MEDITIMI I DITËS – TA KUNDËRSHTOSH TË KEQIN

Written by on March 22, 2017

Lk 11, 14-23 TA KUNDËRSHTOSH TË KEQIN

 

Kërkoj hirin që të kuptoj se vetëm me Jezusin mund ta kundërshtoj dhe ta mposht të keqin.

 

14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve”.

Paraqitja publike e Jezusit u shënua me shfuqizimin e të Keqit. Kjo ishte lufta e parë për njeriun, të cilin i Keqi dëshiron ta shkatërrojë. Misioni i Tij është angazhim i plotë për njeriun dhe të mirën e tij. Jezusi tregon se si problemi nuk është vetëm në zgjedhjen e lirë që njeriu ka për të bërë të keqen, por se i Keqi është jashtë njeriut dhe do që ta robërojë dhe ta shkatërrojë. Ekzistojnë fuqitë e këqija, të cilat marrin formë në mënyra të ndryshme, dhe njeriu shpesh nuk ka mundësi që t’i kundërshtojë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këto luftëra janë më të vështirat, më të fortat dhe më të rrezikshmet. Njeriu nuk guxon ta fillojë këtë luftë vetëm. Kjo është luftë e vërtetë, reale, pra edhe rreziku që i kërcënohet njeriut është krejt real. Vetëm së bashku me Jezusin kemi mundësi ta pranojmë luftën kundër të Keqit. Nga jeta e etërve të shkretëtirës kemi shumë thënie që na japin zemër. Ja një prej tyre:

«Njëherë një plak po rrinte në tempull. Djajtë erdhën dhe i thanë: ‘Largohu prej vendit tonë!’ Plaku iu përgjigj: ‘Ju nuk keni vend, aq më shumë, tempulli nuk është vendi juaj!’ Atëherë djajtë filluan t’i rrëzojnë të gjitha palmat që ishin përreth, e plaku me qëndrueshmëri i kthente në vendin e tyre. Më në fund, një nga djajtë e kapi për dore dhe e shtrëngoi fort, filloi që ta nxirrte jashtë. Kur e shpuri te dera, plaku me dorën tjetër u kap për dere dhe bërtiti: ‘Jezus, më ndihmo!’ Në këtë çast, djalli e lëshoi menjëherë dhe iku, ndërsa plaku nga mundimi dhe trishtimi filloi të qajë. Zotëria i tha atëherë: ‘Përse qan?’ Plaku iu përgjigj: ‘sepse djalli mori guxim e preku dhe e shtrëngoi njeriun, duke vepruar kështu me të’. Jezusi i tha: ‘Përse harrove dhe ishe i pakujdesshëm? Sa më ftove dhe më thirre, menjëherë erdha dhe më gjete pranë. Djalli u frikësua, u largua dhe të la të qetë!’»

Ky tregim na tregon se si mundemi konkretisht të luftojmë kundër të keqit, vetëm së bashku me Jezusin. Ai erdhi për të korrur fitore mbi të keqin, i dëboi fuqitë e këqija dhe e liroi njeriun. O Zot, ji afër meje sa herë që e kam të domosdoshme, sa herë që jam në luftë. Ma thuaj edhe mua atë fjalë që ia the plakut: «Sa më ftove dhe më thirre, menjëherë erdha dhe më gjete pranë».

16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj.

Disa njerëz të kohës së Jezusit nuk pranuan asgjë të tijën. Nuk e duronin dhe ishin të gatshëm të bënin gjithçka për t’i bërë keq. Edhe atëherë kur Jezusi e kreu një të mirë të pamohueshme në dobi të njeriut, ata edhe këtë gjë e shpjegonin në mënyrën e tyre. Në mënyrë të hapur shpifnin kundër Jezusit, duke thënë diçka që në vetvete ishte plotësisht e pavërtetë. Logjika krejt e thjeshtë tregon se çdo përçarje çon në shkatërrim, sepse forca është në lidhjen e ndërsjellët dhe në bashkim, pra në njësim. Sa të verbër ishin njerëzit në këtë pikëpamje! Në mënyrë krejt të thjeshtë i thoshin Jezusit se i shërbente Beelzebulit dhe se me fuqinë e tij i dëbonte djajtë. Sa gjëra mund të shqiptojë njeriu që e ka zemrën e ngurtësuar, sa shpifje mund t’i thotë vetëm pse është xheloz. Në xhelozinë e vet shpif për tjetrin, duke i paraqitur gjërat negative. Mirëpo, njeriu nuk ndalet këtu. Ai është i gatshëm të bëjë edhe më shumë, paraqet çdo gënjeshtër, shpik çdo gjë kundër të afërmit, vetëm e vetëm që ta dëmtojë dhe ta turpërojë.

O Zot, më ndihmo që ta shoh të mirën që e bëjnë të tjerët. Më ndihmo që të mos jem smirëzi, mos lejo që ta kundërshtoj të mirën që bëjnë. Më ndihmo që ta kuptoj se aty ku është e mira, aty je edhe Ti i pranishëm.

20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit! 21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij. 23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.

Epërsia e Jezusit mbi djallin dhe zbulimi që ia bën atij paraqesin fillimin e ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit. Jezusi, duke ardhur në tokë, hapi kohën e re të Hirit të Hyjit, epokën e re të Shpirtit të Hyjit. Të gjitha këto janë peng se i keqi nuk do ta ketë fjalën e fundit dhe se njeriu e mori shëlbimin në mënyrë përfundimtare. Mirëpo, njeriu është i thirrur që në liri të zgjedhë nëse do të bashkëpunojë me të mirën ose me të keqen. Në njeriun është vendi i ngatërresave dhe atij i duhet vazhdimisht t’i dallojë lëvizjet shpirtërore që paraqiten në të dhe e drejtojnë veprimtarinë e tij. Jezusi flet drejtpërdrejt dhe qartë për këtë gjë: «Kush nuk është me mua, është kundër meje!»

Të jesh me Zotin do të thotë të përcaktohesh për jetën e plotë, do të thotë të bashkosh thesarin dhe mirësinë që nuk i jep kjo botë. Kjo do të thotë ta marrësh seriozisht thirrjen e Jezusit dhe të nisesh pas Tij. Kjo do të thotë të jesh i varfër në sytë e botës, e prapëseprapë t’i pasurosh të tjerët. O Zot, ma jep mundësinë që të jem afër Teje dhe bëj që asgjë të mos më ndajë prej Teje. Më ndihmo që të mos jetoj përgjysmë! Vetëm me Ty mund të fitoj mbi topitjen dhe vaktësinë e vullnetit tim për të fituar mbi të keqin! Bëj që në këtë të besoj.

 


Current track

Title

Artist