MEDITIMI I DITËS – ZBATIMI I URDHËRIMEVE

Written by on January 16, 2017

Mk 2, 23-28 ZBATIMI I URDHËRIMEVE

 

Kërkoj hirin: që të më drejtojë dashuria në zbatimin e Urdhërimeve të Hyjit dhe të Kishës.

 

23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj. 24 Farisenjtë atëherë po i thonë: “Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”

Konflikti i ri. Jezusi më nxënësit e vet «del përsëri» jashtë kornizës së përditshmërisë. Herën e parë ishte afërsia e madhe dhe kontakti intim më mëkatarët, pastaj qe problemi i agjërimit, ndërsa në këtë pjesë të ungjillit kemi si shkak të konfliktit shkeljen e ligjit që kërkon nderimin e të shtunës.

Skena është shumë e qartë. Jezusi më nxënësit e vet kalon nëpër ara me grurë dhe ata gjatë rrugës këpusin ndonjë kallëz të pjekur dhe përtypin korrat e forta që kanë shije të mirë në gojë. Askush në këtë gjë nuk do të shihte ndonjë problem po ta kishin bërë ndonjë ditë tjetër të javës. Por kjo ditë ishte e shtunë, pra nuk ishte ditë e zakonshme. Kjo ditë për besimtarin hebrenj ishte ditë krejt e veçantë, ditë e jashtëzakonshme, ditë pushimi, ditë lutjeje, ditë e familjes dhe ditë e takimit me të afërmit dhe miqtë. Që ta ruanin atë gjë që kishte kërkuar Hyji, farisenjtë kishin bërë shumë ndalesa: ishin tridhjetë e nëntë ndalesa të vogla që ua ndalonin njerëzve veprimtaritë e ndryshme. Këtë gjë ndoshta edhe e kishin bërë më qëllim shumë të mirë që këtë ditë ta ruanin nga «keqpërdorimet». Mirëpo në këtë mënyrë e kishin bërë gjithashtu të pamundur që e shtuna të jetë ajo që duhej të ishte: ditë pushimi, lutjeje dhe e çlodhjes. Të mendosh në të gjitha ndalesat dhe t’i zbatosh në mënyrë të përpiktë, ishte barrë tepër e madhe për besimtarin e zakonshëm. Kështu ligji në vend që t’i ndihmonte njeriut, e ngatërronte dhe ishte kundër tij. Këputja e kallinjve dhe shkokëlimi i tyre të shtunën i pengoi shumë «rojtarët e ligjit». Mbikëqyrësit e amshueshëm të të tjerëve u ngritën në mbrojtje të ligjit të cilin ata vet e kishin bërë. Ata shkandullohen për veprimin që po bënin nxënësit e Jezusit. Prandaj e kundërshtojnë Jezusin.

Edhe ne në jetën e përditshme si të krishterë përballohemi me gjërat e lejueshme dhe të palejueshme. Na shtrohen pyetjet: a guxoj apo nuk guxoj ta bëje këtë? Mirëpo, ka diçka që është më e rëndësishme dhe që tejkalon ndalesën e thjeshtë, gjë të cilën shumë shpesh e harrojmë. Kjo është dashuria. Ajo duhet të na drejtojë në gjithçka, sepse vetëm kur zbatojmë dashurinë atëherë nuk do të biem as në rigorizëm: d.m.th. çdo gjë është e ndaluar, as në laksizëm: d.m.th çdo gjë është e lejuar.

O Zot, bëj që në verimet dhe në fjalët e mia të më drejtojë ligji i dashurisë. Atëherë nuk do ta kem të vështirë që t’i zbatoj urdhërimet që mi kërkon Kisha, as caktimet të cilat më ndihmojnë të marrë qëndrim të drejtë në jetën time si besimtar.

25 Jezusi u përgjigj: “A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij?  26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”

Jezusi zgjeron horizontet. Këta njerëz që e kanë aq për zemër ligjin i fton që t’i kujtojnë ngjarjet e shkuara të historisë. Jezusi ngrihet në mbrojtje të njeriut në nevojë. Ai në asnjë mënyrë nuk e zhvlerëson të shtunën. Nuk thotë se kemi mundësi të bëjmë si na merr mendja. Nuk e vendos moralin laksist d.m.th. çdo gjë është e lejueshme. Përkundrazi, të shtunës ja jep vlerën që ka dhe krejt fuqinë:

27 Atëherë u thoshte edhe këtë: “E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën.  28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”

Hyji e krijoj të shtunën për njeriun, e krijoj për të mirën dhe për lumturinë e tij. Të ndaloj në punën time, t’i kushtoj pak më shumë kohë Hyjit. Të mendoj për ato gjëra që bëj dhe flas. Ta ripërtëri atmosferën jetësore të familjes sime, marrëdhëniet më të afërmit dhe miqtë e mi. Kjo është detyra që mund ta kryej të shtunën. Prandaj Hyji e la për të mirën dhe lumturinë tonë.

Pyetjen për shtunën, ne sot duhet ta shndërrojmë në pyetje për të dielën. Si është e diela ime? A është kjo dita në të cilën përpiqem që të arrijë ato gjëra që nuk ia dal gjatë javës? Ditë për vrapim të shtuar, ditë rezervë për lëshimet që bëra ditëve tjera të javës? Dita «plus»? Duke bërë kështu ajo deformohet dhe bëhet ditë mundimi dhe lodhjeje. E diela është ndryshe pikërisht pse të dielën i bëj gjërat që nuk i bëj ditëve tjera të javës duke iu kushtuar Hyjit, familjes, të afërmit… Mirëpo, do të ketë të diela kur më duhet të bëj diçka, gjëra të cilat zakonisht nuk do t’i bëja, sepse është më se e nevojshme, sepse këtë gjë ma dikton dashuria. Kjo atëherë do të jetë e veçantë që nuk do të prish aspak pushimin e të dielës të cilin në mënyrë të zakonshme e ruaj.

A e kam bërë të dielën ditë pune ose ajo për mua është vërtetë dita e Zotit? Në lutje para Zotërisë më duhet të vlerësoj të gjitha punët e mia dhe të gjitha gjërat që bëj duke parë sa e vlefshme është kjo në sytë e tij. Në shikimin e tij shumë gjëra që kanë pak vlerë mund të kenë vlerë të madhe, e shumë gjëra me vlerë të madhe mund të kenë pak vlerë.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend