MEDITIMI I DITËS – ZEMRA JONË ËSHTË TOKA E FRYTSHME OSE E PAFRYTSHME

Written by on July 14, 2017

E diela e XV gjatë vitit

 

Mt 13, 1 – 23 ZEMRA JONË ËSHTË TOKA E FRYTSHME OSE E PAFRYTSHME

 

Kërkoj hirin: që t’i besoj fjalës që Jezusi mbjell në zemrën time.

 

Zemra ime është toka në të cilën bien fjalët e tua, o Jezus. Zemra ime është tokë e mirë ose gurishtë, tokë e frytshme ose tokë me gurë. Zemra ime e është e ngurtësuar ose zemër mishi. Ajo fjalën tënde e pranon si ushqim ose e refuzon, e merr ose nuk e merr në thellësi. Zemra ime është përfshirë në ecurinë e mbjelljes së Lajmit të gëzueshëm, o Zot Jezus.

Sa fjalë të tua, o Jezus, bien pran udhës? Sa janë ato fjalë që nuk i arrin thellësitë e zemrës sime? Ka fjalë të cilat nuk i dalloj aspak. Janë fjalët të cilat fare nuk i regjistroj. Ka fjalë që nuk i dëgjoj as nuk dua t’i dëgjoj. Zemra ime shumë herë nuk lejon që në të të bie fjala jote, o Zot! Kështu fara e fjalës sate bie pranë udhës dhe në vend që të ushqehem unë, me të ushqehen zogjtë e qiellit. Më fal, o Zot, për secilën fjalë që nuk e kam dëgjuar, sepse nuk kam qenë i vëmendshëm, sepse nuk e kam ditë rëndësinë e fjalëve të tua.

Ka shumë çaste në jetë kur entuziazmohem për Ty, o Jezus; kur mendoj se kam kuptuar çdo gjë, kur mendoj se vërtetë jam përcaktuar për Ty. Janë çaste kur dua të nisem pas Teje kudo ti dëshiron. Këto janë çastet e bekuara të shndritjes që më bën fjala jote. Të falënderoj për ato çaste. Të falënderoj për secilën dritë, njohje dhe gëzim të jetës që hyn në mua me forcën e fjalës sate të bekuar.

Prapëseprapë, o Jezus, me vjen keq kur ky entuziazëm menjëherë fikët. Sikur në zemrën time nuk ka rrënjë të thella. Duket se asgjë nuk ka mundësi të kuptohet me të vërtetë dhe në thellësi në tokën e zemrës sime. Çdo gjë, disi mbetet në sipërfaqe, do të doja që të mos me mbajnë gjatë, por që të kem mundësi të ripërtëri entuziazmin, e prapë frikësohem përpara ndryshimeve të situatave jetësore, kam frikë që të ndërmarr veprime rrënjësore, prandaj çdo gjë shumë shpejt vyshket dhe zhduket.

Zemra ime, o Jezus, është si  toka e mbuluar me ferra. Çdo gjëje që rinis jetën i zihet fryma. Kam shumë mendime, plane, probleme, dyshime dhe për këtë gjë me duhet të mendoj se nuk është ndonjë mrekulli e veçantë që nuk kam kohë as kuptim për ta dëgjuar fjalën Tënde. Kështu fjalës Tënde, edhe pse bie në tokën e zemrës sime, i zihet fryma, sepse për fjalën Tënde, o Jezus, sikur nuk ka vend as hapësirë në jetën time. Nuk kam kohë që të merrem fort me fjalën Tënde, sepse ka aq shumë gjëra që mua me duken më të rëndësishme. Pikërisht këto gjëra nuk me lejojnë që të mendoj dhe t’i përkushtohem asaj që është e vetmja gjë e nevojshme, asaj gjeje që është më e rëndësishmja. Me fal, o Jezus!

Dua që zemra ime të jetë tokë e frytshme. Dua që çdo gjë që mbjell në të të jep fryt njëqindfish. Dua që nga dita e sotme fjala jote të bie në tokë e frytshme të zemrës sime që të shumëzoj frytet e shumta për të gjitha ato raste në të cilat nuk kam lejuar që fjala jote të japë fryt. Lavdërohu, o Jezus, në mua dhe përmes meje me fjalën tënde të bekuar. Le të mbi fryti i dashurisë dhe i mirësisë përmes fjalës sate! Faleminderit, o Jezus!


Current track

Title

Artist