MEDITIMI I DITËS – ZEMRA E HAPUR
Written by Radio Maria on March 15, 2017
Lk 16, 19-31 ZEMRA E HAPUR
Kërkoj hirin që asnjë lloj pasurie materiale, as shpirtërore, të mos e mbyllë zemrën time para Hyjit dhe njerëzve.
9 “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqyeshëm si një ditë përditë. 20 Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër 21 e dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët”.
Jezusi foli për një realitet jetësor. I shihte dhe takohej me njerëzit e pasur, të cilët nuk kujdeseshin për të tjerët, sidomos për ata që ishin të varfër. Padrejtësia shoqërore ishte gjithmonë e pranishme. I pasuri jeton në botën e vet, mbështetet në pushtetin e pasurisë së vet. Qëllimi i tij është që të ketë sa më shumë dhe në këtë gjë kënaqet. Dëshiron që të marrë gjithçka, prej çdo gjëje dëshiron të përfitojë, dëshiron t’i ketë të gjitha dhe t’i shpenzojë. Edhe pranë kësaj, jeton me frikë se do të mbetet pa ato që ka dhe se të tjerët do ta mashtrojnë. Prandaj, nuk beson dhe dyshon.
Pasuria vërehet më së miri kur jemi në kontakt me varfërinë e skajshme. Në këtë takim, shihen dallimet jetësore që i jetojnë njerëzit. Këtë gjë e shikojmë edhe në përshkrimin që ua bëri Jezusi dy njerëzve, të pasurit dhe Lazrit. Ndërsa pasaniku shpenzonte në mënyrë të vazhdueshme për kënaqësinë dhe dëshirën e vet, Lazri nuk i kishte as gjërat më të domosdoshme për një jetë të denjë mbi tokë. Këtu qëndron padrejtësia në shoqëri dhe këtu zbulohen strukturat mëkatare, që njeriu i ndërton dhe i paraqet pa e brejtur ndërgjegjja. Edhe sot e kësaj dite, ekzistojnë «kështjellat» e të pasurve, të cilat u ndërtuan në dëm të atyre që mbetën të varfër. Jezusi e paraqiti krejt tragjedinë dhe gjendjen e pahijshme të situatës: ndërsa njëri jetonte në purpur dhe gostitej si një ditë për ditë, tjetri para derës së tij qëndronte i shtrirë në varfëri dhe qentë ia lëpinin plagët.
Nuk duhet që të mos na prekë ajo që ndodh rreth nesh. Nuk duhet të mësohemi se kjo gjë thjesht është kështu në jetë, por na duhet që në mënyrë konstruktive të angazhohemi me aq sa mundemi që ta ndërtojmë shoqërinë gjithnjë e më të drejtë. Kreshmët na thërrasin që të mos harrojmë të shohim para derës sonë, sepse ndoshta dikush pret që t’i ndihmojmë.
O Zot, Ti zbrite nga pasuria jote në varfërinë tonë, që të na mësosh dhe të na nxitësh që të vijmë pas Teje. Bëj që të më pasurojë varfëria jote.
22 Vdiq skamnori e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën. 23 Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij 24 e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë’.
Tani kemi një situatë krejtësisht tjetër. I pasuri mbeti pa pasurinë e vet, e cila e shkatërroi, sepse e përjetoi mundimin e refuzimit dhe të pakuptimit të jetës së vet, që e kaloi në qejfe dhe në mënyrë sipërfaqësore. Lazri ishte në gëzim dhe në kënaqësi. Mirëpo, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm: ky shndërrim nuk bëhet në mënyrë automatike. Nuk kuptohet vetvetiu se në jetën tjetër gjithçka do të jetë ndryshe nga ajo që kemi jetuar këtu në këtë jetë kalimtare. Gjithmonë vihet në diskutim hapja e zemrës ose mbyllja e saj. Kjo është «bileta» për në gëzimin me Hyjin ose në shkatërrimin pa Të.
25 Abrahami iu përgjigj: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan.
Lazri paraqet të gjithë njerëzit që vuajnë, që mundohen. Këta njerëz pësojnë goditje të pamëshirshme nga jeta. Mirëpo, ata janë të qëndrueshëm dhe nuk mallkojnë, dhe ecin përpara edhe pranë të gjitha fatkeqësive. Këta njerëz i çon përpara vetëdija se qëllimi i jetës nuk është këtu mbi tokë. Të gjitha do të kalojnë dhe mua më duhet t’i duroj. Prandaj, meritojnë gëzimin dhe harenë e përjetshme. O Zot, ndihmoji të gjithë njerëzit, që janë të varfër dhe vuajnë, që të jenë të qëndrueshëm dhe që të mos e humbin shpresën se një ditë do të plotësohen dëshirat e tyre pranë Teje, në amshim.
I pasuri paraqet njerëzit, të cilët e mbyllin derën e zemrës para njerëzve që janë në nevojë dhe dëshirojnë të ngopen qoftë edhe me ato copa që bien nga sofra e të pasurve. Njeriu rrezikon që pasuria t’ia mbyllë zemrën edhe për Hyjin edhe për njeriun. Këtu ndodh gjykimi i përjetshëm i mallkimit. Sa e rëndësishme është që të lutemi që zemra jonë të mos mbyllet, as para Hyjit e as para njerëzve!
27 Pasaniku vazhdoi: … 28 i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht … 31 Iu përgjigj: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.
Edhe pesë vëllezërit jetonin në pasuri dhe mirëqenie. Me anë të këtij përfundimi, Jezusi theksoi edhe më fuqishëm se si mund ta mbyllë pasuria zemrën e njeriut. As qortimet më të fuqishme dhe më serioze nuk mund të arrijnë asgjë. Egoizmi mendjemadh nuk është i aftë për të lexuar çfarëdo shenjash, as të dëgjojë çfarëdo porosish. Mjaftojnë shenjat e zakonshme që i dhuron Hyji, mjafton Fjala e Tij, fjala e profetëve që thërrasin dhe qortojnë, që tërheqin vërejtje. O Zot, bëj që t’i dalloj shenjat e Tua dhe ta dëgjoj fjalën e profetëve!