MEDITIMI I DITËS – TEMPULLI I HYJIT
Written by Radio Maria on March 3, 2018
Gjn 2, 13-25 TEMPULLI I HYJIT
Kërkoj hirin: që të besoj se jam tempulli i Hyjit
O Zot, kush e di si do të ndiheshim po të kishim qëlluar në tempull atë ditë kur dëbove tregtaret? As për ne nuk do të ishte krejt një. Të përfshiu zjarri i dashurisë për shtëpinë e Atit. Doje që në të të kishte rregull, që të ketë heshtje dhe përqendrim. Prandaj deshe të nxjerrësh jashtë çdo gjë që aty nuk e kishte vendin. Sepse gjatë kohës aty ishte mbledhur shumë çka. Sa pështjellim i madh do të ketë zotëruar atë vend të shenjtë, në atë vend që ishte përcaktuar për përqendrim dhe për lutje! Ti more guxim me një fuqi të mrekullueshme të nxjerrësh jashtë të gjithë ata njerëz me veprimtaritë e tyre nga vendi i Tempullit. Dhe askush prej këtyre fajtorëve nuk të kundërshtoi. Duket se të gjithë të turpëruar ua larguan prej këtij vendi të shenjtë. Çuditërisht, kundërshtuan ata që vetë do të duhej të kujdeseshin për pastërtinë e këtij vendi të shenjtë.
Jezus, ti the për vete, për trupin tënd, së është Tempulli i vërtetë. Ai që nga tani do të jetë vendi i adhurimit dhe i njohjes së pranisë së Hyjit. Trupi yt është tempull. Ti në mënyrë krejtësisht të veçantë e lartësova shërbimin liturgjik duke i dhënë dinjitet plotësisht të ri. Në ty e adhurojmë praninë misterioze hyjnore. Ky tempull nuk u përdhos me asgjë. Në të gjatë gjithë jetës sate tokësore është nderuar vullneti i Atit. Në të në mënyrë të veçantë u realizua e vetmja liturgji e përsosur. Në ty, o Jezus, u plotësua plotësisht Ligji. Ti je mishërimi i dashurisë së përsosur. Dua, që sot, o Zot, të adhuroj në tempullin tënd, fshehtësinë e pranisë sate të vazhdueshme në Kishën tënde.