MEDITIMI I DITËS – VEPRAT NË SY TË NJERËZVE
Written by Radio Maria on June 20, 2017
Mt 6, 1-6.16-18 VEPRAT NË SY TË NJERËZVE
Kërkoj hirin: që mos të bëj vepra të mira vetëm që të më shohin njerëzit.
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 1 »Ruajuni se i bëni veprat e mira tuajat në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.
Qortim i rëndësishëm. Ky është parimi themelor i jetës së krishterë. Drejtësia këtu do të thotë veprat e mira të cilat njeriun e bëjnë të drejtë para Hyjit. Kjo është ajo gjë për të cilën Jezusi pak më vonë do të flasë mënjherë në mësimin e vet: lëmosha, lutja dhe agjërimi. Përsëri e thekson qëndrimin e brendshëm në njeriun dhe në drjetim. Kur bëj diçka, nuk kërkoj që mënjëherë të marr shpërblimin dhe të më lavdërojnë. Nuk guxoj të kem frikë nga mossuksesi, qortimet, harresa dhe mosmirënjohja. Personi i pjekur e pranon edhe mossuksesin si diçka që i përket udhës jetësore.
Hyjit ia lë në dorë vlerësimin dhe notat. Mirëpo kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllem në vetvete dhe mos të kujdesem për ata që janë rreth meje në familje, bashkësi, në vendin e punës dhe në afërsi. Kjo nuk do të thotë se qëndrimi im është «nuk me intereson çka mendojnë të tjerët!» Mendimi i të tjerëve nuk do të më ndalojë në përpjekje rreth të mirës dhe drejtësisë për të cilat Jezusi flet këtu edhe atëherë kur mungon shpërblimi dhe pranimi. Më duhet t’i pëlqej Hyjit edhe kur të tjerët nuk me shohin, kur nuk me lavdërojnë dhe nuk me ndihmojnë. Atëherë i nënshtrohem gjykimit të Hyjit, që është më kërkues dhe më i vërtetë se ajo që njerëzit mund të thonë.
2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer burisë para vetes, sikurse bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për të qenë nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, mos të dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.«
Njeriu ka dëshirë ta tërheq vëmendjen mbi vetvete, dëshiron të tregohet dhe të jetë në qendër të vëmendjes. Për të gjitha këto punon dhe pret që të shihen. Shumë shpesh i bënë reklamë vetvetes. Fatkeqësisht, kjo vlen edhe për veprat e mira për të cilat flet Jezusi. Të tjerët duhet të shohin dhe të dëgjojnë çfarë ka bërë dhe sa ka dhuruar. Ende mund të kuptojmë nëse një vepër e mirë të tjerët e theksojnë, pa dëshirën e atij që e ka bërë, që të jetë nxitje për të gjithë. Mirëpo dyfytyrësia në veprat e bamirësisë është diçka që njeriun e deformon në orientimin e tij themelor ndaj Hyjit dhe të afërmit. Prandaj Jezusi dëshiron që këto vepra të bamirësisë të jenë vepra të dashurisë pa interes e jo vepra egoiste. Do t’i lutëm Zotërisë që veprat e mia të jenë të sinqerta dhe pa asgjë të jashtme dhe spektakolare. Do të falënderoj për ata që japin e nuk i bëjnë asnjë reklamë vetvetes.
5 »Kur të thoni uratë, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.
Lutja është gjëja më e bukur që del nga zemra njerëzore. Ajo është takimi i njeriut me Atin që i përket intimitetit më të thellë të njeriut. Çdo gjë që është vërtetë e jona nuk e vendosim para shikimeve kërkuese të të tjerëve. Edhe lutja mund të shndërrohet në shou. Nëse kërkon këtë gjë, ajo humbi përmasën e vet themelore të përvujtërisë dhe të besimit. Edhe kur lutemi me njeri-tjetrin publikisht, kemi mundësi të lutemi në thjeshtësi, në përvujtëri dhe me besim.
16 »Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kryet tënd dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi.
Edhe këtu e kemi qortimin e njëjtë. Çdo gjë që bëj në jetën time si besimtar, qoftë kur lutem, kur veprojë në bamirësi ose kur bëj pendesë, ka rëndësi që këtë ta shoh Ati im qiellor. Nuk guxoj ta bëj këtë gjë për ta promovuar vetveten. Sa shumë më duhet të lutem që ta mohoj vetveten dhe të jem i përvuajtur në jetën time si i krishterë! Asgjë e madhe dhe e vërtetë nuk ndodhi pa përvujtëri të sinqertë.
Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.«
Ky është refreni që përsëritet në këtë pjesë të mësimit të Jezusit. Hyji sheh atë gjë që është e padukshme, atë gjë që të tjerët nuk e shohin. Kjo është më e rëndësishmja. Nuk mendojmë këtu në kuptimin siç kur dëshirojmë t’i frikësojmë fëmijët se Hyji i shikon gjithmonë kur veprojnë, e sidomos kur gabojnë dhe bëjnë sherre. Ky mësim i Jezusit për fshehtësinë e Hyjit është krejt tjetër. Kjo fshehtësi është diçka krejtësisht pozitive që na nxit dhe na inkurajon në përpjekjet tona të mira. A thua askush nuk e pa të mirën që bëra? Është Dikush shikimit të të cilit nuk ka mundësi t’i shpëtojë asgjë që është bërë mirë sado e vogël dhe e parëndësishme të jetë. Në qoftë se nuk e mori syri i aparatit fotografik, që në këtë kontekst është mirë, nuk është e fshehur para syrit të Hyjit.