MEDITIMI I DITËS – “U NGRIT DHE SHKOI TE BABAI I VET!”
Written by Radio Maria on March 29, 2019
E diela e katërt e kreshmeve – C
Lk 15, 1-3; 11-32 “U NGRIT DHE SHKOI TE BABAI I VET!”
Kërkoj hirin: që me gatishmëri të ngrihem dhe të nisem te Ati!
15 1 Në atë kohë të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin: “Ky i pranon mëkatarët thoshin dhe po ha me ta.”
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 11 Pastaj vijoi: “Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. 14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. 17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim ati u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’ 20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir…!’ 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vërjani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e priteni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.
Kjo është njëra ndër shëmbëlltyrat më të bukura që është treguar ndonjëherë. Jezusi nuk e tregon për t’i kënaqur dëgjuesit e vet. Kjo shëmbëlltyrë përmban porosinë më të gëzueshme që patëm mundësi të dëgjojmë. Kjo me siguri është njëra ndër faqet më të bukura të Biblës. Kjo është një lloj drame që ka dy akte, drama që ka përfundim pabesueshmërisht të bukur. Edhe pse bëhet fjalë për dy bijë, personi qendror i kësaj shëmbëlltyre është ati, i mirë, plangprishës, i mëshirshëm, që fal, do pafundësisht, kujdeset, vuan, gëzohet… Kishte dy djem.
Ky është akti i parë i dramës. U drejtohet të gjithë atyre që ndjehen plangprishës dhe mëkatarë dhe e njohin veten në djalin e vogël. Ai kundërshton dhe e imagjinon jetën ndryshe. Nuk duron më të jetojë nën çatinë e atit. Tek ai shikon vetëm caktimet dhe detyrat. Ndjen veten të ngushtuar. Dëshiron të shkojë e ta shohë botën, do të jetë i lirë dhe i pavarur. Dhe këtë gjë e realizon. Ati ia dha pjesën e tij, shumë shpejt e shkapërderdhi dhe mbeti pa asgjë. Atëherë filloi të shoh se nën çatinë e shtëpisë së atit nuk ishin vetëm caktimet dhe detyrat. Nën atë çati askush nuk vdes nga uria. Buka ju mjafton dhe ju tepron të gjithëve. Këtu në tokën e dëshirave dhe të lirisë ai ka mundësi të vdes urie dhe këtë gjë mos ta shohë askush. Në vështirësi mendon ndryshe nga ajo që mendonte kur ishte në shtëpi. Dëshiron të kthehet. Pranon fajin e vet. Nuk fajëson askënd as nuk shfajësohet. Tani është i sinqertë dhe i ndershëm. Ka guxim ta pranojë fajin e vet dhe të kërkojë falje. Pendohet. Kjo gjë mjafton për fillimin e ri. Ai nuk pati mundësi as të ëndërrojë si do ta pres Ati.
O Zot, të falënderoj që je kaq i mëshirshëm dhe i mirë. Të falënderoj që na pret dhe nuk lodhesh duke pritur. Del para nesh dhe na pret me duar të hapura. Si të mos kishte ndodhur asgjë. Prapëseprapë, ndonjëherë kam frikë të kthehem. Ose nuk dëshiroj. Më vjen keq! Më ndihmo që të di të të them: “Atë mëkatova kundër teje e kundër të tjerëve!” Pastaj të bëj atë hap të cilin askush në vendin tim nuk ka mundësi ta bëj: të ngrihem dhe të kthehem te ti. Le të ndodhë kjo gjatë këtyre kreshmëve.
25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky djali yt që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro i tha i ati ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky vëllai yt pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“
Ky është akti i dytë. Kur djali i madh dëgjoj se po gëzohen për shkak të kthimit të vëllait të vogël, u zemërua. Nuk dëshiron të Hyj në shtëpi. E padit atin për mirësinë e tij, për shkapërderdhje dhe falje. Në hidhërim dhe vetjaki e kundërshton babën: kaq shumë harxhon për këtë plangprishës, ndërsa ati nuk i jep asnjë cjap që të gëzohet. Babai del edhe para tij dhe i lutet që të Hyj dhe të gëzohet së bashku me ta. Edhe ky djalë ishte larg Atit edhe pse kishte mbetur nën çatinë e Atit.
Kjo pjesë e shëmbëlltyrës iu përket farisenjve dhe skribëve të cilën murmurojnë kundër Jezusit që ha dhe shoqërohet me mëkatarët. Po, këta janë bijtë konkret të cilët çdo gjë zbatojnë sipas ligjit, por nuk kanë dashuri. Pa asnjë dyshim, jeta e djalit madh është më e ndershme dhe më e drejtë se ajo e djalit vogël. Por këtij i mungon dashuria në punën që bën. Të gjitha i kupton si detyrë caktim prandaj nuk është i disponuar mirë dhe vetëm kritikon.
O Zot, dua të ngrihem e të vij te ti. Qoftë kur është kjo diku larg, në një tokë tjetër të huaj në të cilën jam i uritur dhe e kam harxhuar krejt trashëgiminë tënde, qoftë nëse jam në pragun e derës së shtëpisë dhe mosfalja me ndan nga bashkësia me ty. Ti të gjithëve na thërret nga ato vende ku pikërisht ndodhemi tani. Na thërret nga mosbesimi jonë, nga lodhjet tona, kufizimet tona, ndoshta edhe nga ndonjë mëkat i veçantë. Më ndihmo që edhe unë të di ta pranoj tjetrin dhe ta fal. Kur i shikoj sinqerisht mëkatet e mia, atëherë nuk kam arsye të shikoj mëkatet e të tjerëve.