MEDITIMI I DITËS – TË GJITHË TË KËRKOJNË!

Written by on February 3, 2018

E diela e pestë e kohës gjatë vitit B

 

Mk 1, 29-39 TË GJITHË TË KËRKOJNË!

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi më bën të lumtur përgjithmonë.

 

Jezus, të gjithë të kërkojnë!

Ne kemi nevojë për ty. Edhe sot kemi nevojë të madhe për ty. Aq shpesh lutemi. Në vazhdimësi kërkojmë përmes nëntësheve dhe kushteve tjera, agjërojmë dhe presim që të kesh mëshirë për ne. Nevojat e njerëzve janë gjithmonë të njëjta. Shëndeti dhe fatmirësia, paqja dhe bekimi, mbrojtja dhe ndihma gjithmonë na nevojitën, e të gjitha këto askush nuk mund të na i sigurojë përveç teje.

Mirëpo, o Jezus, besoj se Ti dëshiron të të kërkojmë ashtu si ti na zbulohesh dhe na dhurohesh. Besoj se ti dëshiron të na japësh shumë më shumë se sa është shëndeti, shumë më shumë se sa është ngushëllimi i përkohshëm, shumë më shumë se sa është plotësimi i kërkesave që dalin prej nevojave tona.

Ti do të na dhurosh shëlbimin, çdo gjë që ti je dhe mbartë në vetvete. Ti erdhe që jo vetëm prej se larti të zbrazësh mbi ne ndonjë hir, sepse na dhe pushtetin që të bëhemi bijtë dhe bijat e Hyjit. Ti do që në pushtetin e bijve dhe bijave të Hyjit të zbulojmë krejt madhërinë e dhurimit dhe të gëzimit, sepse dhuratat e tua janë të përjetshme dhe të vazhdueshme. Ti do që ne të jemi të lumtur jo vetëm sot, jo vetëm disa vite, jo vetëm në këtë jetë tokësore, por përgjithmonë, gjithmonë me ty në bashkim edhe në lavdi!

 


Current track

Title

Artist