MEDITIMI I DITËS – TREGTARI I MENÇUR
Written by Radio Maria on July 28, 2017
Mt 13, 44 – 52 TREGTARI I MENÇUR
Kërkoj hirin: që të besoj në Zotin më shumë se në çdo gjë të kësaj bote.
Tregtari i mençur e di kur duhet shitur krejt çka ka për të blerë atë gjë që ka vlerë të jashtëzakonshme. Nuk i dhimbset që të shkëputet prej çdo gjëje që ka, sepse ndjen që e ka gjetur burimin e gëzimit të pasurisë së vërtetë. Ky është thesari i fshehur dhe perla e çmueshme për të cilin na flet ti, o Jezus. Kjo është mbretëria e dashurisë sate, vlera që tejkalon të gjitha vlerat, e mira mbi të gjitha të mirat.
Si guxon, o Jezus, t’i kërkosh të gjitha? A mendon se kjo gjë vërtetë është e mundur? A thua nuk do të hasësh në aq shumë kundërshtime tek njerëzit të cilët nuk janë të aftë që t’i japin të gjitha për premtimin tënd të mbretërisë së Hyjit. E di se të gjitha janë të tuat dhe Ti ke të drejtë në të gjitha që kemi dhe jemi, mirëpo, të gjitha këto na i besove ne për t’i drejtuar dhe për t’i përdorur.
Më fal, o Jezus, që aq shpesh harroj se Ti vet së pari pikërisht mua mi dorëzove të gjitha, se Ti vet mua dorëzove duke mos kursyer as veten tënde që të hapesh derën e mbretërisë së Hyjit për mua. Ti i deshe nxënësit e tu deri në pikën e fundit, krejt fuqinë e dashurisë sate e harxhove për njerëzit, nuk kurseve asgjë e as vetveten. E dhurove gjakun tënd, fuqinë tënde, krejt dashurinë e zemrës tënde. Vërtetë na dhurove gjithçka. Ti për ne të varfrit dhe të mjerët dhurove shumë më shumë se sa mund të kuptojmë. Të falënderoj, o Jezus, në dhuratën e tërësishme të vetes sate, për dhuratën e dashurisë së jetës sate.
Dhe tani kur i kërkon nga unë të gjitha, edhe kjo në të vërtetë është dhuratë. Ti do që në Ty ta gjej sigurinë dhe paqen, që të përcaktohem për Ty dhe ta ndjej plotësinë e jetës, gëzimin që bota nuk mund ta japë. Të gjitha këto janë fshehtësitë e Mbretërisë qiellore. Ajo i kërkon të gjitha, kërkon përcaktimin e plotë për Ty.
Më mëso, o Jezus, që t’i dhuroj të gjitha, sepse kjo gjë gjithmonë ndodh pjesërisht dhe në mënyrë të paplotë. Ty të dhuroj shumë pak kohë, sepse nuk kam guxim ta vë Ty në shërbim krejt kohën time. Të dhuroj shumë pak nga aftësitë e mia, sepse nuk kam guxim që çdo gjë që kam të dorëzoj në duart e Tua. Ti dhuroj vetëm disa prej planeve të mia, mendimeve, dëshirave, sepse nuk kam guxim që të jem në tërësi i Yti. Të dhuroj pak nga jeta ime, sepse nuk dëshiroj që të dhurohem plotësisht Ty. Me xhelozi dhe pandashëm ruaj pasurinë e mjerë dhe në këtë mënyrë nuk lejoj që në duart e mia të pushojë pasuria e paskajshme e dashurisë sate. Unë nuk jam tregtar i mençur as i vërtetë, sepse nuk e dalloi çastin e caktuar kur duhet të shes gjithçka kam dhe jam për të marrë si dhuratë pasurinë dhe thesarin e pakufishëm të jetës sime. Me liro, o Jezus, nga mentaliteti i ruajtjes së gjërave të mjera që të kem mundësi t’i pranojë thesaret e mbretërisë Sate. Me jep, o Jezus, që në secilin çast të jetës sime të jem i gatshëm t’i dhuroj të gjitha me krejt qenien time duke kuptuar se kjo është e nevojshme për të arritur gëzimin e plotë, duke kuptuar se unë jam i Yti.