MEDITIMI I DITËS – VEPRAT E DASHURISË
Written by Radio Maria on March 3, 2017
Mt 25, 31-46 VEPRAT E DASHURISË
Kërkoj hirin që të kthehem, që të bëj vepra konkrete dashurie: të vizitoj, të ndaj, të vesh…
31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
Fjala e Hyjit dëshiron të na bëjë të vetëdijshëm për diçka që e përjetojmë në çdo çast, diçka që është tepër e rëndësishme në jetën tonë, e fatkeqësisht për këtë gjë mendojmë aq rrallë. Kjo është gjendja kalimtare e jetës. Ky është fundi i historisë sime personale dhe i historisë së mbarë botës. Nuk duam të mendojmë për gjendjen tonë kalimtare dhe për përfundimin e jetës tonë. Përkundrazi, mundohemi që ta zgjasim dhe dëshirojmë të jetojmë sa më shumë vjet këtu mbi tokë. Mirëpo, është e vërtetë se jeta e secilit prej nesh udhëton drejt mbarimit, kjo është e vërteta më e madhe për cilindo prej nesh. Çdo gjë kalon. Edhe jeta ime e ka fundin e vet. Po, do të vijë në fund Biri i njeriut dhe do ta japë gjykimin e Tij për të gjithë njerëzit. Të gjithë njerëzit do të jenë të pranishëm. Çfarë mbledhje e mrekullueshme do të jetë kjo! Aty do të jenë të gjithë njerëzit që ishin përpara dhe që do të jenë pas meje. Do të jenë aty të gjithë ata njerëz me të cilët kam jetuar, të cilët me kanë edukuar, më kanë mësuar, të gjithë ata për të cilët kam pasur përgjegjësi.
Do të jenë aty, besimtarët dhe të pafetë, të pasurit dhe të varfrit, të diturit dhe të paditurit, zotërinjtë dhe shërbëtorët. Por, atëherë, të gjithë do të jenë plotësisht të barabartë para Hyjit. Kënga Dies irae, dies illa – Ajo ditë, ditë trishtimi – këndon në mënyrë dramatike për këtë ditë dhe për këtë takim. Do të jetë kjo një ditë serioze, ditë në të cilën gjithçka do të vihet në peshore dhe do të gjykohet në dritën e Hyjit dhe me drejtësinë e Tij. Për këtë gjë, duhet të përgatitemi gjatë jetës sonë, këtu dhe tani.
Një ditë, unë personalisht do të jem para Zotit. Atëherë, do ta shoh në mënyrë të qartë jetën time dhe të gjitha veprat e mia. Prandaj, është e nevojshme që gjatë kësaj jete të mendoj për mendimet, fjalët dhe veprat e mia «sub specie aeternitatis» – «nën dritën e amshimit».
O Zot, më ndihmo që të mos harroj se në këtë jetë jam vetëm kalimtar. Këtu jam si në urë, nëpër të cilën kaloj për të arritur te Ti, që të kthehem te Ti. Mendimi për amshimin le të më bëjë më serioz, që të di të dalloj gjërat e rëndësishme e me vlerë dhe çfarë është e parëndësishme dhe e pavlerë në jetën time.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’ 37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish?’
Atë ditë do të bëhet provimi i fundit në jetë. Ky është provimi që përcakton fatin jetësor të secilit prej nesh. Ky është provimi i dashurisë sonë të vërtetë dhe reale. Aty Zoti nuk do të na pyesë për diplomë, karrierë, suksese, mossuksese, përkatësi kombëtare, por për dashuri, për dashurinë konkrete që e kemi treguar ndaj atyre që u kemi dhënë për të ngrënë kur ishin të uritur dhe kur trokitën në derën tonë; atyre që qenë të etur dhe ne ia dhamë një gotë ujë të freskët; atyre që i pranuam në shtëpi kur ishin pa strehë, pa kulm mbi kokë; atyre që i veshëm me petkat tona; atyre që i vizituam në spital dhe në burg.
Zotëria i historisë, në fundin e historisë, e thekson sërish vlerën e secilit njeri, sidomos të njerëzve në nevojë, që janë të nëpërkëmbur dhe të përjashtuar nga shoqëria. Ai njëjtësohet dhe identifikohet me secilin prej këtyre njerëzve.
O Zot, unë nuk di t’i sodis në këtë mënyrë njerëzit rreth meje. Më ndihmo që në njerëzit e tjerë, sidomos në ata që kanë nevojë, të di të të dalloj dhe të të pranoj Ty. Më ndihmo që ta kuptoj se vetëm në këtë mënyrë mund të përgatitem për provimin e fundit të jetës sime, provim prej të cilit varet amshimi im. Le të më japin guxim fjalët e tua: «Ejani të bekuarit e Atit tim…».
41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’ 44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur”.
Këto janë fjalë tepër serioze. Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj shëmbëlltyre, as për ndonjë figurë të bukur letrare. Këto fjalë duhen kuptuar fjalë për fjalë. Në fundin e jetës sonë, në takimin me Zotin, më duhet të ballafaqohem para Tij për qëndrimet e mia ndaj të afërmit dhe ndaj atyre që kanë qenë në nevojë dhe kanë pritur prej meje që t’u ndihmoj. Fatkeqësisht, unë mund të kaloj afër atyre që kanë nevojë për mua, mund të mos e dëgjoj trokitjen e tyre në derën time, lutjen e tyre mund ta tejkaloj dhe për dhimbjen e tyre mund të jem i pandjeshëm. Këtu fillon tragjedia e jetës, duke nisur nga kjo tokë, sepse kështu njeriu mbyllet në vetvete. Kush nuk arrin të kthehet drejt tjetrit dhe të hapet para të afërmit, vazhdimësia e tij është logjike edhe në amshim: pa dashuri, jam njeri i izoluar nga Hyji dhe nga njerëzit. «Ikni prej meje…».