MEDITIMI I DITËS – TË FALËSH NGA ZEMRA

Written by on March 20, 2017

Mt 18, 21-35 TË FALËSH NGA ZEMRA

 

Kërkoj hirin që të jem i mëshirshëm dhe të di që të fal me gjithë zemër.

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti: “Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” 22 Jezusi iu përgjigj: “Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

«Sa herë të fal?», pyeti Pjetri për atë gjë që e mundonte dhe e përndiqte. Ndoshta jetonte në ngatërresë me dikë? Ndoshta kishte diçka kundër dikujt apo dikush kishte diçka kundër tij? Qartë, Pjetrin e kishte goditur fuqishëm ky problem. Prandaj, e pyeti Zotërinë se çfarë mendonte për këtë gjë. Nuk e shtronte çështjen e rëndësisë së gabimit, por thjesht gatishmërinë e njeriut dhe aftësinë e tij për të falur. Sa duhet të jetë i gatshëm? Sa duhet të falë njeriu?

Kjo është pyetja e amshueshme për marrëdhëniet ndërnjerëzore, për komunikimin tonë të ndërsjellët. Kjo është pyetja që e ka burimin në lëndimet tona të përditshme, në ngatërresat tona, në plagët më të rëndësishme që na djegin dhe na shkaktojnë dhimbje. Ato paraqiten për shkak të mbylljes sonë para të tjerëve ose për arsye të mbylljes mendjemadhe që është në ne.

Prandaj, është e nevojshme që, në lutje, ta shikojmë jetën tonë dhe të përballemi sinqerisht me pyetjen e Pjetrit, që në këtë çast bëhet pyetja ime. Si e përjetoj këtë pyetje në jetën time? Me kë i kam ndërprerë marrëdhëniet në jetën time? Me kë nuk dua të bisedoj? Prej kujt e kthej kokën në anën tjetër dhe me kë nuk dua të flas, as t’ia kthej përshëndetjen? Thjesht, kë më duhet ta fal? Ndoshta diçka nuk është në rregull në rrethin familjar, në bashkësinë time, me fqinjët e mi apo në vendin e punës? O Zot, kë më duhet të fal, qoftë edhe një herë të vetme?

Pjetri, pak a shumë, ishte mjaft bujar. Të falësh dikë shtatë herë nuk është aspak punë e vogël. Ky numër ka në vetvete simbolin e përsosmërisë. Prapëseprapë, është numër i kufizuar, i mbyllur në numër të caktuar, «shtatë». Jezusi shkoi përtej kësaj bujarie të përsosur. Përsëri e kapërceu simbolikën e hebrenjve, sado e përsosur dhe bujare që ishte ajo, sepse gjithmonë mbetej e mbyllur në një kornizë të caktuar, duke e hapur atë e që kështu të mos kishte kufij. Në këtë mënyrë, falja më vendos në sferën e dashurisë. Atje nuk ka më kufij. Aty nuk ka masë, nuk ka vlerë, as nuk përdoret kurrfarë llogaritjeje. Edhe kësaj here, kur bëhet fjalë për të njëjtin njeri, për vëllain ose motrën time, të cilët më lëndojnë duke rënë në të njëjtin gabim, edhe atëherë më duhet t’i fal pa kufij. Në qoftë se nga jashtë nuk ia dalim menjëherë që ta përmirësojmë marrëdhënien tonë, sepse ndonjëherë plagët janë tepër të thella dhe të freskëta, atëherë në brendinë tonë duhet ta krijojmë atmosferën për falje dhe duhet të lutemi që të fitojmë mbi urrejtjen ose ndjenjat e hakmarrjes që paraqiten në ne.

Në Besëlidhjen e Vjetër ishte e njohur mënyra e Lamekut për t’u hakmarrë. Kënga e ashpër e hakmarrjes për Lamekun dëshmon për dhunën gjithnjë e më të madhe dhe hakmarrjen e pasardhësve të Kainit. Në qoftë se Kaini ishte shpaguar shtatë herë, atëherë Lameku do të shpaguhej shtatëdhjetë e shtatë herë. Në këtë mënyrë, e keqja shumëzohej me rritjen gjeometrike dhe bëhej shkatërruese. Për këtë arsye, Jezusi ishte kaq kërkues dhe shkoi deri në fund. O Zot, më ndihmo që të mos fitojë e keqja mbi mua, por, me ndihmën tënde, bëj që të ngadhënjej me të mirë mbi të keqen.

Vetëm kur ia dalim ta mposhtim arsyetimin krejtësisht njerëzor, ne mund ta kuptojmë se kërkesa e Jezusit është ajo që vazhdon të flasë përsëri për Mbretërinë e Hyjit.

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin. 28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej’. 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

Është mirë ta shohim mirë dallimin e borxhit e pastaj mirënjohjen për faljen. Dhjetë mijë talenta janë dhjetë milion denarë, e një denar ishte pagesa ditore e një punëtori. Zotëria ia fali një shumë të paimagjinueshme të hollash një shërbëtori që ia kishte borxh, e ky nuk ishte në gjendje t’ia falte shokut të vet shumën njëqind milion herë më të vogël. Qartë, sipas kësaj shëmbëlltyre, vetëm Hyji mund ta falë një borxh të tillë. E ne nuk jemi të gatshëm t’ia falim njëri-tjetrit as borxhet shumë herë më të vogla.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin. 35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.

Është e nevojshme që gjatë Kreshmëve të bëhem i vetëdijshëm për besimin që kam në Hyjin dhe në faljen e Tij. Këtë Kohë të Kreshmëve duhet ta shfrytëzoj që të hapem sinqerisht përpara besimit në Hyjin dhe veprimit të Tij në jetën time. Mëshira e Hyjit nuk ka kufij. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se tani më duhet të jem i pakujdesshëm, i dhunshëm dhe i pamëshirshëm. O Zot, mëshira dhe falja Jote le të më nxisin që edhe unë të veproj në përputhje me Shpirtin Tënd. Falja ime të mos bëhet nga frika para ndëshkimit, por sepse Ti je i pranishëm në jetën time dhe e kërkon këtë gjë prej meje.

 


Current track

Title

Artist