MEDITIMI I DITËS – THESARI QË NUK PRISHET

Written by on June 21, 2018

Mt 6, 19-23 THESARI QË NUK PRISHET

 

Kërkoj hirin: që të dijë të njoh thesarin që nuk e bren tenja as ndryshku.

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: 19 »Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! 

Jezusi i drejton temat e mësimit të vet drejt qenësores që është konkrete në jetën e njeriut. Bëhet fjalë për realitetet që e rrezikojnë jetën e tij e të cilat nuk lejojnë që jeta të jetë e denjë për ta jetuar. Pasuria është një prej këtyre realiteteve. Ajo ka mundësi të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për njeriun që vërtetë të jetë njeri, mirëpo ajo ka mundësi njeriun ta bëj hajdut të pamëshirshëm që shkatërron vetveten dhe të tjerët rreth vetes.

Njeriu shpesh herë është i gatshëm t’i bëj dhe t’i flijojë të gjitha që të ketë më shumë dhe të zotërojë më shumë. Në këtë mënyrë ai i harron të afërmit, le pas dore familjen, nuk kujdeset aspak për të tjerët që për shkak të tij vuajnë dhe me sjelljen e vet i fundos në varfri gjithnjë e më të madhe. Ai në fund të fundit nuk ka kujdes aspak as për vetveten. Njerëzit e tillë shkelin vetveten dhe të tjerët rreth vetes. Mirëpo thesari për të cilin kujdesët aq shumë është aq i ndryshueshëm dhe aq gënjeshtar. Është aq i brishtë sa që për një çast ka mundësi të zhduket fare. Është i tillë, sepse gjithmonë është i pasigurt: tenja dhe ndryshku kanë mundësi ta brejnë gjithmonë, ndërsa vjedhësit t’i zhbirojnë muret për ta grabitur. Për këtë arsye edhe njeriu është krejtësisht i pasigurt dhe i pakënaqur edhe pse është i pasur. Të gjitha janë aq të brishta dhe të ndryshueshme. Pranë të gjitha këtyre, njeriu është i gatshëm që krejt jetën ta shpenzojë për thesarin që zhdukët.

O Zot, po të falënderoj për këto fjalë kaq konkrete. Më ndihmo që të shoh se ku dhe si e mbledh pasurinë time. Më ndihmo që të shoh se ku e shpenzoj dhe për çfarë jetën time. Të shoh se cilat janë vlerat të cilat i kërkoj e për të cilat punoj. Që të shoh se për çfarë e shpenzoj jetën time. Çfarë vlerash kërkoj dhe për cilat thesare e shpenzoj jetën? Çfarë dua dhe çfarë kërkon qenia ime?

20 Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’i brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. 21 Sepse, ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.«

Jezusi pasi që paraqiti rrezikun e vërtetë, vazhdon me qortimin real. Ai nuk i paraqet vetëm gjërat negative dhe dobësitë që e rrezikojnë njeriun. Ai nuk kritikon sa për tu kënaqur më fatkeqësitë e të tjerëve. Ai drejton, praqet zgjidhjet për situatat kërcënuese të cilat e rrezikojnë jetën e njeriut.

Jeta njerëzore nuk zhvillohet vetëm në përmasën horizontale. Pa përmasën vertikale jetës i mungon thelbi. Të mendosh vetëm për gjërat tokësore, të mbledhësh thesare në tokë pa menduar aspak për një thesar tjetër, për thesarin në qiell, ky është  gabimi më i madh që bënë njeriu duke jetuar vetëm përmasën horizontale të jetës. Të mendosh vetëm për jetën trupore, për jetën materiale pa përmasën shpirtërore është gabim dhe gënjeshtër e madhe. Jeta shpirtërore është më e lartë dhe më fisnike se jeta e ndjenjave. Jeta shpirtërore është thelbi i jetës së njeriut. Këtu është në pyetje zemra e ekzistencës sonë.

Secili njeri mbartë në vetvete dëshira të paskajshme në jetën e vetë. Ky është thesari i tij. Në zemër të çdo gjëje është zemra e njeriut si simbol i të gjitha këtyre dëshirave dhe i krejt thesarit. Të gjitha janë shkruar thellë në zemrën njerëzore. Vetë njeriu është dëshirë e paskajshme. Ai është i kryqëzuar mes asaj që ka, asaj që është, asaj që dëshiron të ketë dhe asaj që dëshiron të jetë. Jezusi na kujton thjeshtësinë dhe maturinë siç bëjnë të gjithë të urtit e besimeve të ndryshme. Njeriun e shkatërron dëshira e pangopshme «Zemrës njerëzore diçka i mungon gjithnjë…» Një dëshirë e tërheq dhe e nxit tjetrën dhe në këtë mënyrë zinxhirtë e lidhin dhe e shtrydhin njeriun. Ai mbyllet në rrethin vicioz i cili thjeshtë e shtyp.

22 »Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar.

Syri është dritëz dhe dritare. Prej dritës dhe qartësisë së tij varet shikimi ynë në botë. Sytë kanë rëndësi të paimagjinueshme në komunikimin tonë. Me shikim kuptojmë njëri-tjetrin, i afrohemi njëri-tjetrit ose ndahemi prej njëri-tjetrit. Shikimi mund të jetë kërcënues dhe i butë. Mund të jetë qortues ose plot mirëkuptim! Mirëpo ne fatkeqësisht nuk dimë të shohim drejt. Kalojmë afër aq shumë realiteteve e nuk i dallojmë fare, nuk i shohim, e do të duhej që t’i shohim. O Zot, më mëso që të shoh dhe të vështroj çdo gjë rreth meje që mos të më kalojë thelbësorja pa e parë. Syri im le të jetë dritëz, e shikimi i qartë dhe i sinqertë.

 23 Por në qoftë syri yt është i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, se ç’terr i madh do të jetë!«

Verbëria fizike është shumë e rëndë. Më e rëndë është verbëria shpirtërore. Njeriu njihet përmes syve. Sytë flasin për brendinë e tij, për zemrën. Në asnjë gjymtyrë shpirti njerëzor nuk është më shumë i pranishëm se sa në sytë e njeriut. Ata paraqesin shëndetin trupor dhe shpirtëror të njeriut. Ata janë përngjasimi e zemrës së njeriut. O Zot, bëj që sytë e shpirtit dhe të trupit të jenë të shëndosh që të kem mundësi ta dalloj dritën tënde, sepse, Ti je drita dhe shëlbimi im!

 


Current track

Title

Artist