MEDITIMI I DITËS – ZEMRA E BUTË
Written by Radio Maria on July 19, 2017
Mt 11, 28-30 ZEMRA E BUTË
Kërkoj hirin: që Hyji të më dhurojë zemrën e butë dhe të përvuajtur.
Në atë kohë Jezusi tha: 28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh.
Pas lutjes për të cilën e kemi medituar dje dhe jemi lutur me Jezusin, ky është vazhdimi më logjik i asaj për të cilën u lut Jezusi. Ai kthehet drejt njeriut, drejt secilit që ka nevojë dhe ka vështirësi. Në qoftë se Ati qiellor mendon në të vegjlit, edhe Jezusi mendon në ta, ata janë në zemrën e tij. Derisa mendon në ta, kjo do të thotë se i do dhe se i mbartë në zemër. Këta janë të gjithë ata që vuajnë, të gjithë ata që janë të lodhur nga vështirësitë me të cilat për çdo ditë luftojnë. Në atë çast Jezusi mendon në të gjithë ata që janë të ngarkuar më vështirësi të ndryshme dhe që janë të pakënaqur. Jezusi shikon secili njeri që ka nevojë, sepse e di se atij i nevojitet pushimi dhe ngushëllimi. Ky është lumi i pakufishëm i dhimbjes dhe vuajtjes njerëzore që është i pashtershëm, që i përfshinë të gjitha breznitë dhe të gjitha kohërat.
Kjo është një skenë e veçantë që në zemrën e nxënësve u vendos thellë. Secili prej tyre kishte përvojën e lodhjes dhe të ngarkesës. Secili prej tyre e dinte çfarë janë vështirësitë dhe vuajtjet. Prandaj e kuptuan mirë secilën fjalë që e shqiptoj Jezusi, sepse i godiste në zemër dhe i prekte ndjenjat më të thella të brendisë së tyre.
Ne, fatkeqësisht e kthejmë kryet nga ata që janë në vështirësi dhe në nevojë. Mbyllim derën tonë dhe nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë ata që e kërkojnë ndihmën tonë. Jezusi pikërisht këta i thërret. Njerëz të tillë ka në secilin popull, në të gjitha breznitë dhe në të gjitha kohërat.
O Zot, lutjen time e bashkoi me lutjen tënde. Ti mendon në ata që kanë shumë nevojë. Po të lutem për ato familje në të cilat babai e nënvlerëson bashkëshorten e vet dhe është i rreptë ndaj fëmijëve, nuk vjen në shtëpi duke kaluar kohën në klube dhe në shoqëri të dyshimtë. Po të lutem edhe për atë familje në të cilën nëna e humbi dinjitetin e vet dhe tashmë nuk kujdeset për burrin as për fëmijët. Të gjithë këta e kanë barrën e rëndë, të gjithë këta janë të lodhur. Po të lutem edhe për meshtarin që nuk gjen kuptim tek besimtarët e vet dhe ndjehet i braktisur dhe i vetmuar. Po të lutem edhe për të rinjtë që kanë frikë nga lufta jetësore dhe nuk kanë guxim të përballën me detyrat e përditshme, prandaj i dorëzohen drogës dhe alkoolit. Po të lutem për të gjithë ata që kërkojnë ngushëllim në besime të dyshimta, në magji, fall dhe idhujtarit tjera që nuk janë të denja për njeriun. Të gjithë këta, o Zot, janë të lodhur nga barra e rëndë dhe kanë nevojë për ndihmë. Të falënderoj që mendon në ta. Të falënderoj që mendon në mua dhe në barrën time. Të falënderoj që më thërret dhe që kam mundësi të të afrohem që në zemrën tënde të gjej pushim dhe qetësi.
29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.«
Jezusi thërret tek vetja, në bashkësinë e tij, në shkollën e tij, që në të t’i mësojë njerëzit. I fton që të marrin atë gjë që iu ofron për jetën dhe që jetën ta sodisin nga perspektiva e tij. Shumë njerëz më kuptimin e vet subjektiv dhe të gabueshëm të besimit dhe të fesë iu vështirësojnë, në vend që tu lehtësojnë të tjerëve jetën dhe drejtimin. Këto janë ngarkesat e rënda dhe zgjedhat e rënda që i mundojnë njerëzit. Shumë njerëz që ia dolën t’i braktisin këto robëri, afër Jezusit e përjetuan lirinë e fëmijëve të Hyjit. Vetëm atëherë e kuptuan se cila është barra e Jezusit që është e ëmbël dhe zgjedha që është e lehtë. Gëzimi i kësaj zbulese iu ndihmoj shumëve që të bëhen nxënës të Jezusit.
Prandaj Jezusi e ofron ndihmën e vërtetë për ta pranuar dhe për ta mbartur «zgjedhën» e tij. Ai nuk ofron ndonjë gjë që mund të arrihet lehtë. Në jetën shpirtërore dhe fetare nuk ka ilaqe të menjëhershme që i përngjan fas food-it. Nuk ka përshpirtëri «të menjëhershme» fast spirituality. Nuk ka asgjë që mund të arrihet shpejt. Nuk ka kurrfarë shkopi magjik me anë të të cilit do t’i zgjidhim të gjitha problemet. Ajo që Jezusi ofron do të thotë se e kemi afër dhe se me ndihmën e tij dhe më përpjekjen tonë personale kemi mundësi ta arrijmë paqen dhe qetësinë. Vetëm me ndihmën e Jezusit kemi mundësi ta gjejmë paqen shpirtërore të cilën aq shumë e kërkojmë. Të arrimë atë gjë që ofron Jezusi, të nderojmë ligjin e tij dhe ta mësojmë prej tij, kjo është rruga më e sigurt që ta gjejmë paqen e brendshme në shpirtin tonë. Duhet të mësojmë nga Jezusi. Në shkollën e tij mësojmë atë gjë që asnjë shkollë tjetër nuk na ofron. Të gjitha shkollat tjera na mësojmë se si duhet të jemi të shkathtë në jetë, si t’i mësojmë zanatet, si të përsosemi më mirë në aftësitë tona mendore dhe intelektuale. Në asnjë shkollë nuk flitet për zemrën, në asnjë shkollë nuk flitet për vlerat e shpirtit. Prandaj lodhemi shpejt dhe çdo gjë bëhet e mërzitshme, sepse nuk e kemi në vetvete Shpirtin e Jezusit dhe dashurinë e tij që jep forcë dhe qëndrueshmëri në përpjekjet e përditshme. Në ditën tonë na mungon butësia dhe përvujtëria dhe askush nuk na mëson as nuk na drejton në këtë gjë. Jezusi është i vetmi Mësues që vërtetë është zemër butë dhe i përvuajtur.
Më duhet të ndalem dhe të meditoj mbi këtë thirrje të cilën Jezusi ma bënë. Më duhet ta pyes se si mund të arrij të bëj zemrën time të butë dhe të përvuajtur. O Zot, zemërbutë dhe i përvuajtur, bëj që zemra ime t’i përngjaj zemrës sate.