MEDITIMI I DITËS – VEPRAT E DASHURISË

Written by on June 30, 2017

Mt 8, 18-22 VEPRAT E DASHURISË

 

Kërkoj hirin: që të jem i gatshëm të kryej kërkesat e dërgimit apostolik.

 

Në atë kohë, 18 kur Jezusi e pa turmën e njerëzve që po e rrethonte, dha urdhër të kalojnë në anën tjetër. 19 Ndërkaq u afrua një skrib e i tha: »Mësues, do të vij mbas teje kahdo që të shkosh.«

Turma e populli vazhdimisht e përcjell Jezusin. Aty ka shumë zhurmë, pështjellim, rrëmujë dhe nervozizëm. Njerëzit duan që në çdo moment të ndodh diçka re. Njerëzit e veçantë dëfrehen kur janë në shoqëri të Jezusit, siç janë për ne sot shtegtimet që janë rast për turizëm, blerje dhe vizitë atyre vendeve që ende nuk i kanë parë. Besimi dhe lutja për këta njerëz nuk kanë rëndësi, janë dytësore. Jezusi ndjen që njerëzit i kanë disa interesa personale prandaj dëshiron «të kalojë në anën tjetër» në vetmi.

Pa çaste të heshtjes dhe largim në vetmi jemi në rrezik që jeta jonë të bëhet tepër e zhurmshme dhe sipërfaqësore. Pa këtë gjë besimi dhe jeta jonë shpirtërore është në rrezik edhe më të madh. Kur jeta shndërrohet në vrapim, kur ritmi i saj na zë frymën, atëherë nuk kemi mundësi të takohemi me vetveten, edhe më pak mund të takohemi me Hyjin. Atëherë humbim drejtpeshimin e jetës dhe jemi në zbritje e cila më shumë e ndihmon shpejtësinë me të cilën vrapojmë. Më duhet të ndalem, të qëndroj në meditim për të gjitha gjërat që bëj e në të cilat e shpenzoj jetën time.

Ja njeriu i parë i cili i ofrohet Jezusit për të shkuar pas tij. Ndoshta dëshiron të jetë nxënës i tij? Nuk ofrohet kush do, nuk është njeri bredhës që dëshiron të jetë në rrugë vazhdimisht, që e intereson dëfrimi dhe shoqëria e gëzueshme. Ky njeri është një skrib. Njeri i ditur. I njeh Shkrimet dhe për to i mëson të tjerët. Mos hetoj në Jezusin diçka të veçantë që të tjerët nuk e kishin? A vërejti se Jezusi mund ta mësonte për diçka që të tjerët nuk patën mundësi ta mësojnë? Ai e dinte se Jezusi nuk e kishte kryer asnjë shkollë të veçantë për shpjegimin e Shkrimeve. Por, ai i shtjellonte ato. Këtë gjë e bënte krejt ndryshe nga skribët e tjerë duke braktisur mënyrën e zakonshme që përdornin ata dhe si bënte edhe ky vetë. Jezusi në këtë gjë është origjinal. Qartë, të gjitha këto e tërhoqën dhe e afruan tek Jezusi.

20 Jezusi i përgjigji: »Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet.«

Vërtetë, Jezusi është i ndryshëm nga të gjithë rabinët dhe skribët që u paraqitën ndonjëherë para dhe pas tij. Ai është i ndryshëm më së shumti sepse personalisht i thërret nxënësit e vet, nuk është si mësuesit tjerë që i kanë shkollat e veta në të cilat vijnë nxënësit që rabinët t’i pranojnë dhe t’i mësojnë. Në këtë mënyrë edhe ky skrib iu afrua Jezusit. Jezusi vet i zgjedh ata që do. Nuk ia lë në dorë zgjedhjen nxënësit, por ai e thërret dhe e lë të lirë që të përgjigjet ose mos të përgjigjet.

Jezusi ia tërheq vërejtjen skribit për stilin e jetës që ka. Nuk ka shtëpi, nuk ka vendbanim të përhershëm, ndërsa për shkollën nuk flet aspak. Ai është vazhdimisht në rrugë, vazhdimisht është në lëvizje. Këtë gjë e kërkon edhe prej nxënësve të vet. Edhe kafshët janë më të përkujdesura se ai. Jezusi nuk ka asgjë dhe pikërisht për këtë gjë mbarë bota është e tij.

Njeriu në vetvete mbartë dëshirën e thellë për siguri dhe përkujdesje. Dëshiron ta ketë shtëpinë, familjen, pasurinë dhe vendbanimin. Të gjitha këto njeriu sot i siguron në shoqëritë e sigurimit. Disa sportistë kanë mundësi në mënyrë të veçantë t’i sigurojnë këmbët ose duart e veta. Pranë të gjitha këtyre, njeriu ndonjëherë nuk ka qenë më i pasigurt dhe më me papërkujdesje. Se sa është njeriu i rrezikuar dhe i pa sigurt, ndoshta më se miri tregojnë shoqëritë e shumta të sigurimeve.

Të shkosh pas Zotërisë do të thotë t’i braktisësh të gjitha dhe të vetmen siguri ta kesh në të. Kjo do të thotë vërtetë të jesh nxënës i tij. Ku është mësuesi, aty është edhe nxënësi i tij. Po ku e kërkoj unë sigurinë në jetën time?

21 Një tjetër nga nxënësit e tij tha: »Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë.« 22 Jezusi i përgjigji: »Eja pas meje e lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet!«

Nxënësi që u nis pas Jezusit duhet të jetë i gatshëm të braktis çdo gjë. Jo vetëm të mirat materiale që sikurse Jezusi mos të ketë as ku ta pushojë kryet, por edhe familjen dhe njerëzit më të afërm. Dërgimi për nxënësin do të jetë ndonjëherë aq kërkuese sa që do t’i duhet realisht t’i jetojë këto fjalë të Jezusit dhe nuk do ta ketë të mundur ta kryej as detyrën e vet natyrore, të bëj varrimin e më të afërmve. Do t’i duhet të lejojë që të vdekurit «t’i varrosin të vdekurit e vetë». Jezusi mbetet kërkues gjatë gjithë veprimtarisë së vet publike, e tillë do të jetë fjala e tij deri në përfundimin e shekujve.

 


Current track

Title

Artist