MEDITIMI I DITËS – TË LUTEM – POR SI?

Written by on July 26, 2019

E diela e shtatëmbëdhjetë gjatë vitit – C

 

Lk 11, 1-13 TË LUTEM – POR SI?

 

Kërkoj hirin: që t’i lëshohem në dorë Mësuesit të vetëm të lutjes që të më mësoj të them lutem!

 

11 1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.” 2 “Kur të luteni ‑ u tha Jezusi ‑ thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! 3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! 4 Na i fal mëkatet tona,  sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!”

            Kjo faqe është tepër e pasur për të vetëm një meditim. Lutja “Ati ynë” është e mjaftueshme që ta marrim ushqimin shpirtëror gjatë krejt javës. Paraqitja e Jezusit në lutje ishte aq e lartë dhe shpirtërore sa që nxënësit nuk merrnin guxim t’i afroheshin por e shikonin nga larg dhe prisnin që ta kryente lutjen. Vetëm atëherë iu afruan të mbartur nga një dëshirë e vetme. Duan të luten sikurse lutet Mësuesi i tyre. Disa e kanë takuar Gjon Pagëzuesin që ishte njeri i Hyjit dhe njeri i lutjes, ai edhe nxënësit e vet i mësoi të luten. Të njëjtën gjë ia kërkojnë Jezusit nxënësit e tij.

            Në këtë mënyrë u formua kjo lutje e vetme në të cilën mësojmë si të lutemi dhe çfarë të kërkojmë me lutje. Kjo është lutja që mësojmë në mesin e lutjeve të para. Kjo gjithashtu për shumë vetë është edhe lutja e vetme që dinë dhe që kanë mësuar. Kjo është lutja që për herë të fundit do ta shqiptojnë buzët tona kur do të dalim nga kjo botë e kalueshme në jetën e përjetshme.

Hyji është Ati jonë. Më këtë pohim Jezusi e fillon lutjen. Na drejton drejt tij. Kjo gjithmonë duhet të jetë e ngulitur në mendjen tonë. Emri i tij është i shenjtë dhe mbi çdo emër, ndërsa kërkesa për ardhjen e mbretërisë duhet të jetë e para në mesin e kërkesave dhe dëshirave. Pastaj kërkojmë bukën e përditshme për të cilën kemi nevojë. Pranë kësaj buke kemi nevojë që të na falen të këqijat tona dhe ndihma që mos të biem në kurthin e të Keqit. Kam mundësi që gjatë kësaj jave shumë herë ta lus ngadalë këtë lutje duke iu përkushtuar meditimit të secilës fjalë dhe fjali. Do të mundohem të përjetoj atë frymë që ishte atëherë kur Jezusi të parën herë para nxënësve e luti këtë lutje.

            O Zot, të falënderoj për këtë lutje. Të falënderoj që ju tregove nxënësve të tu se si duhet të lutemi. Lutja ishte vazhdimisht e pranishme në përditshmërinë tënde. Ajo e përfshiu plotësisht dërgimin tënd. Nxënësit e kuptuan këtë gjë dhe të kërkuan që t’i mësosh të luten. Kjo është edhe lutja ime, o Zot. Unë nuk di të lutem. Ja këtu jam para lutjes që na mësove ti. Të falënderoj që Hyjit kam mundësi t’i drejtohem si atit tim. Dua që në jetën time të shenjtërohet emri i tij, sepse aq shpesh dëgjoj se si emri i tij përlyhet përmes sharjes. Na fal, o Zot, këtë zakon të keq. Na ndihmo që ta tejkalojmë. Më ndihmo që të jetoj ashtu që jeta ime të bëhet shpallje e Mbretërisë sate, mbretërisë së dashurisë dhe të paqes, mirësisë dhe drejtësisë.

             O Zot, ti na mëson se si duhet të lutemi për bukën e përditshme. Të falënderoj që nuk me mungon asnjë ditë. Po të lutem edhe për ata që kanë uri. Bëj që të kemi zemër të ndjeshme edhe për ta dhe kjo thirrje të bëhet vepruese që të gjithë njerëzit të kenë bukën e përditshme në mënyrë të mjaftueshme. Të falënderoj që na fal dhe se mund të vijmë te ti secilën herë pasi të kemi braktisur dhe jemi larguar nga ti. Në udhët tona ka shumë prita, i Keqi është i kujtueshëm në kurthet e veta. Na ndihmo që gjithmonë të llogarisim në ty kur na duhet të përballemi me të Keqin.

5 Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë, ’ 7 e ai prej brenda i përgjigjet: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ ‑ 8 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit.

            Jezusi vazhdon porosinë e vet… Nëse miku është i gatshëm këtë gjë t’ia bëj mikut, aq më shumë besim kemi mundësi të mbështetmi në Hyjin dhe ndihmën e tij. A e kam këtë fe, shpresë dhe qëndrueshmëri? A trokas? “A thërras pa u ndalur aspak?” O Zot, mos lejo që të lodhem dhe ta ndërpres lutjen edhe pse shpesh më duket se nuk ka përgjigje dhe se dyert nuk më hapen.

9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera. 11 Dhe, cili prej jush që është babë, po i lypi djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? 13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!”

            Këto janë fjalë ngushëllimi dhe mbështetjeje. Ja pasuria me të cilën Ati dëshiron të na pasurojë. Ati do të na mbushë me dhuratën e Shpirtit Shenjt. Të falënderoj, o Zot, që na nxit që mos të dobësohemi dhe mos të ndalemi në lutjen tonë, duke kërkuar, duke trokitur. Ne jemi të padurueshëm. I duam të gjitha dhe menjëherë. Shumë shpejt lodhemi dhe ndalemi nëse nuk ndodh siç duam ne. Na ndihmo që të lutemi si duhet dhe si do ti. Na fal kur nuk dimë më mirë. Kjo lutje që na mësove le të jetë themeli i lutjeve tona, këto fjalë dhe figura le të na nxisin që të jemi të qëndrueshëm dhe të besojmë në ty sa herë që ta drejtojmë lutjen tonë.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend