MEDITIMI I DITËS – TAKOJ ZOTËRINË

Written by on November 17, 2016

Lk19, 45-48 TAKOJ ZOTËRINË

E Premte

 

Kërkoj hirin: që ta përjetoj Kishën si vend të takimit me Zotërinë.

 

Në atë kohë, 45 kur Jezusi hyri në Tempull, zuri t’i dëbojë jashtë shitësit.

Jezusi si hebre besnik e donte Tempullin. Qëllimi i ardhjes së tij në Jerusalem ishte që ta vizitonte Tempullin. Tempulli ishte simboli i lidhjes së hebrenjve me Hyjin e vetëm dhe me besnikërinë që kishte për këtë popull. Për këtë arsye e kishin ndërtuar me mënyrë të mrekullueshme dhe e kishin stolisur me stoli të jashtëzakonshme. Hebrenjtë nuk kursyen asgjë derisa e ndërtuan dhe e zbukuruan. Krejt lavdia e Jerusalemit ishte në Tempull. Ai ishte mburrja e mbarë popullit.

Me kohën filluan të ndodhnin disa gjëra rreth Tempullit dhe në Tempull, që nuk përputheshin me madhërinë dhe nderin e këtij vendi. Disa njerëz, që nuk e çmonin aq shumë kultin sa e çmonin fitesën, shfrytëzuan rastin dhe e shndërruan në treg. Tregtarët shisnin gjërat e nevojshme dhe të panevojshme. Ngritën tryezat, shpërndan gjërat dhe e mbushën vendin. Shumë shpesh ngrinin çmimet duke i dëmtuar shtegtarët e thjeshtë dhe të përshpirtshëm. Në këtë mënyrë me sjelljen dhe pështjellimin e tyre, e shndërruan vendin e shenjtë në treg dhe i pengonin shtegtarët që t’i afroheshin lirisht Tempullit. Me zhurmë dhe pështjellim pengonin përshpirtërinë e vërtetë. Kjo gjë vërteton se nuk ka gjë të cilën njeriu nuk ka mundësi ta përmbys, qoftë kur bëhet fjalë për gjërat materiale ose për gjërat shpirtërore. Ky «spektakël»  e tmerroj Jezusin. U ndal midis kësaj tregtie dhe pështjellimi. Të gjitha i përngjanin tregut dhe jo shtëpisë së Hyjit. Jezusi i pa të gjitha dhe hidhërimi shpërtheu në të. Mendoj në vete: Jo, nuk mund të bëhet më kështu! Sikurse nuk pati mundësi t’i ndaloj lotët mbi Jerusalemin e pabesë, kështu në këtë moment nuk pati mundësi ta ndal hidhërimin për të gjitha ato që po bëheshin në Tempull. Filloj t’i dëboj tregtarët.

Çfarë spektakli u bë tani. Askush deri më tani nuk pati guxim ta bëj një gjë të tillë. Mbaroj pështjellimi. Nuk do të dëshiroja që në atë moment të isha në rrugë përballë Jezusit që po përmbyste gjithçka për të vendosur rendin.

46 U tha: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi lutjeje e ju e bëtë shpellë cubash!’“

Shtegtarët nga jashtë po shikonin ngjarjen. Njerëzit iknin para Jezusit. Askush nuk kishte guxim ta kundërshtonte. Në tempull jehonte zëri i tij i fuqishëm me të cilin qortonte tregtarët dhe shitësit tjerë, ndërsa ndërruesve të të hollave jua rrëzoj tavolinat. Kjo gjë u kujton bashkëkohanikëve fjalën e Isaisë profetë (56, 7) që në kohën e vet i qortonte hebrenjtë për përjashtimin që po ia bënin vetvetes. Ai thoshte se Tempulli është shtëpi lutje për të gjithë popujt dhe se askush nuk duhej të përjashtohej prej tij. Tempulli është Shtëpi lutjeje dhe vend i takimit të njeriut me Hyjin. Ata për shkak të interesave personale e bën shtëpi cubash. Jezusi citon Jereminë profet (7, 11) kur në kohën e tij u tërhiqte vërejtjen hebrenjve për shkak të formalizmit të jashtëm. Hyji do që të nderohet nga zemra e jo vetëm me shenjat e jashtme. Edhe Jezusi, duke vepruar kështu dëshiron t’ia kthej tempullit domethënien e vërtetë të kultit.

O Zot, ti e «pastrove tempullin». Dëshiron që të jetë vend në të cilin njeriu e gjen paqen për zemrën dhe për jetën e paqetë. Si kishte mundësi ta gjente këtë paqe në pështjellim dhe në treg? Na ndihmo edhe ne që tempujt  tanë, kishat dhe kapelat tona, t’i përjetojmë si vende lutjeje dhe oaza të takimit me ty. Më jep fuqi që edhe unë të kundërshtoj kundër dukurive që bëjmë pështjellim me kishat dhe kapelat tona. Më ndihmo që me guxim të kundërshtoj çdo gjë që e rrënon dinjitetin e Hyjit në botën tonë.

47 Çdo ditë mësonte në Tempull. Kryepriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta vritnin, gjithashtu edhe krerët e popullit  48 por s’i gjetën assesi mënyrën, sepse mbarë populli e dëgjonte i rrëmbyer prej fjalëve të tij.

Jezusi ia ktheu Tempullit dinjitetin e tij. Tani njerëzit kishin mundësi të vinin lirisht, të luteshin dhe t’i paraqisnin flitë. Erdhën për ta dëgjuar Jezusin që vazhdonte të fliste për mbretërinë e Hyjit për mëshirën dhe për shëlbimin. Njerëzit e thjeshtë dalluan në Jezusin të dërguarin e Hyjit dhe profetin e madh. Prandaj e dëgjojnë me endje. I mahniste fjala e tij, siç thotë Shën Luka. Mirëpo, të gjithë nuk mendonin ashtu dhe nuk e pranonin Jezusin. Pasi që Jezusi e pastroj Tempullin dhe paralajmëroj mënyrën e re të kultit, disa hebrenj e shikonin si armik. Këta ishin ata që e drejtonin popullin, priftërinjtë dhe skribët. Vetëm vdekja e Jezusit këtyre njerëzve do tu kthej paqen dhe qetësinë. Filluan për të bashkuar arsyet që do ta arsyetonin gjykimin e Jezusit me vdekje. Jezusi kundërshton ashpër mënyrën e mendimit dhe të veprimit të tyre. Ata e ndjejnë veten të rrezikuar, për këtë arsye bëjnë gjithçka për ta vrarë Jezusin. Procesi kundër Jezusi tashmë ka filluar. Në të vërtetë tani për tani ata s’kanë mundësi t’i kundërshtojnë asnjë gjë por pas pak do të kujdesen që ta bëjnë edhe këtë gjë.

O Zot, dua të jem afër teje! Më ndihmo që të dëgjoj çfarë më thua! Dëshiroj të më mahnit edhe mua fjala jote që sjell paqen, ngushëllimin dhe nxitjen! Më ndihmo që t’i rrijë besnik secilën ditë!


Current track

Title

Artist