MEDITIMI I DITËS – USHQIMI I TË KRISHTERIT

Written by on February 10, 2017

Mk 8, 1-10 USHQIMI I TË KRISHTERIT

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj se pa ushqimin eukaristik nuk mund të jetoj si i krishterë.

 

1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha: 2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë. 3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”

Në shikim të parë na duket se Shën Marku na përshkruan gjithmonë të njëjtën gjë. Kudo që është Jezusi, rreth tij bashkohet turma e njerëzve. Sot ai nuk përmend fare as vendin në të cilin gjendet Jezusi. A është ky ndonjë vend pagan? Ndoshta edhe atje dëshiron më anë të një mrekullie të shpall paraprakisht sakramentin e Eukaristisë?

Nuk ka rëndësi se ku gjendet Jezusi. Skena vërtetë përsëritet. Njerëzit e kërkojnë Jezusin, ndërsa ai i mëson dhe u ndihmon në nevojat që kanë.

Edhe në këtë rast e shohim angazhimin e Jezusit për njerëzit. Ai i sodit në zemrën e vet dhe e ndjen dhembshuri për ta. Ai ka dhembshuri për popull, sepse nuk është as i lumtur as i kënaqur. Ai e di se njeriu është i krijuar për lumturi, gëzim dhe plotësinë e jetës. Mirëpo, kjo gjë është aq pak e pranishme në jetën e njerëzve. Fatkeqësisht, shumë shpesh ata këtë gjë e kërkojnë në rrugë dhe në mënyrë krejtësisht të gabueshme. Prandaj Jezusi duke shikuar njerëzit që vijnë tek ai, askurrë nuk mund të mbetet i pa ndjeshëm ndaj tyre. Kësaj here tri ditë i kaluan me të dhe nuk kanë çka të hanë. Disa kanë ardhur prej së largu. Ka mundësi të jenë bashkuar tek Jezusi shumë pagan dhe Jezusi është edhe në vendin e tyre.

4 Nxënësit e tij iu përgjigjën: “E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?” 5 Ai i pyeti: “Sa bukë keni?” “Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata. 6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit.

Nxënësit nuk dinë si ka mundësi të ushqehet krejt kjo turmë e njerëzve. Vendi është i shkretë dhe nuk ka asnjë mundësi të gjendet aty kaq shumë bukë. Jezusi i pyet. Dëshiron që edhe ata ta ndjejnë barrën e përgjegjësisë. Duhet të mësohen që të kujdesën për të tjerët, që të kujdesën për bashkësinë. Ata do ta marrin përgjegjësitë për bashkësitë kur përpara të ngjiturit të tij në qiell do t’i dërgojë për të predikuar në botën mbarë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë. Sikur e kanë harruar plotësisht shumëzimin e parë të bukëve.

Jezusi dëshiron që ata të jenë pjesëmarrës në këtë ngjarje. Që mos të jen shtatore që janë këtu vetëm për ta rritur numrin e njerëzve që spektakli të jetë sa më i dukshëm. Jezusit nuk i nevojitën nxënësit që vetëm shikojnë. Nxënësit e tij kanë gjithmonë mundësi të angazhohen për të ndihmuar. Kanë mundësi të shërbejnë më anë të dashurisë së madhe vëllazërore edhe atëherë kur janë të lodhur. Këtë gjë Jezusi do ta theksojnë shumë shpesh gjatë predikimeve të veta.

Jezusi e bekon bukën dhe ua ndanë nxënësve që t’ua japin njerëzve. Të njëjtën gjë e bën edhe me peshqit. Çdo gjë ishte e mjaftueshme. Njerëzit hëngrën dhe u nginë.

O Zot, po të lutem për të gjithë ata që kanë përgjegjësi për të tjerët në familje dhe në bashkësi të ndryshme. Kanë kujdese të mëdha dhe nuk e kanë aspak të lehtë që ta mbartin këtë barrë. Ndihmoju që t’i shohin nevojat e bashkësisë. Ndihmoju që të dinë të shohin dhe të dëgjojnë sa herë që vëllezërit dhe motrat e tyre kanë nevojë. Bëj që të dinë në kohën e duhur të kryen ato detyra që i përmban përgjegjësia që kanë për ta. Bëj që në të njëjtën kohë asnjëherë mos të ndjehen të vetmuar, por gjithmonë ta kenë afër mirësinë e bashkëpunëtorëve në të cilët kanë mundësi të llogarisin e të cilët do t’i ndihmojnë në kujdesin që kanë për të tjerët.

7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë. 8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta. 9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë. 10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

Buka që teproi i mbushi shtatë shporta. Në numrin e shtatë të shportave të mbushura me bukë që teproj, dallojmë simbolikën e numrit të plotësisë. Kur Jezusi jep, kjo është dhurata e mbushullisë. Akujt nuk ia mohon këtë dhuratë, askënd nuk e lë pa u kujdesur për të. Kur Jezusi jep, gjithmonë tepron me shumicë. Këtu kemi përngjasimin e Kungimit, bukës tjetër që do të thyhet gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Kjo bukë gjithmonë do të jetë e mjaftueshme. Njerëzit do të vijnë e do të ulën në Tryezën e Zotit dhe do ta hanë Bukën e Jetës që do ta ushqej jetën e tyre. Kjo është fshehtësia e Kungimit.

O Zot, bëj që gjithmonë të vijë e të ulem në tryezën tënde të cilën vazhdimisht e shtron për të gjithë ne. Ti e dhuron vetveten si ushqim. Këtë gjë askurrë nuk do ta kuptoj aq sa duhet. Gjithmonë do të më befasosh. Po të falënderoj që e zgjodhe këtë mënyrë kaq të thjeshtë që të rrish në mesin tonë. Po të falënderoj që në dukjen e bukës dhe të vërës kemi mundësi ta hamë mishin dhe ta pimë gjakun tënd. Këto janë shenjat e shëlbimit tonë, këto janë shenjat e flijimit tënd nëpër të cilin na dhurove çdo gjë që pate mundësi të na dhurosh.

 


Current track

Title

Artist