MEDITIMI I DITËS – TAKIMI ME ZOTËRINË
Written by Radio Maria on December 22, 2016
Mal 3, 1-4.23-24 TAKIMI ME ZOTËRINË
Kërkoj hirin: që nesër të jem i gatshëm për takim me Zotërinë.
1 “Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, ‑ thotë Zoti i Ushtrive.
Në lutjen dhe meditimin tonë ndërrohen tekstet të cilat i shkruan profetët. Këto janë profetizime të cilat i shpallën në ndikimin e Shpirtit të Hyjit. Kisha me vëmendje i ka zgjedhur për lexime gjatë kohës së Meshës në Kohën e Ardhjes. Sot e dëgjojmë lajmëtarin e ri, Malakinë profetë emri i të cilit do të thotë «Lajmëtari im». Edhe ai me zë të lart tërheq vërejtjen dhe tregon të këqijat të cilat i bëjnë priftërinjtë dhe besimtarët. Ai e shpall Ditën e Zotërisë në të cilën Zotëria do të pastrojë çfarë është e papastër, do të zhduk të këqijtë dhe do ta sigurojë fitoren e të drejtëve.
Hyji dërgon lajmëtarin që do ta përgatis udhën. Ai lajmëtar njëjtësohet me Elinë profet. Teksti i përshkruhet Gjon Pagëzuesit si Elisë së ri që thërret në përgatitje të udhës përpara ardhjes së Jezusit.
Përsëri jemi të thirrur që të përgatitemi për ardhjen e Zotërisë. Përngjasimi për përgatitjen e udhës është shumë domethënës dhe i qartë. Nuk është e lehtë të ndërtohet udha. Së pari duhet studiuar terrenin nëpër të cilin do të kalojë rruga. Duhet zgjedhur grykat nëpër të cilat udha do të kalojë. Ka rëndësi që të ketë sa më pak ngrije dhe zbritje, që tatëpjetat të jenë sa më të vogla. Duhet pas para sysh kalimin e lumenjve dhe të prrojeve në të cilat duhet të ndërtohen urat. Këtu kemi përngjasimin e jashtëzakonshëm që na drejton në përgatitjen tonë të brendshme. Ky përngjasim na flet për ndërtimin dhe për formimin e një gjëje të re. Ne ndoshta shumë shpesh jemi të drejtuar drejt gjërave negative që kemi e të cilat përpiqemi që t’i heqim, kundër të cilave na duhet të luftojmë. Në këtë mënyrë shumë shpejt kemi mundësi të lodhemi e të molisemi. Kemi mundësi të humbasim vullnetin për këtë mënyrë të përgatitjes se brendisë sonë.
Të përpiqemi që për pak kohë ta ndryshojmë «taktikën». Të ndërtojmë në ato vlera të cilat i kemi, të cilat janë të mira dhe fisnike. Në qoftë se drejtohemi drejt tyre, ndoshta do të përjetojmë më shumë gëzim dhe optimizëm se sa kur vetëm mendojmë na ato gjëra që duhet të përmirësojmë. Duke ndërtuar realitetet pozitive, ua marrim hapësirën gjërave negative. Kur në botën në të cilën jetojmë e vendosim optimizmin, atëherë para tij zhdukët pesimizmi. Kur përhapim gëzimin, do të ketë më pak hidhërim. Nuk duhet të përpiqemi vetëm drejt luftimit të gjerave negative. Të punojmë në realitetet pozitive dhe gjërat negative do të dukën më pak, sepse do iu lëshojnë vendin gjërave pozitive. Sicili duhet ta njoh vetveten dhe të shohë se cila mënyrë për të është më e mira dhe më e dobishmja që të përgatitet për takim me Zotërinë. Në qoftë se kjo gjë, janë lufta dhe shkatërrimi i zakoneve të këqija, atëherë ta bëj këtë gjë. Në qoftë së është ndërtimi i zakoneve të mira, le ta bëj këtë gjë. Në qoftë se është ndërtimi i zakoneve të mira dhe ndërtimi i vlerave të përjetshme, le ta bëj këtë gjë. Në fund të fundit njëra dhe tjetra mënyrë na sjellin deri tek qëllimi i njëjtë.
Ka rëndësi të shohim se Zotëria po vjen dhe se dëshiron të takohet me mua. Si do ta pres dhe çfarë duhet të bëj, këtë më se miri e di unë. A e dëshiroj vërtetë këtë takim? A jam i gatshëm vërtetë ta pres si i ka hije?
2 Kush do t’i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan! 3 Do të ulet për të shkrirë e për të pastruar argjendin. Do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i kullojë porsi arin e argjendin që të mund t’ia kushtojnë Zotit në drejtësi flitë.
Zotëria vjen në thjeshtësi dhe në dobësi. Vjenë në vogëlsi dhe paaftësi të foshnjës. Mirëpo mos të harrojmë se po vjen Hyji. Ai në të njëjtën kohë edhe na tejkalon pafundësisht dhe vjen me fuqi, siç na përshkruan këtu profeti. Nuk dëshiron që të jemi duarkryq dhe të pakujdesshëm. Asnjë e keqe dhe asnjë mëkat nuk kanë mundësi të qëndrojnë para tij. Ai e përpin të keqen si zjarri dhe si fia e zhduk ndyrësinë e mëkatit. Më duhet të rri në këmbë ose të ulëm në gjunjë para Betlehemit në të cilin rri i shtrirë Zotëria duke e adhuruar në thellësinë e zemrës.
O Zot, pastroje zemrën time nga mëkatet. Digje papastërtinë dhe të ndyrësinë, më zbukuro. Hyr në brendinë time dhe bëje të bardh dhe të shndritshme. Le të shndrisë me dritën tënde. Përmbushe me ngrohtësinë e pranisë sate.
4 Atëherë do t’i pëlqejë Zotit flia e Judës dhe e Jerusalemit si në ditët e dikurshme, si në vitet e para.
Mesia gjithashtu do të pastrojë edhe rendin e priftërinjve që vjen nga fisi i Levit. Ai e sjell mënyrën e re të adhurimit të Hyjit. Flijimet nuk do të jenë më flijim i kafshëve. Vetë Mesia bëhet fli. Ai është fli e pëlqyeshme dhe e drejtë. Eukaristia do të jetë fli në të cilën Zotëria do të dhurohet në vazhdimësi, mirëpo do të jetë fli në të cilën ka mundësi të dhurohet edhe secili krishterë në bashkim me Krishtin duke iu dhuruar Hyjit. Krishti e ofroj vetveten. Për këtë arsye ai është flia e vetme, e vërtetë dhe e përsosur.
23 Dhe ja, unë do t’ju dërgoj Elinë profet para se të vijë Dita e Zotit e madhe edhe e tmerrshme. 24 Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë e zemrat e bijve kah etërit e tyre, që kur të vij, të mos e godas vendin me mallkim!”
Vetëdija për paraqitjen e Elisë ishte e pranishme në mënyrë të fuqishme në popullin Hebre. Nga Elia presin se do të vendos marrëdhënien e drejt mes etërve dhe bijve. Besimi në ardhjen e Elisë gjithashtu ishte edhe shenjë e rëndësishme e eskatologjisë së Hebrenjve. Jezusi iu sqaroj bashkëkohanikëve të vet se Elia tashmë ka ardhur në personin e Gjon Pagëzuesit.