MEDITIMI I DITËS – ZAKEU DHE SHËLBIMI

Written by on November 20, 2017

Lk 19, 1-10 ZAKEU DHE SHËLBIMI

 

Kërkoj hirin: që të besoj se si sot ka mundësi të vijë shëlbimi në shtëpinë time.

 

Në atë kohë, 1 Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet. 2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël.

Në Jerihon jetonte njeriu që sipas të gjitha masave të kësaj bote do të duhej të ishte i lumtur. Sepse, njerëzit thonë se të lumtur janë ata që janë të pasur. Zakeu ishte i tillë. Ndoshta ky njeri aktronte lumturinë, gëzimin dhe kënaqësinë, por thellë në vetvete ndjente se ka diçka tepër të prishur. Zgjohej natën dhe mendonte çfarë kishte mundësi të ndërmarr që jetën e vet ta bënte më të dobishme dhe më të drejtë. Mirëpo, secila ditë e re nuk kishte asgjë tjetër përveçse zhgënjim, çdo ditë ishte më e keqe se dita e djeshme, gjë që në Zakeun shkaktonte tmerr të thellë dhe pakënaqësi të madhe. Ai e dinte se hebrenjtë nuk e donin, sepse shoqërohej me romakët të cilët e kishin robëruar popullin e tij. Gjithashtu e dinte se as romakët nuk e vlerësonin, sepse nuk ishte e drejtë mënyra me të cilën pasurohej. Zakeu vërtetë ishte i vetmuar dhe njeri i fatkeq. Në mënyrë krejt të veçantë e nënçmonin farisenjtë. Për ta ishte i ndyrë, i papastër, i prishur, mëkatar, njeri i humbur përgjithmonë. Këtë gjë Zakeu e ndjente në shikimin e tyre, edhe sa herë që shmangeshin që mos ta takonin në kalim. Ky njeri dëgjoj për Jezusin dhe në të lëvizi diçka e fortë. Ky emër si të zgjonte në të një rreze shprese duke e ndriçuar jetën e tij të pashpresë. Kjo ishte shkëndijë drite që shndriti errësirën e tij. Mendoi: Jezusi dhe askush tjetër. Vetëm ai ka mundësi të më ndihmojë që të dal prej kësaj gjendjeje. Dëshiroi që të takohem me Jezusin. Jezusi ishte Person i takimit, Njeriu për të cilin Zakeu kishte nevojë. Ai që e kërkonte Zakeun.

4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. 5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: »Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!« 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: »Ktheu të rrijë te një mëkatar!«

Zakeu e kapërceu pengesën. Kishte për qëllim që ta shihte Jezusin, edhe në qoftë se do të bëhej qesharak në sytë e të tjerëve. Ai tashmë e dinte se nuk kishte çfarë të humbiste. E dinte se kishte rënë shumë thellë, aq thellë sa më thellë nuk kishte ku të shkonte. Nga thellësia në të cilën gjendej kishte mundësi vetëm ta fillonte ngritjen. Ngritja filloj pikërisht atëherë kur Zakeu filloi të hipte në fik. E shihte Jezusin, mirëpo, në të vërtetë Jezusi e pa atë. Filloj bashkëbisedimi, Jezusi e thërret veten në shtëpinë e Zakeut. Jezusi kishte mundësi të shkonte edhe tek dikush tjetër. Mirëpo, ai sonte dëshiron të jetë me Zakeun në shtëpinë e tij. Zakeu është i gëzueshëm, sepse ndjen se ka filluar të shkrihet akulli në të. Sa i gëzueshëm ishte kur mendonte: Jezusi dëshiron të vijë në shtëpinë time, në shtëpinë e një tagrambledhësi. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme!

A ishte vërtetë kështu? Farisenjtë po shikonin. Po, kjo është kështu! Shkandull! E padëgjueshme! Jezusi shoqërohet me mëkatarët! Çfarë rabini është ky? Zakeu dëgjonte çfarë thonin njerëzit. Nuk lejon që Jezusi ta shpjegoj dhe ta arsyetoj veprimin e tij. Ai ka diçka të rëndësishme për të thënë. Për këtë arsye, ngrihet në këmbë dhe e fillon fjalën e pendimit dhe të kthimit.

O Zot, thirre, vetveten edhe në shtëpinë time pasi që unë nuk dita të të thërras. Më shih diku në «fikun tim» , më thirr që të zbret shpejt. Më ndihmo, që ta dëgjoj zërin tënd që më thotë: zbrit shpejt!

8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: »Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!« 9 Atëherë Jezusi i tha:» Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.«

Njerëzit po shikojnë me sy të hapur. Një gjë të tillë nuk e kanë dëgjuar. Nuk po u besonin as veshëve as syve të tyre. Vërtetë në këtë shtëpi sot po ndodhte një gjë e veçantë. Ky njeri që u rropi njerëzve lëkurën tani po bënte diçka të padëgjueshme. A ka nevojë të komentohet kjo gjë? Ndoshta është e nevojshme vetëm ta lexojmë edhe njëherë dhe më ngadalë duke u mahnitur pas  kësaj bisede që bën Zakeu. A u tha ndonjëherë ndonjë fjalim më i shkurtër dhe më i pasur?

Edhe Jezusi është i lumtur. Ai vetëm pohon atë gjë që ndodh në Zakeun. Këtë gjë të tjerët nuk e shohin. Ata i kanë dëgjuar vetëm fjalët e Zakeut. Kështu mund të fliste vetëm njeriu që në zemrën e vet e përjetoj takimin me Hyjin. Në zemrën e Zakeut ndodhi shndërrimi. Të gjitha ato që thoshte nuk ishin asgjë tjetër përveçse një figurë e zbehtë dhe një jehonë e dobët e asaj që po përjetonte përbrenda. Edhe kur është fjala për gjysmën e pasurisë dhe për kthimin katër fish atyre që i dëmtoj, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse një jehonë e butë e plotësisë së jetës që po lulëzonte në të. Diçka e jashtëzakonshme ndodhi në shtëpinë e Zakeut, por diçka edhe më e jashtëzakonshme ndodhi ne zemrën e tij. Për Jezusin askush nuk është i humbur. Të gjitha thirrjet që i bëhen njeriut lindin në hirin që Hyji ju jep. Të gjithë kanë nevojë për shëlbim.

O Zot, a ka mundësi që të premtoj se do tu kthej me kaq zemërgjerësi njerëzve të cilët i kam dëmtuar? Nuk di a kam fuqi të mjaftueshme për këtë gjë? Ndoshta kam mundësi të bëj hapa të vegjël në takim me të tjerët; që t’i pranoj ashtu siç janë dhe tu ndihmoj që të realizohen në përngjasimin e Atit, më ndihmo se paku që ta bëj këtë gjë që kështu edhe në shtëpinë time sot të vij shëlbimi.

 

 


Current track

Title

Artist