MEDITIMI I DITËS – TË LUTEMI GJITHMONË, KURRË MOS TË NDALOJMË
Written by Radio Maria on October 19, 2019
E diela njëzetenëntë gjatë vitit
Lk 18, 1-8 TË LUTEMI GJITHMONË, KURRË MOS TË NDALOJMË
Kërkoj hirin: që lutja ime të jetë si duhet dhe e qëndrueshme, që të di të lutem gjithmonë!
18 1 U tregoi edhe shëmbëlltyrën se si duhet të lutemi gjithmonë e kurrë të mos pushojmë. 2 Ai tha: “Ishte në një qytet një gjykatës që Hyjin nuk e dronte e për njerëz nuk e çante kokën.
Ja ku jemi para një teme gjithmonë të vjetër e gjithmonë të re. Jezusi shumë herë i kthehej kësaj teme. Ajo është e pranishme që kur është koha dhe njeriu mbi tokë. Kjo është lutja, drejtimi i njeriut kah Hyji. Ky është komunikimi i tij me Hyjin.
Të gjithë ne lutemi. Secili në mënyrën e vet. Ka aq shumë libra për lutjen, shumë uratore dhe libra të cilat janë shkruar që të na mësojnë për t’u lutur. Të gjithë ne shume herë kemi vendosur se do të lutemi në mënyrë më intensive dhe më me zjarr. Kjo zgjati pak kohë, pastaj e harruam këtë gjë. Të gjithë në mënyrën tonë bëjmë diçka në lutje. Ndonjëherë lexojmë lutjet e shkruara dhe ato na mbartin dhe na nxisin. Të gjithë ne e kemi përjetuar përvojën e hidhur “të lutjeve të padëgjuara”. Dhe në fund ndonjëherë pyesim: përse duhet të lutem? A thua nuk është kjo kohë e humbur? Më mirë të shkoj e të punoj. Të gjithë e kemi patur këtë tundim, sidomos në ato kohëra kur për ne lutja ka qenë e vështirë.
Jezusi ishte njeri i madh i lutjes. Çdo gjë në jetën e tij është e mbështjellë me lutje. Dita e tij në tërësi zhvillohej nën shenjën e lutjes. Prandaj është me i miri dhe i vetmi Mësues i vërtetë i lutjes. Çfarë na thotë sot?
Së pari, thotë se duhet të lutemi gjithmonë, pastaj na thotë se lutja duhet të jetë e vazhdueshme. Me këtë të fundit kemi më shumë vështirësi dhe mundime se sa kur thotë duhet të lutemi gjithmonë. Vërtetë lutemi gjithmonë e gjithkund. Një mik timin e pyeten në forcat e armatosura të Jugosllavisë ku lutet dhe si lutet. Ai u përgjigj pikërisht në stilin e Jezusit: “Lutem gjithmonë dhe gjithkund!” Ata asgjë nuk kuptuan. Vërtet nuk ekziston koha në të cilën nuk kemi mundësi të lutemi, as nuk ekziston vendi në të cilin nuk kemi mundësi të lutemi. Prapëseprapë, nuk do të shkojmë në çdo vend për t’u lutur.
O Zot, ti i vetmi e di vlerën e vërtetë, pushtetin dhe nevojën e lutjes. Gjithmonë u ktheve në këtë përmasë të jetës sonë. Ti je shembull se si duhet të lutemi. O Zot, ne jemi të padurueshëm. Jemi mësuar që të gjitha t’i kemi afër vetes në secilin çast. Të paguajmë dhe të marrim menjëherë. Në këtë mënyrë i vlerësojmë të gjitha gjërat. Kështu e vlerësojmë edhe jetën tonë në fe. Lutja na vendos në atmosferë tjetër. Ajo kërkon prej nesh më shumë durim dhe qëndrueshmëri. Kurse ne ankohemi se nuk kemi kohë, se jemi të lodhur, se nuk kemi fuqi, se nuk dimë, se na mungon ambjenti i vërtetë, se jemi të shkapërderdhur, se në jetën tonë gjërat shkojnë keq edhe pse lutemi… Lehtë do të gjejmë shumë arsyetime me të cilat e shfajësojmë amështinë tonë dhe dembelinë për lutje. O Zot, dua të dëgjoj seriozisht porosinë që ma dërgon kur ma tregon këtë shëmbëlltyrë.
