MEDITIMI I DITËS – VENDI I PARË DHE I FUNDIT 

Written by on November 2, 2018

Lk 14, 1.7-14 VENDI I PARË DHE I FUNDIT

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj si duhet domethënien e përvujtërisë dhe ta jetoj!

 

14 1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

            Askush si Jezusi nuk u takua me të gjitha kategoritë dhe nivelet e njerëzve. Në çdo kohë pati ndarje mes njerëzve. Në disa kohëra kjo gjë ishte e përcaktuar mirë dhe njerëzit i përmbaheshin rreptë kësaj ndarjeje. Koha jonë dëshiron të lavdërohet me arritjet demokratike, por pranë kësaj në të janë  ndarjet e fshehta mes njerëzve siç nuk ishin në asnjë kohë tjetër më parë. Sot njerëzit janë shumë të kujdesshëm se ku dhe kur do të paraqitën, kë do të thërrasin e kë jo… Edhe sot ekzistojnë njerëz të cilët nuk vijnë në takime në qoftë se janë të ftuar “disa”. Jezusi nuk u përmbahej këtyre ndarjeve dhe për këtë arsye e kritikonin. Takohej me mëkataret dhe më tagrambledhësit, me gratë në zë të keq për shkak të sjelljes së tyre. Takohej me njerëzit e zakonshëm dhe me ata që e konsideronin veten të drejtë dhe të pastër siç ishin farisenjtë dhe pjesëtarët e Këshillit të lartë. Për të askush nuk ishte i papranueshëm as i paprekshëm, pa vlerë dhe i padenjë.

            Këtë e shohim në shtëpinë e një prijësi të farisenjve. Është e shtunë dhe koha e drekës. Pas takimit festiv në sinagogë, ditën e Zotërisë, vjen gjithashtu takimi festiv në familje rreth tryezës. E priti një njeri i rëndësishëm, prijësi i grupit të farisenjve. Kur Jezusi është te këta njerëz gjithmonë ndodh diçka e veçantë.

            O Zot, të falënderoj që nuk refuzon askënd kur të fton dhe askënd nuk e tejkalon për shkak të përkatësisë së tij një grupi të veçantë. Ti je i hapur para të gjithëve. Ne jemi ndarë shumë dhe në këtë mënyrë bëjmë gara me njëri-tjetrin. Ti je i gatshëm të rrish në shoqëri të mëkatarëve dhe të tregosh se ke ardhur për ta. Ti nuk i refuzon as ata që konsiderojnë veten të drejtë dhe të pastër e nuk komunikojnë me “mëkatarët”. Edhe unë i kam, o Zot, “grupet” e mia me të cilat shoqërohem duke i shmangur ata që nuk ju përkasin dhe nuk mendojnë sipas masës sime. Sa shpesh di për të tjerët të flas prej së larti. Më ndihmo që të di të shmang të keqen dhe të Keqin, e njerëzit mos t’i gjykoj prej së jashtmi, por në ta të shikoj paraqitjen tënde dhe përngjasimin tënd.

8 “Kur ndokush të të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë që duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. 10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”

            Jezusit i pëlqente t’i shikonte njerëzit dhe të shihte se si sillen çfarë bëjnë, çfarë flasin, ai i kuptonte dhe mendimet e tyre, dinte çfarë mendonin. Nuk e bënte këtë gjë për arsye se dëshironte të dinte diçka siç bëjmë ne. As për këtë gjë t’u fliste të tjerëve, siç përfolim ne njëri-tjetrin. Ai këtë gjë e bënte vetëm për të mirën e njeriut, sepse dëshiron t’i thotë diçka dhe t’i tregojë diçka. Edhe këtu në shtëpinë e prijësit të farisenjve vijnë njerëzit me ndikim dhe ata që janë të rëndësishëm në shoqëri. Menjëherë ulen në vendet e para. Ata këtë gjë e kanë të qartë dhe kjo gjë është e kuptueshme për të gjithë. Gjithmonë kishte njerëz shumë të rëndësishëm që kishin vendet e tyre të privilegjuara. Përsëri, Jezusi paraqet sjelljen ndryshe. Sa e dallueshme është kjo nga sjellja që shohim rreth vetes e të cilën edhe ne vetë e kemi! Ai na flet për thjeshtësinë dhe përvujtërinë. Ai vetë nuk e mbajti për vete barazinë me Hyjin por erdhi në mesin tonë si shërbëtor, siç na tha këtë gjë në mënyrë të mrekullueshme Shën Pali.

            O Zot, sa shumë kemi dëshirë të jemi të parët, të rëndësishëm dhe në qendër të vëmendjes. Na pëlqen të dalim në televizion, gazeta, në vendet e njohura dhe në pritje të rëndësishme. Të gjitha këto janë shenjë e lavdit dhe të mendjemadhësisë tonë. Ti nuk na mëson që të jemi të tillë. Këtë gjë e kuptojmë vështirë e pak kush prej nesh vjen pas teje. Pushimet mbaruan dhe po fillon viti i ri shkollor do marrim detyrat tona të përditshme. Kaq shumë raste kemi t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Na ndihmo që të dimë ta pranojmë këtë gjë, që të jemi në rrugën dhe në shkollën tënde.

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.”

            Jezusi kthehet drejt atij që e ftoi. Ka diçka për t’i thënë. Nuk e priti këtë qortim nga mysafiri i tij. Për Jezusin është më e rëndësishme që njerëzve t’u tregojë gabimet e tyre dhe qëndrimet se sa mikpritja e rrejshme dhe sjellja sipërfaqësore. Nuk ka rëndësi se çfarë do të mendojnë ata dhe si do ta shikojnë prijësi i farisenjve që e kishte ftuar dhe i kishte përgatitur të gjitha. Ai vërtetë kishte ftuar vetëm njerëzit e rëndësishëm dhe të njohur. Më siguri edhe ata do ta kenë ftuar ndonjëherë. Kështu tani ua kthen dhe në këtë mënyrë vazhdon lëvizja në qark pafund. Në këtë mënyrë njerëzit dinë të mbeten në botën e tyre dhe në këndin e tyre. Nuk kanë ndjenja për ata që janë jashtë, për ata që kanë nevojë dhe vuajnë nga skamja. Jezusi dëshiron të na nxjerrë nga ky qark dhe ky kënd në të cilin jemi strehuar.

             O Zot, të falënderoj që dëshiron të na nxjerrësh nga rrugët dhe sjelljet që tashmë i kemi mësuar. Ti do që të jemi të hapur njëri para tjetrit dhe në shërbim të njëri-tjetrit. Me ndihmo që t’i shoh të gjithë ata që presin prej meje që të jem gjithmonë në shërbimin e tyre. Më jep fuqi që këtë gjë ta pranoj dhe ta zbatoj.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend