MEDITIMI I DITËS – VETMIA

Written by on September 5, 2017

Lk 4, 38-44 VETMIA

 

Kërkoj hirin: që të dijë të rrijë në vetmi në takim personal me Hyjin.

 

Në atë kohë, 8 Jezusi si doli prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta e i bënë lutje për të. 39 Ai u përkul kah ajo, u urdhëroi etheve e ato e lëshuan. U çua aty për aty dhe u shërbeu.

Si hebre besnik, Jezusi shkon rregullisht në sinagogë që së bashku më të tjerët të kryej detyrat e veta si besimtar. Ajo që për të krishterët është kisha, për Hebrenjtë është sinagoga. Jezusi e nderonte sinagogën dhe i zbatonte sinqerisht dhe përpikërisht të gjitha kërkesat e Ligjit të Hyjit.

Pas përshpirtërisë fetare në sinagogë dhe pranisë në pjesën publike, shkon në shtëpinë e njërit prej nxënësve të vet, në pjesën private në një familje. Jezusi kishte kaluar kohë të gjatë në Nazaret, në rrethinë e nënës së vet Marisë dhe kujdestarit të vet Jozefit, në familjen e vet. Kur erdhi koha për veprimtari publike, u nda prej tyre. Gjatë kohës së predikimit të vet shpesh dinte të hynte në familjet e nxënësve të vet dhe të miqve. Shtëpia e Simonit u bë vend në të cilin Jezusi hynte shpesh. Aty dëshironte të pushonte dhe të gjente paqe në qetësi pas takimit me njerëz, ose pas lutjes që bënte në sinagogë. Në familjen e Simonit ndjehej si në mesin e të vetëve, ndjehej si në familje dhe në shtëpi të veten. Kur erdhi kësaj here, vjehrra e Pjetrit ishte e sëmurë. Të gjithë e lutën që t’i ndihmojë. Jezusi reagon menjëherë, e shëron dhe ajo ju shërben.

Të gjitha familjet tona do të duhej të jenë oaza, vende të paqes në të cilat të gjithë pjesëtarët e tyre ndjehen mirë. Mirëpo ketë mirësi duhet të kujdesën për ta ndërtuar të gjithë pjesëtarët e familjes së bashku. Edhe shoqërisë i duhet të ndihmojë familjet dhe t’i mbroj në këtë pikë kaq të rëndësishme. Prej saj varet më së shumti shoqëria e shëndosh, e mirë dhe normale. Fatkeqësisht, shumë herë gjërat nuk janë kështu. Si është familja ime? Çfarë bëj që në të të mbretërojë atmosfera e shëndosh dhe e mirë?

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që ishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme, i binin tek ai e Jezusi i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre. 41 Prej shumëkujt dilnin djajtë e thoshin: “Ti je Biri i Hyjit!” Jezusi u kërcënohej dhe ua ndalonte të flisnin, sepse e dinin se ai ishte Mesia.

Çfarë paraqitje ishte kjo në përfundimin e ditës në shtëpinë e Simonit! Një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë në këtë qytet. Njerëzit dëgjuan se Jezusi në sinagogë e kishte shëruar të djallosurin dhe se më vonë e shëroi edhe vjehrrën e Simonit. Shumë shpejt lajmi u përhap skaj me skaj të qytetit të Kafarnaumit. Kjo gjë mjaftoi që i tërë vendi të bashkohet më ata të sëmurë që erdhën për të kërkuar ndihmë. Kishte njerëz nën ndikimin e sëmundjeve të ndryshme. Jezusi kalon nëpër tumë, iu afrohet të sëmurëve, ndalet pranë tyre dhe i shtrinë duart mbi ta. Për një çast krejt dhimbja e Kafarnaumit u bashkua në të njëjtin vend. Secili i sëmurë e ndjeu dorën e Jezusit në trupin e vet. Secili prej tyre përjetoi takimin e paharrueshëm me Të. Ai i shëronte, i ngushëllonte dhe iu jepte kurajë. Ky ishte kalimi i mirësisë dhe dashurisë së Hyjit mes vuajtjes, sëmundjes dhe varfërisë që atë ditë në perëndimin e diellit doli para Jezusit në Kafarnaum. Kjo ishte dita e të sëmurëve. Ata më siguri nuk e harruan kurrë më.

O Zot, të falënderoj që i shëron njerëzit. Të falënderoj që njeriun e çliron prej të Keqit që e ka zotëruar dhe robëruar. Më ndihmo që edhe unë t’i bashkohem përpjekjes sate në luftë kundër gjithë asaj që njeriun e ndalon dhe e robëron në trup dhe në shpirt.

42 Kur zbardhi drita doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Turmat u vunë ta kërkojnë, e kur e gjetën, u munduan ta ndalnin të mos largohej prej tyre. 43 Ai u tha: “Më duhet ta shpall Ungjillin e Mbretërisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë punë jam dërguar.” 44 E predikonte nëpër sinagoga të Judesë.

Pas punës intensive apostolike, Jezusi, ndjen nevojë që të rrijë në vetmi të plotë. Para turmës që e kërkon Jezusin, ai tërhiqet në vetmi. Pas lutjes së përbashkët dhe publike në sinagogë, Jezusi dëshiron të lutet vetëm në qetësi në një vend të pabanuar. Këtu na tregon se nuk guxojmë që të na tërheq suksesi jonë dhe ta ndërtojmë popullaritetin tonë mes të turmës. Edhe pran njohjes dhe suksesit tek njerëzit, duhet ruajtur thjeshtësinë dhe duhet të dimë që të rrimë në vetmi me Atin tonë qiellor. Ai që arrijnë ta bashkojë punën e suksesshme apostolike më thjeshtësinë dhe përvujtërinë e vendit të pabanuar, ai e ka përvetësuar mënyrën e veprimit të Jezusit. Kjo gjë nuk është e lehtë as nuk është e thjeshtë. Suksesi shumë shpejt na mbart, ndërsa vetmia shumë shpejt na mërzitet. Na duhet ta lusim Zotërinë që të na japë zemrën e urtë që të jemi ndjekësit e tij të vërtetë.

Mirëpo, Zotëria nuk mbetet gjatë në vetmi dhe në heshtje. Njerëzit shumë shpejt e gjeten dhe dëshiruan të rinte vetëm tek ata. Fillimi i veprimtarisë publike të Jezusit është shumë interesant. Prej Nazaretit e përjashtuan, nga Kafarnaumi nuk e lejojnë për të dal. Në një kohë kaq të shkurtër njerëzit reagojnë në mënyra kaq të ndryshme. Jezusi shkon më tutje. As suksesi as mossuksesi nuk e ndalojnë vetëm në një vend. Ai erdhi për të gjithë. Ai dëshiron të jetë për të gjithë.

 


Current track

Title

Artist