MEDITIMI I DITËS – TRINIA E SHENJTË

Written by on June 14, 2019

Gjn 16, 12-14 TRINIA E SHENJTË

 

Kërkoj hirin: që para misterit të Trinisë së Shenjtë të jem i thjeshtë dhe të lejoj që të më përfshi dhe plotësojë thellësisht në Zemër.

 

Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë por tani s’mund t’i kuptoni. 13 E kur të vijë ai   Shpirti i së Vërtetës Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen.

            Sot kremtojmë të vërtetën themelore të fesë sonë me të cilën dëshmojmë se besojmë në Hyjin e vetëm që zbulohet në tre vetë: Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt. Çfarë do të thotë se themeli i fesë sonë është një Hyj që ka një natyrë dhe tre veta Hyjnore. Çdo gjë që dimë për Trininë e shenjtë na është zbuluar, por edhe pranë zbulesës, mbetet mister, fshehtësi të cilën mendja jonë nuk ka mundësi ta kuptojë deri në fund.

            Sado që të përpiqemi në shpjegimin e këtij misteri, gjithmonë ndjejmë se na tejkalon pafundësisht dhe biseda jonë për Të është belbëzuese dhe jo e plotë. Gjithmonë mbetemi para misterit. Këtë gjë e ndjenin edhe breznitë e para të të krishterëve të cilat së pari më të u përballuan dhe udhëhoqën “luftëra” dogmatike në koncilët që u organizuan. Kështu në koncilin e Nikesë (325), në Konstantinopol (381) në njëfarë mënyre u pastrua dhe u caktua mësimi për Trininë. Kjo është ai mësim që e kemi të përmbledhur në Besoj të cilën e lusim të dielave e cila quhet Besoj e Nikesë dhe e Konstantinopolit. Mirëpo secilën herë në takim me këtë mister na duhet të përkulemi në mënyrë të plotë.

            Edhe sot fjalët e Jezusit na çojnë në dhomën e Darkës së fundit. Jezusi iu tha që shumë gjëra nxënësve të vet atë natë, ndjente se ka edhe shumë gjëra për t’u thënë, por gjithashtu ishte i vetëdijshëm se ka shumë gjëra të cilat ende nuk janë të gatshëm e as nuk kanë mundësi për t’i kuptuar. Do të vijë koha kur do jenë më të qetë, vetëm atëherë do të kenë mundësi për të pranuar ato të vërteta për të cilat tani nuk janë të aftë. Në këtë gjë, në mënyrë të veçantë do t’i ndihmojë Shpirti i së Vërtetës i cili do t’i drejtojë në çdo gjë.

            O Zot, të falënderoj për kuptimin që tregon ndaj nxënësve të tu. Shumë gjëra të reja i vendose në zemrat e tyre atë natë. Ndjen që zemrat i kanë të përfshira fuqishëm nga ndjenjat që ndërrohen dhe i dridhin. Janë plot ankth, janë të hutuar dhe të tmerruar. Edhe këto gjëra që iu the rëndojnë në zemrat e tyre dhe për një kohë nuk do të dinë si të ia bëjnë me to. Ti nuk dëshiron t’i ngarkosh edhe më edhe pse ke shumë gjëra tjera për t’u thënë. Do të vijnë ditët kur do të jenë të gatshëm të dëgjojnë dhe të pranojnë të vërtetat dhe njohurit e reja. Të falënderoj për durimin që tregon. O Zot, edhe ne ndjejmë në komunikimin tonë se disa ndjenja dhe gjendje të brendisë sonë nuk mund t’i shprehim. Gjithashtu kemi frikë të flasim për to, sepse nuk e dimë se si do t’i pranojnë të tjerët dhe a do të mund t’i mbartin. Ndonjëherë dimë që t’i ngarkojmë të tjerët me fjalë dhe me kujdese. Nuk pyesim se si do të ndikojnë mbi ta. Mjafton që ne ta kemi më lehtë. Jemi egoistë, të padurueshëm, të përshpejtuar. Nuk na intereson se si të tjerët do ta kuptojnë atë gjë.

            O Zot, sodis fenë time në këto çaste derisa jam para teje. Do të doja të gjitha t’i kem si në shuplakë, që çdo gjë të kem të qartë e sidomos që çdo gjë të jetë siç mendoj unë. Çoj përpara njëfarë të vërtete dhe ua jap dhunshëm të tjerëve. Më ndihmo që të hapem më shumë para Shpirtit tënd. Le të më udhëheqë në të Vërtetën e plotë në të cilën do të mësoj se ka mistere në fe para të cilave me duhet të jem i përvuajtur dhe në gjunjë. Në këtë mënyrë vetë misteret do të më përfshin më mirë dhe në këtë mënyrë do t’i jetoj sinqerisht.

14 Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. 15 Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”

            Jezusi në mënyrë të qartë flet për Trininë dhe në këtë mënyrë na udhëheq në njohurinë e njohjes së Tre Vetave Hyjnore, plotësisht të ndryshme e përsëri në mënyrën më intime dhe më të fuqishëm të lidhura dhe të bashkuara. Diçka të tillë vetë Ai e tha për Hyjin. Hyji ynë nuk është ndonjë qenie e vetmuar dhe nuk matët në pushtetin e vet të shkëlqyeshëm që ta merr shikimin. Disa shenjtër patën zbulesa mistike të Trinisë së Shenjtë. Në mesin e tyre dhe Shën Injaci nga Lojola Prandaj nuk çudit që një meditim të Ushtrimeve shpirtërore të tij e paraqet sipas këtij shpirti. Kur e vendos meditimin për Mishërimin, na zbukuron figurën e Tre Vetave Hyjnore që e sodisin botën se si “E Shenjtërueshmja Trini… në amshimin e vet vendos se Vetja e dytë të bëhet njeri dhe ta shpëtojë gjininë njerëzore… E dërgon tek Zoja engjëllin Gabriel”.

            O Zot, të falënderoj që flet kaq haptas për misterin që na tejkalon në mënyrë të pakufishme. Të falënderoj që ky nuk është mister që nuk kanë mundësi ta zbulojmë shkencëtarët dhe ata që merren me matematikë siç i hulumtojnë ligjet natyrore dhe neve njerëzve të thjesht na japin formulat e pakuptueshme matematikore. Të falënderoj që nuk na flet për ndonjë fshehtësi që i rezervohet elitës së të diturve. Para këtij misteri të gjithë jemi të barabartë dhe në të depërtojmë vetëm me hirin dhe ndihmën tënde. Askush nuk është i përjashtuar. Përparësi kanë zemrat e thjeshta dhe të përvuajtura. Dituria këtu nuk ndihmon shumë. Të falënderoj që na zbulove të vërtetën e Trinisë së Shenjtë në të cilën dashuria është marrëdhënia themelore. Na krijove në këtë përngjasim. Na ndihmo që ta pranojmë me dashuri të Vërtetën tënde dhe komunikimi jonë i ndërsjellët të themelohet në dashuri.

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend