MEDITIMI I DITËS – TË SHKOSH PAS JEZUSIT, KUSHTON

Written by on November 7, 2017

Lk 14, 25-33 TË SHKOSH PAS JEZUSIT, KUSHTON

 

Kërkoj hirin që me gatishmëri ta pranoj thirrjen e Jezusit si nxënës e le të kushtojë sa të kushtojë.

 

Në atë kohë, 25 një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me Jezusin. Ai u kthye kah ata dhe u tha: 26 »Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

Me Jezusin është një turmë e madhe; ai iu flet haptas. Nuk janë këto tregime sentimentale, as biseda të rëndomta. Atë që e thotë, në qoftë se e dëgjojmë mirë dhe e pranojmë, hyn dhe vepron në thellësi. I përket thelbit jetësor të Hyjit. Jehon me forcë dhe duket bisedë e vështirë. Jezusi nuk dëshiron që t’u pëlqejë njerëzve me çdo kusht. Nuk ua bën qejfin, as nuk u premton ndonjë gjë që nuk mund të bëhet. Përkundrazi, kërkon prej nxënësve të tij mohimin e të gjitha gjërave, edhe mohimin e vetvetes. Kjo gjë, që e kërkon, na duket e pabesueshme dhe e pamundur. Nuk çuditemi kur vëlla Sharl dë Fuko e quan atë «Mësuesin e të pamundurës». Sado që të përpiqemi ta shpjegojmë se fjala urrej këtu do të thotë të duash më pak, ajo është e pranishme në fjalën e Jezusit. Nuk mund t’i hiqet e as t’i zvogëlohet domethënia. Jezusi dëshiron të thotë se asnjë dashuri tjetër nuk mund ta zërë vendin e dashurisë ndaj Hyjit. As dashuria ndaj prindërve, as ndaj fëmijëve, as ndaj të fejuarit/ës, as dashuria martesore, as ajo ndaj miqve… Napoeloni pati të drejtë kur tha se njerëzit shkonin pas tij, sepse ishin të detyruar. Ndërsa pas Jezusit shkojnë vetëm ata që e duan. Këtu qëndron dallimi mes dashurisë ndaj Jezusit dhe çdo lloj dashurie tjetër. Jezusi i kërkon gjitha, në mënyrë që të mund t’i marrim të gjitha. Kush e ka Jezusin, ai ka vërtet gjithçka, edhe pse në sytë e njerëzve mund të duket se nuk ka asgjë. Kush mendon se ka gjithçka e nuk e ka Jezusin, ai vërtet nuk ka asgjë. Jo, asnjë dashuri tjetër nuk është e denjë në krahasim me dashurinë ndaj Jezusit. Ta kuptosh dhe ta pranosh këtë gjë, do të thotë të jesh nxënës i Jezusit. Kjo gjë mund të pranohet vetëm me hirin e tij në gjunjë. Jo në biseda të «ëmbla», me takime të vazhdueshme, seminare dhe tregime. Pa takimin personal me Jezusin dhe pa përvojën personale të Hyjit Atë dhe të frymëzimit të Shpirtit Shenjt, nuk është e mundur të jetohen kërkesat e Ungjillit.

Nxënësi i Jezusit nuk është ndonjë lloj njeriu bredhës, rapsod mesjetar apo humorist. Ecja pas Jezusit nuk është punë qejfi, as nuk mund të jetë prej ndonjë interesi të këtushëm. Të jesh nxënës i Jezusit, kushton. Kush nuk është i gatshëm që ta marrë kryqin dhe të shkojë pas Jezusit, nuk mund të jetë nxënësi i tij. Me këtë gjë, Jezusi e shqyrton zemrën e nxënësit të vet. Lexuesit e Ungjillit të Shën Lukës, e kanë parasysh këtë gjë, sepse e panë Jezusin duke kaluar nëpër rrugët e Jerusalemit drejt kalvarit, duke mbajtur kryqin e vet. Si nxënës i Jezusit, unë nuk guxoj të çuditem para kryqeve, vështirësive dhe përpjekjeve. Kjo është pjesë e jetës. Për më tepër: kjo gjë e dallon nxënësin e Jezusit. Në këtë mënyrë, marr pjesë në misionin e Jezusit dhe jam i bashkuar në të. E sodis Jezusin që ecën para meje. Ndërsa unë shkoj pas tij.

O Zot, më jep fuqi që ta pranoj kryqin tim dhe të vij pas teje. Kam frikë nga kryqi dhe i shmangem shumë herë. Më ndihmo që ta kuptoj se kryqi është thelbi i mësimit tënd dhe i krishterimit. Pranoj se kjo gjë hyn shumë vështirë në meditimet e mia.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im! 28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose – cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe.

Të ulesh dhe ta planifikosh ndërtimin… të ulesh dhe ta planifikosh luftën. Jezusi tërheq vërejtjen se vendimi, që duhet ta marrim si nxënës të tij, duhet të jetë serioz, i themeluar dhe i llogaritur. Nuk guxojmë as ta vlerësojmë shumë, as ta nënçmojmë, por ta çmojmë ashtu siç është. Duhen matur fuqitë dhe mundësitë tona: a mund ta ndërrojmë një jetë të tillë dhe a mund ta udhëheqim një luftë të tillë? Një gjë është e sigurt: nëse e llogarisim veten me fuqitë dhe mundësitë tona, atëherë me siguri se nuk mund të nisemi pas Jezusit. Ta mendosh veten me aftësitë e tua, kjo do të thotë se nuk e ke kuptuar se çfarë kërkon Jezusi prej nesh, që jemi nxënësit e tij. Mirëpo, nga ana ime më duhet të bëj gjithçka që varet prej meje, t’i përdor të gjitha fuqitë dhe t’i kem parasysh dobësitë, përparësitë dhe mangësitë e mia.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.«

Përgjatë historisë, cili mësues ka qenë kaq kërkues sa Jezusi? Në këtë gjë dallohet «shkolla» dhe mësimi i tij nga të gjithë të tjerët. Shenja dalluese e nxënësit të Jezusit është kryqi, mohimi dhe vdekja në heshtje, pak nga pak, gjatë gjithë jetës. Kush nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, nuk mund të jetë nxënës i Jezusit. A jam i gatshëm që të rrezikoj kështu? A jam i gatshëm që t’i jap të gjitha? «Gëzimi i dhurimit», thoshte Atë Ante Gabriq, «është në dëshirën se dëshiron të dhurosh më shumë. Po ta jepja veten, atëherë do t’i dhuroja të gjitha. Kjo është më së shumti!» Zotëria, pikërisht këtë gjë kërkon «më së shumti!» Vetëm Ai është i denjë që t’ia japim të gjitha, me gjithë zemër.

 

 


Current track

Title

Artist