MEDITIMI I DITËS – TË VISHEMI NË KRISHTIN

Written by on October 14, 2017

 

Mt 22, 1-14 TË VISHEMI NË KRISHTIN

 

Kërkoj hirin: që ta dëgjoj Hyjin që me thërret.

 

Thirrja jote, o Zot, përsëritet në vazhdimësi. Fjala jote “eja” jehon edhe sot, secilën të diele dhe secilën ditë që të përket Ty. Ejani në Meshë! Ejani në thyerjen e bukës dhe bashkimin vëllazëror. Ejani në festën e dashurisë, sepse gjithçka është gati, tryeza, buka, vera… Ka vend dhe ushqim për të gjithë dhe për secilin. Ejani!

Ata në Ungjill, njeri pas tjetrit filluan të arsyetohen, të gjejnë mënyrat që mos të vinë. Ndërsa ata më të ngurtësuarit morën guxim të keqtrajtojnë shërbëtorët e tu. Si t’i kishin sulmuar ose si t’i kishin rrezikuar në diçka! E ata erdhën thjesht duke paraqitur kërkesën Tënde që të shikosh të gjithë njerëzit rreth sofrës sate. Rreth tryezës së dashurisë.

Rrimë para fshehtësisë së thirrjes Sate! A thua nuk është kjo dhuratë, hir, nder? Duket se në Ungjill për të gjithë thirrja jote ishte peshë, detyrim i padëshirueshëm. U pështjelluan dhe në mënyrë të hapur e kundërshtuan thirrjen Tënde. Në gosti erdhën vetëm ata që rastësisht i gjetën në sheshe dhe në rrugë të cilët i tërhoqi thirrja që ju premtonte siguri së paku për një ditë.

Ejani në festë! Kjo vlen edhe sot. Edh sot, o Zot, Jezus, Ti thërret. Secilën të diele kërkon të gjesh mënyrën që të bashkohesh me ne duke trokitur në dyert tona. Festa e dashurisë organizohet të dielën; kjo është dita e jetës së re, ditë në të cilën dëshiron gjithmonë përsëri të dhurohesh. Kjo është dita e takimit vëllazëror të cilin Ti e udhëheq dhe e bekon. Mesha e së dielës! Sa arsyetimet i kërkon njeriu edhe sot vetëm që mos të përgjigjet në thirrjen Tënde. Pikërisht pse e konsideron detyrim e jo dhuratë, hir dhe nder. Gjithmonë një punë, diçka që ndodh papritmas dhe përgjigjemi: “Nuk mund të vij në Meshë!”

Besoj, o Jezus, se nuk të shkakton dhimbje aq shumë se ndonjëherë nuk kemi mundësi të të përgjigjemi dhe të vijmë në kremtimin eukaristik, sa të shkakton dhimbje fakti se kjo shumë herë është qëndrim vullneti që nuk dëshiron të bëj asgjë që të vij në takim të ndarjes së bukës. E kjo nuk është vetëm Mesha! Kjo është edhe thirrja në secilën festë të dashurisë, në secilin takim me Ty, në secilin takim të shëlbimit. Ky është qëndrimi i njerëzve para nismave të Tua. Ndërsa Ti, gjithmonë më qëndrueshmëri të re të dashurisë thërret: “Ejani! Ejani tek unë, leni rrugën e mbrapsht, ejani tek ujit e jetës, leni më burimet e thara, ejani tek Buka e jetës, mos e kërkoni jetën në kënaqësi të cilat nuk kanë të ardhme! Ejani tek unë! Ejani në gosti!”

Po, o Jezus! Çdo gjë është gati. Të gjitha i bëre që kjo të jetë e kremtja e dashurisë sate. Asgjë nuk la pa e bërë. I bëre të gjitha dhe e dhurove krejt vetveten! E dhurove edhe jetën tënde duke e vendosur në brendinë e kësaj gostie. Ja ku jam, që në burimin e ujit Tënd të gjallë të shuaj etjen dhe të ushqehem me dashurinë Tënde.

 

 


Current track

Title

Artist