MEDITIMI I DITËS – THEMELI I FESË
Written by Radio Maria on August 27, 2017
Mt 23, 13-22 THEMELI I FESË
Kërkoj hirin: që marrëdhënien time ndaj Hyjit ta ndërtoj në të vërtetat themelore të fesë.
Në atë kohë Jezusi tha: 13 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni as nuk i lini të hyjnë ata që duan të hyjnë![14].
Biseda e Jezusit me skribët dhe farisenjtë paraqet dhimbjen e thellë që ndjen për ato gjëra që i bëjnë. Ky nuk është gjykim as shprehje e ndonjë mallkimi por qortim i fortë profetik. Jezusit i vjen keq që erdhën në këtë situatë. Prandaj i qorton me seriozitet të madh. Bëhet fjalë për gjërat më të rëndësishme në jetën e tyre, për pranimin e Mbretërisë të cilin Jezusi e predikon ndërsa ata e refuzojnë. Njerëzit dëshironin të shkonin pas Jezusit dhe ta pranonin mësimin e tij, por ata ua ndalonin. Në vend që tu ndihmonin të vegjëlve, të thjeshtëve që tua hapnin derën, ata përkundrazi u ngritën kundër Jezusit dhe mësimit të tij, duke e bërë të pamundur pranimin e porosisë së tij, duke e mbyllur para tyre derën e Mbretërisë së qiejve. Në ligjet e tyre të përshpejtuara shumë shpesh zbatimin e Ligjit e bënin të pamundur për njerëzit. Gjithashtu edhe ritet fetare ishin bërë të rënda dhe të padurueshme, në vend që të ishin çaste të gëzimit për takimin e bukur me Hyjin. O Zot, bëj që me sjelljen time të mos ju bëhem të tjerëve pengesë në besimin e tyre. Mos lejo që ta shkandulloj askënd me veprimet e mia dhe në këtë mënyrë ta mbyll derën që ata të mos vijnë tek ti.
15 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që përshkoni det e tokë për të fituar një proselit e, kur kthehet, e bëni bir të ferrit dy herë më të keq se veten!
Këtu bëhet fjalë për promovimin e tyre mes grekëve dhe romakëve që ishte shumë i gjallë dhe sipas shpirtit të sekteve të sotme. Është fjala për secilin afrim që i ndan njerëzit të cilët pothuajse i detyrojnë të tjerët që të shkojnë pas tyre. Ndjekësit e rinj pastaj, me fanatizmin e vet bëhen shumë më të dhunshëm se mësuesit e tyre. Jezusi kundërshton çdo fanatizëm dhe fundamentalizëm që përjashtojnë çdo gjë tjetër deri sa vetveten e promovon dhe e çonë përpara.
O Zot bëj që ta nderoj lirinë e besimeve tjera. Feja është dhuratë dhe propozim. Bëj që si të tillë ta pranoj për vetvete dhe të tillë tua propozoj të tjerëve. Bej që të jem apostull dhe misionar e jo fanatik.
16 Vaj për ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Nëse ndokush betohet me Tempull, ai betim s’detyron, por, nëse betohet me arin e Tempullit, atëherë e detyron betimi.’ 17 Të marrë e të verbër! Po cili është më i madh: ari apo Tempulli, që e shenjtëron arin?
Këtu shihen më së miri ligjet e tyre që gjërat e vogla i vendosin para gjërave të rëndësishme dhe të mëdha. Secili prej nesh lehtë mund të gjendet në të njëjtën situatë në qoftë se gjërat e parëndësishme për shkak të pamaturisë tonë i paraqesim si të rëndësishme. Nga kjo dalin gjëra të imëta që nxisin pakujdesinë. Në rastin e parë nuk dinë më çfarë është e rëndësishme nga ajo që nuk është e rëndësishme, kurse në rastin e dytë asgjë nuk është e rëndësishme.
18 Ju thoni edhe: ‘Kush betohet me lter s’detyron ai betim, porse, kush betohet me dhuratën që është mbi lter, atëherë e detyron betimi!’ 19 Të verbër! Po çka është më e madhe: dhurata apo lteri që e shenjtëron dhuratën? 20 Tashti kush betohet me lter, betohet me të dhe me krejt çka ka në të!
Vërtetë farisenjtë fenë e kishin bërë të pamundur dhe e kishin ndarë nga jeta konkrete e besimtarëve. Prandaj shndërroheshin vlerat. Altari nuk kishte rëndësi por flija. Në të vërtetë, të dyja kishin rëndësi dhe ishin të nevojshme që njeriu në plotësi ta kryente detyrimin e vet ndaj Hyjit.
21 Kush betohet me Tempull, betohet me të dhe me Atë që banon në të. 22 Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të.
Këtu Jezusi tregon se realitetet nuk guxojmë t’i ndajmë edhe atëherë kur njerëzit mendojnë se mund të bëjnë me to ashtu siç u pëlqen atyre. Në mënyrë të veçantë, prania e Hyjit Tempullin e bën tempull, sidomos shenjtëroren mbi shenjtërore. Për arsye se është kushtuar, Tempulli ka funksion të veçantë. O Zot, seriozisht dhe në mënyrë të rreptë ju tregove njerëzve të kohës sate rëndësinë e situatës së tyre. Fjala jote është aktuale edhe për kohën dhe për brezninë time. Shumë shpesh edhe ne vetëm në mënyrë formale dhe të pandërgjegjshme i pranojmë urdhërimet e tua dhe i kryejmë detyrat si besimtarë. Na ndihmo që në veprimet tona liturgjike mos t’i theksojmë ato gjëra që nuk kanë rëndësi por ato që kanë vlerë, qendra e të cilave je ti.