MEDITIMI I DITËS – USHQIMI QË NUK PRISHET

Written by on April 15, 2018

Gjn 6, 22-29 USHQIMI QË NUK PRISHET

 

Kërkoj hirin që të besoj se Jezusi është ushqimi i jetës së pasosur.

 

«22 Të nesërmen, populli që kishte zënë vend matanë detit, pa se aty s’ishte veçse një lundër dhe se Jezusi nuk kishte hyrë në lundër bashkë me nxënësit e tij por nxënësit ishin nisur vetëm.»

Njerëzit shikonin me kujdes se ku shkonte Jezusi dhe çfarë bënte. Ata panë se si nxënësit u nisën vetëm pa Jezusin. Ai shkoi në anën tjetër, krejtësisht vetëm, në mal. Turma mbeti aty që të takohej përsëri me Të. Donin ta bënin mbret të vetin. Njerëzit flisnin për këtë gjë me njëri-tjetrin. Prisnin që të kthehej nga mali. Kjo ishte koha e haresë së madhe dhe e pranimit të Jezusit. Njerëzit ishin të kënaqur me veprat që i kryente Jezusi. Ai mund t’i ushqente dhe t’i shëronte. Ai është më i fortë se vdekja dhe i keqi. Ata nuk kërkonin asgjë tjetër. Kjo mjaftonte që ta kishin jetën e lumtur.

«24 Kur njerëzit panë se aty nuk ishte Jezusi as nxënësit e tij, hynë në lundra dhe kaluan në Kafarnaum për të kërkuar Jezusin.»

Jezusi nuk u kthye siç e kishin «planifikuar» njerëzit. Njerëzit e kërkonin dhe dëshironin ta shihnin për përfitim personal. Jezusi përpiqej që t’i ngrinte dëshirat e tyre drejt idealeve më të larta, drejt nevojave më të rëndësishme. Ai nuk erdhi që t’i ushqente njerëzit me bukë, nuk erdhi që t’i zgjidhte problemet e përditshme dhe materiale të njerëzve. Ai e bënte edhe këtë gjë. Mirëpo, njerëzit ndaleshin vetëm këtu, te këto probleme. Ishin të gatshëm që ta kërkonin menjëherë Jezusin për shkak të këtyre interesave.

O Zot, Ti e di se kemi nevojë për ushqim dhe veshje. Kemi nevojë që ta kemi shëndetin, me qëllim që t’i përmbushim detyrat tona në mënyrë normale. Na duhet që të kujdesemi për ushqimin tonë, për shëndetin dhe veshjet. Mirëpo, as kuptimi e as qëllimi i jetës tonë nuk është në to. Këto gjëra vetëm sa na ndihmojnë që ta mbartim dhe ta ndërtojmë më mirë pjesën tjetër të jetës tonë. Përmasa shpirtërore e qenies tonë nuk duhet të lihet pas dore për shkak të nevojave të trupit.

«25 Kur e gjetën në anën tjetër të detit, i thanë: “Rabbi, kur erdhe këtu?” 26 Jezusi iu përgjigj: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: më kërkoni, jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë.»

Njerëzit nuk dinin asgjë se çfarë ndodhi atë natë në det. Nuk e dinin se çfarë kishin përjetuar nxënësit. Jezusi nuk iu përgjigj pyetjeve të tyre. Nuk iu shpjegoi se çfarë kishte ndodhur atë natë. Nuk ishte e nevojshme. Këtë e përjetoi vetëm Ai dhe nxënësit e Tij. Mirëpo, Ai ishte shumë i hapur para njerëzve. E ndjente në shikimet, dëshirat dhe kërkimet e tyre përpjekjen që ta bënin mbret tokësor. Natën e kaluar, pikërisht për këtë gjë u largua prej tyre. Këtë gjë e përjetonte si tundim të Satanit, që dëshironte t’ia ofronte rrugën më të lehtë nga ajo që ia ofronte Ati. Ky ishte tundimi i ri dhe i fortë që e përjetoi Jezusi e të cilën e refuzoi me vendosmëri, ashtu siç bëri edhe me tundimet në shkretëtirë.

O Zot, unë të kërkoj aq shpesh që t’i plotësosh nevojat e mia. Të lutem që të kem sukses në këtë e në atë punë, të lutem që ta kaloj provimin, të lutem që të shërohem, të lutem që ta përmirësosh mirëqenien time, të lutem… Ti më thua: më kërkon, sepse do që të ngihesh me bukë! Më fal kur nuk di të lutem ndryshe. Më fal kur unë të kërkoj vetëm për t’i plotësuar nevojat e mia të kësaj bote. Dua që ardhja ime te Ti të jetë më shumë e mbartur nga feja, që të mos lutem tepër shumë për gjërat e kalueshme, por të besoj dhe të jem i gëzueshëm pasi emrin tim e shkrove në shuplakat e duarve të Tua.

«27 Veproni, por jo për ushqim që prishet, por për një ushqim që qëndron për jetën e amshueshme: atë do t’jua japë Biri i njeriut, sepse këtë e vulosi Ati ‑ Hyj.»

Këtë gjë e kërkonte Jezusi prej tyre, që të mos mendonin vetëm në ushqimin që prishet! Ekzistojnë dy përmasa të të jetuarit dhe dy lloj «ushqimesh»: njëri është për jetën e kalueshme, tjetri për jetën e amshuar. Edhe njëri, edhe tjetri ushqim janë të nevojshëm. Prapëseprapë, Jezusi erdhi për shkak të ushqimit që nuk prishet, ushqimit që dhuron jetën e pasosur. Çdo ushqim tjetër e le njeriun të uritur dhe nuk mund ta mbrojë. Jezusi e jep atë ushqim që e ngop plotësisht njeriun. Të punosh për këtë ushqim të shpirtit, është më e rëndësishme se çdo betejë që bëjmë për bukën e përditshme!

«28 Atëherë ata i thanë: “Çka na duhet të bëjmë për t’i kryer veprat që kërkon Hyji?” 29 Jezusi iu përgjigj: “Vepra që Hyji kërkon është kjo: besoni në Atë që Ai e dërgoi.»

Pyetja e njerëzve i drejtohet qëllimit të parë. Çfarë duhet të bëjë njeriu që veprat e tij të jenë të Hyjit? Çka i ndihmon njeriut që të jetë bashkëpunëtor i Hyjit? Jezusi është i qartë: besimi në Atë që Hyji e dërgoi i jep kuptim jetës sonë. Me fe hyjmë në afërsinë e Hyjit dhe rrimë në mjedisin e tij. Mirëpo, kjo nuk është kurrfarë feje e përgjithshme dhe e mjegulluar në Hyjin, që është diku larg dhe neve na dorëzon në duart e kësaj toke, e ne ia dorëzojmë Hyjin qiellit të tij. Kjo është feja konkrete në Hyjin që e dërgoi Birin në botë që të na shëlbojë. Kjo është feja në Hyjin që dërgon Shpirtin Shenjt për të na ndihmuar në realizimin e shëlbimit tonë. Nëse nuk e besojmë këtë gjë, atëherë feja jonë nuk është fe e Besëlidhjes së Re, të cilën Jezusi e pret prej nesh.

 

 


Current track

Title

Artist