MEDITIMI I DITËS – ZEMRA E MËSHIRSHME

Written by on September 13, 2017

Lk 6, 27-38 ZEMRA E MËSHIRSHME

 

Kërkoj hirin: që zemra ime të jetë e mëshirshme.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 27 “po ju them juve që më dëgjoni: ‘Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, 28 bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’.

A ka mundësi që një dashuri e tillë të mbijë ndonjëherë në zemrën e njeriut? A është e mundur që t’i duam armiqtë tanë, tu bëjmë mirë atyre që na urrejnë, t’i bekojmë ata që na mallkojnë dhe të lutemi për ata që na keqtrajtojnë? Edhe në mënyrë teorike, edhe kur ballafaqohemi me këto fjalë të Jezusit dhe pyesim për dashurinë e tillë në zemrat tona, dridhemi në thellësi të shpirtit tonë për shkak të këtyre kërkesave të pabesueshme. Kush ka mundësi ta bëj këtë gjë dhe të jetojë kështu? Mbi të gjitha këto nuk janë fjalë që janë shkruar në ndonjë roman as nuk janë thënë në skenën e ndonjë teatri. Nuk është as meditim i kotë i ndonjë njeriu paqedashës, as fjalë të ndonjë deklarate që nuk ka kurrfarë vlere. Këto fjalë i tha Jezusi, Hyji, që i merr në mënyrë krejt serioze dhe flet për situata shumë konkrete të jetës sonë. Edhe armiqtë, edhe ata që urrejnë, edhe ata që mallkojnë dhe keqtrajtojnë nuk janë disa qenie negative që i paraqesin romanët dhe filmat, por njerëz konkret që jetojnë së bashku më ne në ketë botë. Të gjithë këta janë persona nga mishi dhe gjaku që i njohim ose nuk i njohim, më të cilët takohemi çdo ditë në rrugë, në autobus, në tren. Këta janë njerëzit në afërsinë tonë dhe në vendet tona të punës. Fatkeqësisht, ndoshta edhe vet jam i tillë në sytë e të afërmve të mi.

A guxoj, që në lutje para Zotërisë t’i shikoj fytyrat e tyre më një shikim të ri, që nuk do të jetë i ngarkuar me urrejtje as me mallkim? Që ta bëj këtë gjë, kam nevojë për një hir të veçantë dhe për ndihmën e Hyjit. Më duhet të lutem për to. Më duhet t’i kërkoj në vazhdimësi. Vetëm sipas hirit të Hyjit dhe më ndihmën e tij kam mundësi të ngrihem përmbi çdo gjë që përjetoj në zemër e që më ngatërron që më shikim të ri, më shikimin e Jezusit, të shoh lirisht rreth vetës.

29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë! 31 Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!

Kërkesat edhe më tutje janë shumë të fuqishme. Më shumë kënaqësi do t’i tejkalonim ose do t’i mbyllnim veshtë para tyre që të mos i dëgjojmë aspak. Mirëpo, është më mirë që të bëhemi të vetëdijshëm për paaftësinë tonë dhe pamundësinë që t’i jetojmë, të bëhemi të vetëdijshëm për mos gatishmërinë tonë për t’i përvetësuar. Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi ta përgatisim në zemrën tonë vendin që t’i dëgjojmë këto fjalë të Jezusit dhe pak nga pak të bëhemi të ngjashëm me to. O Zot, më ndihmo që i pari të afrohem dhe të falë. Thellë në vetvete e ndjejmë kundërshtimin drejt këtij hapi dhe ndihemi keq kur mendojmë në fjalët e faljes të cilën duhet ta japim ose më duhet të lutem për të. Më ndihmo në këtë gjë! Pa ty jam i pafuqishëm. Më ty kam mundësi së paku për çdo ditë ta bëj ndonjë hap përpara.

32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huazojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. 35 Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.

Jezusi dëshiron që të ngrihemi mbi rrethin e zakonshëm të dashurisë, miqësisë dhe bashkëbisedimit të ndërsjellët, në të cilin pak a shumë gjendemi të gjithë. Ky është rrethi i interesit dhe i vetjakisë. Në lutje na duhet ta kërkojmë ndihmën që të kemi mundësi të bëjmë më shumë, që dashuria jonë të mos jetë e kufizuar më dashurinë e atyre që na duan, që mirësia jonë mos tu drejtohet vetëm bamirësve tanë. Prandaj masa e dashurisë sonë duhet të jetë me grumbull e mirësia jonë e pakufishme.

36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.” 37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”

Të lutemi për mëshirë do të thotë të krijojmë në vetvete atmosferën e gatishmërinë për të gjitha këto kërkesa që Jezusi i kërkon prej nesh. Kush është i mëshirshëm, nuk i vë kufij dashurisë së vet. Kush është i mëshirshëm, nuk e ngushton mirësinë e vet vetëm në disa njerëz. Njeriu i mëshirshëm është i hapur ndaj të gjithëve. Ai i do të gjithë dhe nuk e përjashton askënd prej mirësisë së tij. Ky njeri i përngjan Atit qiellor. Hyji nuk ka masë as nuk e kufizon dashurinë dhe mirësinë vetëm në disa njerëz. Prandaj i përngjan ai njeri që ka zemrën e mëshirshme. Masa e zemrës së mëshirshme është e dendur, e tundur me grumbull. O Zot, aq lehtë më ndizet flakë urrejtja në zemër dhe di të jem aq i pamëshirshëm dhe i pandjeshëm ndaj të tjerëve. Ma jep zemrën e mëshirshme, masa e të cilës është dashuria dhe mirësia me grumbull.

 


Current track

Title

Artist