MEDITIMI I DITËS – TA DËGJOJMË DHE TA ZBATOJMË VULLNETIN E HYJIT.

Written by on September 30, 2017

Mt 21, 28-32 TA DËGJOJMË DHE TA ZBATOJMË VULLNETIN E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që të dëgjoj dhe të zbatojë çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

O Zot, fjala jote me godet. Ndjej se shëmbëlltyra për dy djemtë është gjithmonë aktuale dhe na flet edhe sot. Secili prej nesh pothuajse është si djali i parë, ndonjëherë është i pari, ndonjëherë i dyti. Edhe neve shpesh na ke thirr. Ti je ai që thërret në vazhdimësi që të punojmë në vreshtin tënd në çdo orë të ditës, në secilën kohë të jetës sonë. Ti nuk na braktis askurrë, gjithmonë na thërret. Gjithmonë je i gatshëm që të na pranosh për të punuar për ty, në bashkësi me ty.

Shpesh e dalloj vetveten në djalin e parë i cili në thirrjen tënde përgjigjet: “Nuk dua!” Mirëpo më vonë pendohet dhe shkon atje ku e ke dërguar. Ky e kreu vullnetin tënd, edhe pse përgjigja e parë ishte e ashpër. U pendua. Përmirësoj gabimin që bëri. Me kujtohet fjala jote: “Nuk do të shëlbohen ata që thonë, o Zot, o Zot!, por ata që kryejnë vullnetin e Hyjit”. Po, o Zot, këtu flitet për kthimin, ndryshimin e mentalitetit dhe të jetës. Ky djalë është shfajësuar para syve të Tu. Të falënderoj, o Zot, që secilën përgjigje që të japim nuk e merr seriozisht, që nuk i jep rëndësi secilës fjalë që pa menduar mirë ta themi. Të falënderoj që nuk i llogarit mendimet tona që të kundërshtojnë, që nuk i numëron fjalët tona të këqija. Të falënderoj që ke besim të vazhdueshëm në ne.

Kam frikë, o Zot, se edhe më shumë i përngjaj djalit të dytë. Ai me gatishmëri u përgjigj: “Ja ku jam, Zotëri!”, por nuk shkoi në vresht. Nuk u përgjigj. Harrojë detyrën. Në mos sinqeritetin e zemrës, në sy të të gjithëve t’i premtoj të gjitha, por asgjë nuk plotësoi. Mendoj tani në shumë situata nga jeta ime si besimtarë, nga jeta e përditshme.

Mendoj, o Zot.

  • Në pagëzimin dhe premtimin solemn: i bie mohit mëkatit, e mëkati është aq shpesh i pranishëm në jetën time.
  • Në besnikërinë që e premtova para Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt, ndërsa besimi dhe dorëzimi im janë aq të dobëta dhe pa kurrfarë ngrohtësie.
  • Në përforcimin tim të premtova që mund të llogarisësh me mua si në dëshmitarin e dashurisë sate në këtë botë, ndërsa njerëzit afër meje këtë dashuri nuk e ndjejnë, prandaj edhe nuk kanë mundësi të të dorëzohen Ty.
  • Në secilin rrëfim të them: po të premtoj me gjithë zemër se nuk do të mëkatoj më, ndërsa mëkatet e mia përsëriten gjithmonë!

Po, o Zoti im, kaq shumë gjëra janë mbledhur. Kam mundësi ta rreshtoj krejt jetën time. Premtime dhe shkelje, fjalë boshe dhe pritje! Ti thërret e thërret! E vetmja gjë që në këtë çast mund të të them me besim është se unë shpresoj vetëm në mirësinë Tënde, duke të falënderuar me gjithë zemër që e pranon edhe shprehjen më të vogël të vullnetit të mirë nga ana ime që edhe unë, mëkatari të kthehem tek Ti! Me këtë shpresë pres secilin, qoftë edhe çastin e fundit të thirrjes sate duke besuar se hiri Yt do të korr  fitore mbi mua!

 


Current track

Title

Artist