MEDITIMI I DITËS – TA LEJOJMË HYJIN QË TË JETË I MIRË ME TË GJITHË

Written by on September 23, 2017

E diela e XXV gjatë vitit A

 

Mt 20, 1-16 TA LEJOJMË HYJIN QË TË JETË I MIRË ME TË GJITHË

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Hyji është i mirë për secilin njeri.

 

Po më befason, o Zot, më këtë shëmbëlltyrë. Ti i befasove edhe të gjithë punëtorët në vresht. Ata që punuan gjithë ditën morën të njëjtën pagë si edhe ata që shkuan të punojnë një orë të vetme. Ti gjithë u barazuan në shpërblim. A thua nuk merituan të parët dhe ata që erdhën për të punuar menjëherë pas tyre diçka më shumë se këta të fundit?

Pak më shumë? Gjithmonë pyes vetveten çfarë domethënie ka denari yt, o Zot. A nuk është ky thjeshtë shpërblimi i dashurisë sate, shpërblimi që tejkalon çdo meritë njerëzore, shpërblimi që në thelbin e vet është shumë herë më i madh se çdo mëditje që mund të meritohet? Denari është hiri, është dhurata, dashuria, hyrja në fshehtësinë e jetës sate hyjnore. Denari është dhurata e Zemrës sate. Kush ka mundësi të mendoj se këtë gjë e ka merituar, ose më shumë: kush mund të mendoj se ka merituar më shumë se sa iu dhurua? A thua nuk është kjo dhurata më e madhe?

Punëtorëve të fundit iu dhe një denar, shpërblimin e pastër të Zemrës sate. Edhe të parëve iu dhe nga një denar, dhuratën e pastër të Zemrës sate. Po, o Jezus, të gjitha janë dhurata jote. Dhuratë është edhe thirrja jote për të punuar në vresht. Dhuratë është edhe vendi i punës tek ti. Dhuratë është të guxosh të bësh diçka për Ty. Dhuratë është të guxosh të jetosh për Ty. Dhuratë është, o Jezus, të jesh pjesëtar i hirit të thirrjes sate. Mundim dhe vuajtje e madhe është të jetosh larg teje, o Jezus. Mundim është kur rri në rreze të diellit dhe pret që dikush të të vërej, të të shoh dhe të të besojë. Mundim i madh është të jetosh në pasiguri.

Të gjithë i befasove me thirrjen tënde. Edhe ata herët në mëngjes, edhe ata të tjerët gjatë vizitave tua që ia bëre kësaj toke me thirrje të ndryshme, edhe atyre që i thirre në çastin e fundit që të punojnë në vreshtin tënd. Të gjithëve u dhe mundësi. Të parët i nxore nga gjendja e pritjes së pasigurt sipas dashurisë sate në fillimin e ditës së tyre, në fillimin e jetës. Iu dhurove hirin e jetës së zakonshme si besimtarë. Kjo nuk është arsye për meritë por për falënderim, sepse iu dhurove dashurinë tënde dhe patën mundësi të kënaqen në siguri dhe në paqe të punës në vreshtin tënd. Më së vështiri e patën punëtoret e fundit, sepse kohën e tyre e kaluan në errësirë, padituri dhe pasiguri. Edhe ata i thirre, sepse ti je i mirë. Edhe ata i shpërblen me të njëjtin shpërblim: vetveten, denarin dhe dashurinë, sepse ti je i mirë.

A guxoj të kërkoj diçka më shumë, a guxoj të mendoj, o Zot, se kam merituar diçka më shumë, derisa ti çdo ditë me dhurohesh në Kungim si peng i jetës së amshuar? A guxoj të mendoj se padrejtësisht i shkele të drejtat e mia kur shikoj si sipas mendimit njerëzor, se të tjerët e kanë më lehtë, se nuk kanë vështirësi siç kam unë, se jeta e tyre është pa probleme? A guxoj të mendoj ashtu, e pra Ti me dhurohesh duke më dhen çdo gjë? Vetveten! Të falënderoj, o Zot, që je i mirë! Ji i mirë, sepse ky është rasti im i vetëm që ta marrë shpërblimin qoftë edhe vetëm në orën fundit të jetës sime!


Current track

Title

Artist