MEDITIMI I DITËS – TOKA E MIRË

Written by on January 24, 2017

Mk 4, 1-20 TOKA E MIRË

 

Kërkoj hirin: që brendia ime te jetë tokë e frytshme për Fjalën e Hyjit.

 

1 Jezusi filloi prapë të mësojë në breg të detit. Turmë e madhe u mblodh rreth tij. Prandaj hyri në barkë në det dhe u ul, kurse populli qëndronte në breg të detit. … u thoshte:

Turma nuk largohet nga Jezusi. Kjo gjë është bërë e zakonshme. Ku është Jezusi, njerëzit janë rreth tij. Detyrohet për të hyr në barkë që të ketë mundësi t’i mësojë. Sa e bukur ishte kjo skenë për ta parë me sy. Bregu i detit i mbushur me njerëz e Jezusi në barkë duke i mësuar.

 3 “Dëgjoni! Doli mbjellësi për të mbjellë. 4 Ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë përbri udhës, erdhën zogjtë dhe i hëngrën. 5 Disa të tjera ranë në zallinë, ku nuk kishte mjaft dhe. Ato mbinë me të shpejtë, sepse toka nuk ishte e thellë. 6 Por, kur doli dielli, u dogjën, e, pse nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën, ua morën frymën e nuk dhanë fryt.

Punë e bërë kot? Punë pa fryt? Mbjellësi mbjell, fara fluturon prej dorës së tij dhe bie për rreth. Disa kokrra përjetojnë fatin e mjerë. Asgjë nga rrita, nuk ka kurrfarë fryti. Jezusi është shumë real. Turmës që shkon pas tij e mahnitur i flet haptas. Sikurse janë farat që shkojnë huq, gjithashtu edhe në mesin e dëgjuesve ka njerëz që e dëgjojnë kot. Jezusi shikon më larg se atë ditë në të cilën po iu fliste. Prandaj i qorton në mënyrë shumë serioze. Në mesin e atyre që e dëgjojnë më veshë të hapur dhe e shikojnë me sy hapur, prapëseprapë  ka njerëz që «edhe pse shikojnë nuk shohin; edhe pse dëgjojnë nuk kuptojnë, që mos të kthehen dhe ta marrin faljen».

Kjo është njohje e dhimbshme që e përjeton Jezusi. Mirëpo ai është optimist. Mbjellësi duhet të mbjell dhe nuk duhet të lodhet. Varët nga toka, nga dheu se si do ta pranojë farën. Të gjithë ne jemi toka në të cilën bie fara e Fjalës. Secili e pranon në arën e shpirtit të vet. Ndërsa fara rritet ashtu si e lejon ara të mbijë dhe të rritet. Çfarë ka në brendinë time, në cilën tokë ka rënë fjala e mbjellur? Çfarë e pengon rritjen e saj?

Të jesh pranë udhës do të thotë të jesh gjithmonë në vend ku të merr era. Kjo është toka e rrahur nga këmbët e të gjithë kalimtarëve. Këto janë dyert e hapura nëpër të cilat vazhdimisht del jashtë ngrohtësia e brendisë. Prandaj të gjithë ia marrin Fjalën. Këta njerëz e kërkojnë vazhdimisht atë gjë që nuk arrijnë për ta mbajtur për vete.

Toka me gurë simbolizon tokën e fortë, sipërfaqësoren dhe cektësinë. Edhe këtu janë interesat e caktuara, por nuk ka thellësi, nuk ka seriozitet. Qëndrueshmëria e tyre është në paqëndrueshmëri. Asgjë nuk kanë mundësi të mbajnë, të përvetësojnë, të ndërtojnë. Nuk është kjo toka në të cilën mund të rritet fara dhe jap fryt.

Toka me ferra paraqet një stil jete. Në këtë tokë vështirë mund të depërtojë diçka e re. Të gjitha mundësit janë, mirëpo kjo tokë u shit tashmë, u dhurua. Në të ka aq shumë bimë që rritën pamëshirshëm dhe nuk e lejojnë rritjen e ndonjë bime tjetër që në vetvete ka bukuri dhe mirësi, sepse në vetvete është e dobët dhe nuk është e aftë të rritet dhe të depërtojë prej tyre. Lufta është e pamëshirshme. Konkurrenca nuk kursen asgjë. Mundësitë janë të mëdha. Zemra e njeriu nuk ngopet dot. Sa herë që niset në rrugën e arritjeve dhe të pasurimit, vështirë mund të ndalet. «Të kesh» jehon në secilin hap gjatë udhëtimit. Në këtë tokë plot ferra nuk mund të rritet asgjë fisnike, nuk ka mundësi të rritet fara e Fjalës së Hyjit.

 8 Disa të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë, u rritën e dhanë fryt: njëra tridhjetëfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra njëqindfish.

Për këtë ia vlen të mbjellësh. Edhe pse mbjellësi hedh shumë fara që shkojnë kot, mossuksesi i tij ndalet në atë tokë të mirë në të cilën fara qindfishohet. Të gjithë ata që janë të thirrur, nuk guxojnë të lodhen. Fjala e Hyjit në vetvete ka fuqi të pakufishme. Vetëm duhet të hapemi para saj. Duhet t’ia ofrojmë arën dhe ajo do të rritet në mënyrë të mrekullueshme. Frytet janë të shumta. Secili më vlerë të madhe.

O Zot, bëj që të jem tokë e mirë, që të hapem para farës sate. Në brendinë time rritet vetëm ajo që do të mbillet në të. Jam në rrezik që të lejoj që në mua të mbillet fara tjetër të cilën e hedhin duart e mbjellësve të rrezikshëm që kalojnë në udhët e mia. Të gjithë këta i shpallin zëshëm «përparësitë» e farës së tyre. Nuk janë në kujdes për frytet. Ka rëndësi që ta shesin farën e tyre. Janë aq shumë mbjellës që nuk kujdesën aspak  për farën që bie ne shpirtin e njerëzve. Kjo farë rritet në njerëz, i formon dhe pastaj jep frytet që dalin prej kësaj fare.

Mbjellës i amshueshëm, kalo nëpër arën time. Ndalu dhe mbushë dorën më farën tënde dhe në arën e zemrës sime mbjelle Fjalën tënde. Vetëm ajo le të rritet në të dhe le ta japë frytin e vet.

 


Current track

Title

Artist