dhe të bijve. Atij i duhet të kryej gjithashtu ripërtëritjen në popull. Të gjitha këto i bëri Gjon Pagëzuesi, e sidomos Jezusi. Kjo tani është detyra e Kishës dhe e besimtarëve të saj: të pajtojë dhe të sjell paqen tek njeriu me Hyjin dhe tek njerëzit mes tyre. O Zot, më ndihmo që ta sjell paqen mes të afërmve të mi. Më ndihmo që të kthehem personalisht dhe tu ndihmoj të tjerëve që të nisen në rrugën e kthimit.
11 Lum ata që ty të panë e që pushuan në dashurinë tënde!
Pasi që na përshkroi Elinë në mënyrë të mrekullueshme, shkrimtari pohon se edhe të tjerët do të jetojnë përgjithmonë, ata që do ta shohin kur të kthehet, gjithashtu edhe ata që do të vdesin në dashurinë e Hyjit. Kjo është porosia e shpresës.