MEDITIMI I DITËS – THIRRJA NGA SHKRETËTIRA
Written by Radio Maria on December 8, 2018
E diela e dyte e ardhjes – C
Lk 3, 1-6 Thirrja nga shkretëtira
Kërkoj hirin: që të shoh çfarë duhet përmirësuar në udhëtimin tim gjatë kohës së ardhjes.
3 1 Në të pesëmbëdhjetin vit të sundimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, kur Herodi ishte tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i krahinës së Ituresë e i Trakonitidës, Lizania tetrark i Abilenës; 2 kur Ana e Kajfa ishin kryepriftërinj, fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit, birit të Zakarisë, në shkretëtirë.
Çfarë domethënie kanë këta emra që i mbartnin të pushtetshmit e asaj kohe? Shën Luka i numëron dhe në këtë mënyrë historinë e shëlbimin e vendos në historinë e përgjithshme. Dëshiron gjithashtu të thotë se disa nisma historike nuk varën prej të mëdhenjve, nga cezarët, drejtuesit dhe princat që sundojnë botën. Këta njerëz nuk e kanë shënuar historinë në kuptimin e vërtetë, as nuk i dhanë kuptim edhe pse personalisht mendoni se pa ta bota nuk ka mundësi të funksionojë. Këtë gjë në të njëjtën kohë e bëri një njeri që ishte i vogël në krahasim më këta të mëdhenj. Ka rëndësi të madhe se ky njeri “i vogël” nuk u vendos në metropole në të cilat jetonin të pushtetshmit, por shkoi në vetmi, në skaj, atje ku toka e mirë shndërrohet në shkretëtirë. Fjala e Hyjit nuk vjen tek ai që është në rrugët e mëdha tregtare nëpër të cilat kalonin karvanët, por vjen te Gjoni që ecën në shkretëtirë pa rrugë. Çfarë kundërshtimi i mahnitshëm i veprimit të Hyjit.
Kjo është koha e vështirësive të mëdha në Palestinë. Në këtë kohë fjala vjen te një profet që të shpallë shpresën. Edhe ne në kohën tonë ankohemi për shumë çka dhe nuk jemi të kënaqur. Vërtetë ka njerëz të cilët jetojnë në situata të padurueshme. Për çdo ditë na mbulojnë lajmet e tmerrshme që na mbushin me trishtim. Secili prej nesh në mënyrën e vet e mbart mbulojën e vet të dhimbjes dhe vështirësive. Sikurse në kohën e Gjonit Fjala e Hyjit e solli shpresën, të njëjtën gjë e bën edhe në kohën tonë. Pyetja është vetëm sa besojmë se Hyji është në veprim. Edhe sot Fjala e Hyjit vjen. A e njohim ne, në të njëjtën mënyrë si e njohu Gjoni? Kjo kohë e ardhjes është një rast i veçantë që të lutem për besim të fort në Hyjin që vepron në botë edhe pranë asaj që shoh rreth meje e që e sulmon fenë time. A dua ta shikoj dhe ta njoh Fjalën e Hyjit që vjen në shkretëtirën e qytetit ose të fshatit në të cilën jetoj?
3 Atëherë Gjoni e përshkoi mbarë krahinën e Jordanit duke predikuar pagëzimin e kthimit për falje të mëkateve 4 në përkim me sa shkruan në librin e predikimeve të Isaisë profet: “Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tij!
Gjon Pagëzuesi është në rrugë. Na thërret që ta përgatisim rrugën. Ai është zëri i Hyjit që na thërret të marrim pjesë në përgatitjen e botës së re dhe të jetës më të mirë. Se çfarë do të thotë ta përgatisim rrugën na drejton Guerrici, predikatari i mesjetës: “Duke ecur ta përgatisim, e duke e përgatitur të ecim nëpër të! Edhe nëse keni përparuar shumë, prapëseprapë mbetet diçka për të përmirësuar në të dhe duke kaluar prej vendit në vend në të cilin kemi ardhur me hov të ri të nisemi drejt pjesës tjetër që na pret”.
Para nesh përsëri hapet rruga e re. Ardhja krijon në ne gatishmërinë në të cilën vazhdimisht jehojnë fjalët: tani po filloj! Edhe pse ndoshta nuk shkojmë shpejt as nuk vrapojmë, ka rëndësi të ecim. Ai që nuk përparon, rri në vend e pastaj edhe kthehet prapa. Në ecjen tonë i dalim në takim Zotërisë që vjen tek ne. A jemi lodhur nga rruga? Ndoshta në këtë kohë të ardhjes e shohim rënien dhe lodhjen tonë. Edhe kjo është gjë shumë e mirë. Ky është hiri i Hyjit që na ndihmon ta shikojmë situatën tonë, ta zbulojmë atë gjë që na frenon në rrugë dhe na lodh. Ardhja është rasti që të shohim pengesat që na pengojnë. Vërtetë, kjo është koha në të cilën më duhet të them: tani po filloj.
5 Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet; udhët e shtrembëra le të bëhen të drejta e ato gropa‑gropa le të bëhen të rrafshëta. 6 E çdo njeri do ta shohë shëlbimin e Hyjit.”
Gjonin e vendosin në traditën e profetëve, ai i nxit bashkëkohësit e vet me fjalët e Isaisë profet. Porosia është e qartë. Nuk ka mundësi të shtyhet: nuk është as për nesër as për pasnesër. Nuk mund t’i kalohet kujt: nuk kam mundësi ta ngarkoj dikë që të bëjë diçka në emrin tim. Ajo është vendosur në një çast të saktë historik, si ishte në kohën e Gjonit, ashtu është edhe në kohën tonë. Sikurse atëherë të pushtetshmit e kësaj toke nuk ishin mbartësit e Fjalës së Hyjit nuk janë as në kohën tonë. Nuk kemi mundësi të presim që të tjerët të bëjnë diçka, e unë të tërhiqem. Që të kenë përgjegjësi vetëm ata, e unë të fshihem pas tyre. Përgjegjësia është mbi secilin dhe secili do të përgjigjet për vete.
O Zot, Fjala jote më fton që ta përgatis rrugën. Kjo është një punë shumë serioze. E kam të vështirë dhe gjithmonë kërkoj arsyet. Arsyetohem për të mos kryer detyrat që kam në shtëpi, në shkollë, në famulli… Në komunikim më ty dhe me të afërmit ka aq shumë shtrembërime. Në dashurinë time ndaj teje dhe ndaj atyre me të cilët punoj ka aq shumë gropa. Dëshiroj të ndalem dhe të mendoj pak për këto. O Zot, çfarë pret nga unë? Sa herë kam vendosur disa gjëra të përmirësoj e nuk ia dola. E di se koha e ardhjes gjithmonë është mundësi e re që të filloj menjëherë. Më largo frikën që të filloj përsëri në çdo gjë që deri më tani nuk isha i qëndrueshëm. Sigurisht kjo është e rëndësishme. Shikoj thirrjen dhe punën time. Kam mjaft “material” në çfarë mund të filloj. Pikërisht sot!