MEDITIMI I DITËS – THARMI I MIRË

Written by on February 13, 2017

Mk 8, 14-21 THARMI I MIRË

 

Kërkoj hirin: që Zotëria të më pastrojë nga tharmi i keq dhe në zemrën time ta vendos tharmin e mirë.

 

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!”

Jezusi i la farisenjtë pasi që ia kërkuan shenjën. Nuk kishte kuptim që ta vazhdonte bisedën me ta. Tani ai është me nxënësit në barkë. Ata e kanë kuptuar se nuk kanë mjaftë bukë më vete. Janë të brengosur për bukën e vet të përditshme.

Jezusi e di se buka është e nevojshme për tu ushqyer. Por ai mëson gjithmonë se ky nuk duhet të jetë i vetmi kujdes i njeriut mbi tokë. Ushqimi për ta mbajtur jetën nuk duhet të bëhet kujdesi i vetëm i njeriut. Edhe në këtë rast, Jezusi shfrytëzon rastin që tu thotë nxënësve një gjë tjetër. Ai niset nga shqetësimi i tyre për bukë dhe kalon në një gjë tjetër për të cilën njeriu ka po aq nevojë siç ka nevojë për bukën e përditshme.

Si të dëshironte tu thoshte: po, buka është e rëndësishme dhe e nevojshme. Por ta lëmë më një anë për një çast këtë gjë. Ktheni vëmendjen tani në diçka që gjithashtu është e rëndësishme. Ja sapo u ndamë nga farisenjtë. E dëgjuat bisedën që bëra me ta. Ju e patë se si biseda u ndërpre, sepse ishte e pamundur për ta vazhduar. Tani jemi këtu në vetmi që të meditojmë për këtë gjë. Duhet të ruheni prej tharmit të tyre. Gjithashtu duhet të ruheni edhe nga tharmi i Herodit. Rrezikoni shumë nëse ju përfshinë ky tharm. Tharmi ka fuqi të jashtëzakonshme, sepse vepron përbrenda. Njeriun e bënë të papastër e çnjerëzon çdo gjë që del prej brendisë dhe prej shpirtit të tij. Njeriu sillet ashtu si është formuar brendia e tij.

Jezusi kishte dëshirë të madhe që nxënësit e tij të kuptojnë ato gjëra që kishin ndodhur pak më parë. Ata do të duhej të kishin parë se si farisenjtë nisën nga qëndrimet e tyre të gabueshme. Mënyra e sjelljes së tyre drejton drejt mbylljes së zemrës së atij që nuk përfshihet në kuptimin dhe të shërbimit tyre ndaj Hyjit. Kjo gjë mund të jetë e rrezikshme dhe shkatërruese. Këtu është rreziku i tharmit të cilin ata e kanë në vetvete, që pastaj përfshinë krejt mendimin dhe sjelljen e tyre.

Tharmi në brumë rritet që buka, ose ndonjë gjë tjetër e bërë nga brumi të piqet. Tharmi ka në vetvete forcën që e lëviz krejt brumin dhe e përfshinë. Prej tharmit varet cilësia e bukës. Mirëpo, gjithashtu ka mundësi të jetë e rrezikshme në qoftë se nuk e përcjellim rritjen e tij. Prandaj Jezusi e përdor tharmin si shembull të rrezikut për njeriun në qoftë se lejon që ta përfshinë fuqitë të cilat e rrënojnë dhe e shkatërrojnë. Edhe ato i përngjajnë tharmit që përfshin krejt brumin.

Kësaj here Jezusi i vë në të njëjtën shkallë farisenjtë dhe Herodin. Në thelb ata kishin të njëjtat interesa politik edhe pse niseshin nga pozicionet e ndryshme dhe shërbeheshin më metoda të ndryshme.

O Zot, bëj që të rri zgjuar dhe të jem i kujdesshëm për çdo gjë që depërton në brendinë time dhe e ushqen shpirtin tim. Të gjitha këto e formojnë «tharmin»  që vepron përbrenda, e drejton sjelljen time dhe i nxit fjalët e mia. Fjala jote le të jetë tharmi i brendisë sime, ajo le ta përfshi jetën time në tërësi. Pastroje brendinë time nga çdo tharm i dëmshëm.

16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha: “Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

Nxënësit edhe më tutje mbetën tek qëndrimet e veta të mendimit. Kujdesi i tyre është buka e përditshme që në atë çast nuk e kanë. Përpjekja e Jezusit që t’i lartësojë mendimet e tyre dhe t’i drejtojë në një shkallë më të lartë është e kotë.

O Zot, në ato çaste vërtet ishe plotësisht i vetmuar. Farisenjtë morën qëndrim të qartë armiqësor ndaj teje, ndërsa nxënësit e tu jetojnë nën peshën e kujdesit dhe të nevojës së përditshme. Farisenjtë e mbyllën zemrën e vet, ndërsa zëmrën e nxënësve e kanë mbushur kujdeset tjera, sepse edhe kjo ishte forcuar, ishte ende e paafrueshme dhe e mbyllur.

O Zot, po të lutem për të gjithë ata që ndjehen të vetmuar në përpjekjet e veta për ta përhapur të mirën. Bëj që mos të ndalen as mos të humbin guximin edhe pranë kundërshtimeve dhe zemrës së fortë të atyre të cilëve iu afrohen për tu sjellë të mirën.

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni, me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’ Po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!” 20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” “Shtatë!” ‑ iu përgjigjën. 21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.

Jezusi ju kujton nxënësve çfarë bëri dy herë me bukën për të cilën njerëzit kishin nevojë për tu ushqyer. Buka gjithmonë qe e mjaftueshme. sepse nga tepricat mblodhën dymbëdhjetë dhe shtatë shporta. Dëshiron tu thotë: shikoni, problemi nuk është këtu. Buka do të jetë e mjaftueshme. Përse e kërkoni vetëm bukën? Por edhe pranë kësaj nxënësit nuk kuptojnë.

 


Current track

Title

Artist