MEDITIMI I DITËS – THIRRJA NË KTHIM

Written by on January 6, 2017

Mt 4, 12-17.23-25 THIRRJA NË KTHIM

 

Kërkoj hirin: që ta dëgjoj dhe ta pranoj thirrjen e Jezusit në kthim.

 

12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:

Jemi në javën e fundit të kohës së Kërshëndellave. Kjo kohë kalon shpejt dhe nuk arrijmë të përjetojmë sa duhet misterin e kësaj kohe as porosinë e shëlbimit. Këtyre ditëve pas Dëftimit liturgjia dëshiron që më këto tekste të na tërheq vërejtjen për shenjat, për zbulesën, për dëftimin  e Hyjit.

Pararëndësinë e Jezusit e arrestuan. Kjo për Jezusin është shenja se i duhet të veprojë në mënyrë të fuqishme dhe me guxim. Pranadaj le Nazaretin. Më këtë veprim fillon ecjen nëpër atdhe. Së pari përshkon Galilenë dhe qytetin e Kafarnaumit. Kështu fillon të zbatohet ajo që që parafoli Isaia profet:

15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, 16 populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijessë vdekjes u lindi drita.”

Jezusi fillon në Galile, tokë pagane, kjo është pjesë e vendit në të cilën ishin pështjelluar popujt e ndryshëm. Në këtë pjesë kalonin rrugët tregtare nëpër të cilat kalonin karavanat e tregtarëve të popujve të ndryshëm. Në Kafarnaum ishte zona doganore. Prandaj hebrenjtë Galilenë e shikonin më përbuzje. Jezusin do ta quajnë «Galileas».

Mirëpo Jezusi e zgjodh pikërisht këtë krahinë dhe këtë qytet. Del nga Nazareti, që është larg të gjitha ngjarjeve dhe lëvizjve. Ai del nga qetësia e Nazaretit dhe paraqitet në erërat e Kafarnaumit. Këtu do të takoj njerëz të ndryshëm: hebrenj dhe johebrenjë, besimtarë dhe jobesimtarë, tregtar dhe blerës, ushtarë dhe njerëz që fshihen. Kafarnaumi është vendi ideal për të filluar. Jezusi shkon në pështjellimin e jetës, në vendin e nxitjeve. Ai nuk frikësohet nga takimet. Përkundrazi, i do. Ai është drita që nevojitet në errësirë dhe natën.

O Zot, qytetet tona janë të ngjashme me Kafarnaumin. Sot nxënësit e tu gjithashtu takohen me të gjithë. Nuk duhet të kemi frikë nga takimet. Duhet t’i përballojmë me guxim ashtu si i përballove ti. A kam fikë nga sfidat e botës së sotme? A kam guxim të dal në kryqëzime të rrugëve që të takohem me ata që nuk besojnë, me ata që janë të vakët ose janë kundërshtarë të fesë?

17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!” 23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.

Jezusi është në rrugë, në ecje, duke lëvizur. Predikon. Për çfarë? Çka thotë? Më paraqitjen e tij ka filluar Mbretëria e Hyjit. Më në fund! Thërret në kthim. Kjo është «bileta» për të hyr në Mbretëri. Duhet shndërruar zemrën, duhet ndërruar jetën. Çdo gjë mund të bëhet më e mirë, ndryshe dhe më e bukur. Kjo gjë arrihet më anë të kthimit. Kjo do të thotë të bësh «shndërrimin» në jetë. Ky shndërrim duhet të bëhet së pari në brendi. Tek disa njerëz ky shndërrim nuk shihet aq shumë nga jashtë, tek disa do të shihet shumë.

Ku jehon në mua kjo thirrje e Jezusit? Më çfarë ndeshet në brendinë time dhe cilat kundërshtime i has? O Zot, vetëm më ty kam mundësi ta rregulloj zemrën time, vetëm më ty kam mundësi ta filloj kthimin tim. Bëj që kjo gjë të bëhet sot.

24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte. 25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.

Zëri për Jezusin kalon prej gojës në gojë. Erdhi profeti i ri! Njerëzit interesohen, e kërkojnë Jezusin dhe dëshirojnë që ta shohin. Njeriu ka nëvojë, njeriu ka vështirësi, këta të parët e gjejn rrugën tek ai. Kudo që paraqitet njerëzit e rrethojnë dhe i sjellin tek ai ata që kanë nëvojë për ndihmë. Jezusin e rrethon vështirësia. Zbulohet si ai që shpëton, ndihmon, shëron. Nëvojat janë ndër më të ndryshmet. Fytyra e Hyjit zbulohet.

Kështu ishte në fillim. Kështu është edhe sot. Kur sillem e shikoj rreth vetes, në çdo vend shoh nevojat e njerëzve. Ato janë aq të llojllojshme dhe personale aq sa njeriu dallohet nga të gjithë njerëzit tjerë. Nevojat materiale mund të shihen, shpirtëroret janë të fshehura dhe të padukshme. Prandaj janë më të ngutshme dhe më të nevojshme për të ndërhyr. O Zot, po të lutem për të gjithë. Ndihmoju të gjithëve. Edhe sot kemi nevojë për ndihmën dhe shëlbimin tënd. Edhe sot ka errësirë dhe hije të vdekjes nga të cilat duhet të shpëtojnë njerëzit duke dalë në dritë dhe në jetë.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend