MEDITIMI I DITËS – ZBATIMI I THIRRJES
Written by Radio Maria on January 25, 2017
Lk 10, 1-12 ZBATIMI I THIRRJES
Kërkoj hirin: që të kuptoj se jam nxënës i Jezusit në thirrjen që e zbatoj.
Në atë kohë, 1 Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë.
Përveç dërgimit të Dymbëdhjetëve, që janë simboli i Izraelit, Shën Luka shënon edhe dërgimin e shtatëdhjetedy nxënësve që simbolizojnë popujt paganë. Lajmi i gëzueshëm duhet t’i përfshijë të gjithë popujt. Nxënësit janë dërguar që ta shpallin tek të gjithë Lajmin e gëzueshëm. Jezusi i dërgon si lajmëtarët e vet shpirtëror në vende dhe qytete në të cilat dëshironte për të ardhur. Ata janë paraardhësit e tij.
2 U thoshte: »Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish!
Jezusi i dërgon në mision i vetëdijshëm për madhërinë dhe përgjegjësinë e punës të cilën ua beson. Misioni i përngjan korrjes. Ajo është e madhe dhe i pret punëtorët të cilët më gjithë zemër do t’i përvishen punës. Kortarë ka pak dhe ekziston rreziku që të korrat nuk do të kryhen më kohë. Gruri në ara valëvitet… kortarët nuk shihen askund… thotë një poezi. Paraqitja ka domethënie dhe na nxit. Duhet të lutemi. Duhet t’i lutemi seriozisht dhe në mënyrë të qëndrueshme Zotërisë së të korrave që të dërgojë punëtorë. Kjo është gjëja e parë dhe më e rëndësishme për të cilën na nxit Jezusi dhe na tërheq vërejtjen. Asnjëherë nuk pati korrëtarë të mjaftueshëm në të korrat e Zotërisë. Prandaj Jezusi thotë guximshëm: Shkoni! Do tu duhet guximi dhe trimëria, sepse shpallja nuk do të jetë aspak e lehtë. Do të kenë takime të jashtëzakonshme dhe prova të mëdha. Do ta ndjenë veten si qengjat midis ujqërve. Do të jenë të pambrojtur para njerëzve të dhunshëm të kësaj bote. Por u duhet të shkojnë për të shpallur.
A lutem për të dërguarit në të korrat e Zotërisë? A jam i gatshëm të shkoj edhe unë, nëse Zotëria më dërgon? A kam frikë nga kërkesa e tij e guximshme: shko! A përligjem në mënyra të ndryshme, vetëm të mos e marrë mbi vete këtë përgjegjësi?
4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as të mbathura e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet.
Në rrugët e Hyjit nxënësi duhet të dëshmojë. Shenja e tij dhe dëshmia është varfëria. Prandaj nxënësi duhet të jetë i lëvizshëm. Pa asgjë që si barrë do ta pengonte. Nuk guxon të mbështetët tepër shumë në vlerat materiale dhe të harroj të vërtetën themelore: qëllimi i jetës sonë nuk është këtu në tokë. Vetëm njeriu i tillë ka mundësi të sjellë paqen. Vetëm njeriu i tillë mund të dhurojë paqen dhe të mbartë paqen dhe gëzimin në familje, në shtëpi dhe qytete, në çdo vend nëpër të cilin do të kalojë dhe ku do të hyj. Në dërgimin e vet do të marrë mjaftueshëm çdo gjë që do t’i nevojitet për jetë. Nëse do të jetë besnik në misionin e vet, do ta meritojë pagën e vet. Do të ketë mjaftueshëm dhe do të jetë i kënaqur.
Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! 8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’
Nxënësi i Jezusit nuk jeton për vete. Ai është i dërguar tek të tjerët. Ai u ndihmon, i shëron dhe i ngushëllon. Edhe vet e pranon ndihmën e të tjerëve, të atyre që u ndihmon shpirtërisht. Prandaj prej tyre e merr ngushëllimin, ha dhe pi. Tek ta e gjen vendin për të pushuar. Në angazhimin e vet për të tjerët asnjëherë nuk guxon të harrojë se është dërguar për të shpallur afërsinë e mbretërisë së Hyjit. Ky është refreni i predikimit të tij dhe i shpalljes. Më këtë gjë iu kujton njerëzve kalueshmërinë e jetës tokësore dhe vlerën e jetës në lavdinë qiellore.
10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: 11 ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për të mbathura tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit! 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.«
Nxënësit do t’i gjejnë dyert e qyteteve dhe zemrat e njerëzve të mbyllura. Kjo do të jetë përvoja e dhimbshme për ta. As atëherë nuk guxojnë ta humbin guximin, përkundrazi, duhet të dalin guximshëm në rrugë dhe tu thonë njerëzve se janë përgjegjës përse e mbyllen zemrën para fjalës së Hyjit. Më këtë gjë e kanë përjashtuar vetveten nga dashuria e Hyjit dhe mëshira e tij. Për këtë gjë do të përgjigjen. Nxënësit duhet të shkojnë më tej. Kur t’i bëjnë të gjitha që varën prej tyre, e njerëzit nuk i pranojnë, do ta shkundin pluhurin që nëpër qytet u ngjitë në këmbët e tyre. Ky pluhur do të dëshmojë në të njëjtën kohë për përpjekjet e tyre dhe për moskujdesin e qytetarëve të atij qyteti.
O Zot, më jep që të dëgjoj çfarë më thua nëpërmjet të dërguarve të tu. Bëj që Fjalën tënde ta marrë seriozisht dhe të jetoj sipas saj.