3 Po në atë qytet ishte edhe një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai dhe i lutej: ‘Më mbro prej kundërshtarit tim!’ 4 Por ai s’u shqetësua për një kohë të gjatë. Dikur tha me vete: ‘Edhe pse s’e druaj Hyjin e për njerëz nuk e nxej kokën, megjithatë, 5 pasi kjo grua e vejë po më trazon, do ta mbroj që të mos vijë më të më mërzisë prore. ’“
Në këtë skenë kemi dy protagonistë shumë të ndryshëm dhe kryesorë. Këtu është gjyqtari pa ndjenja i cili nuk ka frikë prej askujt dhe për askënd nuk e çanë kryet. Ai nuk ka frikë as prej djallit as prej Hyjit. Të gjithë i përbuz. Ai ka pushtetin në qytetin e vet. Dhe këtu kemi edhe vejushën e shkretë. Ajo është në dorë të mëshirës dhe të pamëshirës së të pasurve dhe të fortëve. Nuk ka askënd për ta mbrojtur. Këta të dy janë përballë njëri-tjetrit. I mahnitemi qëndrueshmërisë dhe guximit të vejushës që erdhi të trokasë në derë të këtij njeriu. Na befason edhe lëshimi i këtij njeriu para qëndrueshmërisë së vejushës së varfër dhe të mjerë. Ky gjyqtar pa ndjenja nuk i del në ndihmë vejushës as nuk e zgjidh problemin e saj përse ajo e ka prekur. Ai e ndihmon sepse kjo gjë i hyn në punë, i ndihmon për arsye të vetvetes. E ka mërzitur, është duke e shqetësuar. Është e mërzitshme dhe nuk e le të qetë. Ai do paqen e vet. E shpëton fatkeqen për arsye të vetvetes dhe egoizmit të tij. Të gjitha këto na nxisin në meditim dhe na tregojnë atë gjë që Jezusi dëshiron të na dhurojë.
O Zot, do të doja të kisha në lutjen time gjatë jetës sime atë qëndrueshmëri dhe guxim të kësaj vejushe. Unë gjithmonë jam i vetëdijshëm se nuk trokas në derë të ndonjë personi pa ndjenja, por në derë të mëshirës dhe të dashurisë sate. Prapëseprapë, nuk jam i qëndrueshëm. Shumë shpejt lodhem dhe humb shpresën. Ma jep forcën që të jem më i qëndrueshëm.
6 Zotëria vazhdoi: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë! 7 Vallë, Hyji a nuk do t’i mbrojë të zgjedhurit e vet që i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Po a do të vonojë ndoshta me çështjen e tyre? 8 Unë po ju them: do të ngrihet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë atyre! Por, kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë?”
Jezusi e ka të qartë se Hyji i mbron të zgjedhurit e vet dhe se i dëgjon. Ne këtë gjë e shikojmë ndryshe. Kur kemi përshtypjen se lutja nuk u dëgjua, presim prej Hyjit që “t’u bindet” lutjeve tona. Shumë shpesh ndodh edhe kjo, ajo që ia kërkojmë Hyjit nuk është mirë as për ne. Çfarë do të ndodhte me ne po t’i dëgjonte Hyji të gjitha teket tona dhe po t’i plotësonte të gjitha kërkesat? Një gjë është e sigurt, Hyji ngrihet në mbrojtjen tonë sa herë që i drejtohemi, menjëherë, me nxitim, siç thotë Jezusi.
O Zot, përfundove mësimin tënd më një pyetje të dhimbshme. Përsëri i lidh së bashku lutjen dhe fenë. Në qoftë se lutja jonë është e gabuar, atëherë ajo nuk e ushqen besimin tonë. Në qoftë se nuk kemi fe të mjaftueshme, lutja jonë vyshket. O Zot, na ndihmo të dimë të lutemi si duhet dhe vazhdimisht. Vetëm lutja e tillë do ta ushqejë fenë tonë. Vetëm lutja e tillë do ta ruajë fenë tonë deri në ardhjen e dytë.