MEDITIMI I DITËS – SHPRESOJ NË ZOTIN
Written by Radio Maria on November 21, 2016
Lk 21, 5-11 SHPRESOJ NË ZOTIN
Kërkoj hirin: që ta jetoj jetën time me shpresën në Zotërinë dhe ta shikoj qartë përfundimin e saj.
Në atë kohë, ndërsa 5 disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: 6 »Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbretet as gur mbi gur pa u rrënuar.«
Përsëri jemi në Tempull së bashku me Jezusin dhe nxënësit e tij. Kur e panë, nuk patën mundësi, që ta ndalojnë mahnitjen e hapur dhe të zëshme. Me krenari në zemër komentojnë mes tyre shkëlqimin dhe bukurinë e Tempullit. Vërtetë, ishte i shkëlqyeshëm. Në kohën e Jezusit ishte pothuajse plotësisht i ri. Ende nuk kishte përfunduar plotësisht. Ndërtimi filloj në vitin dymbëdhjetë para lindjes së Jezusit. Tempulli ishte në mesin e shtatë mrekullive të botës së vjetër. Mermeri dhe ari, tendat dhe gdhendjet prej druri linin përshtypje të madhërishme në njeriun që e shikonte. Ekzistonte fjala e urtë për Jerusalemin dhe Tempullin e tij. «Kush nuk e pa Jerusalemin në shkëlqimin e tij, ky njeri nuk ka përjetuar gëzim. Kush nuk e ka parë shenjtëroren, ky njeri askurrë nuk e ka parë një qytet të bukur.» Për bukurinë dhe shkëlqimin e tij flisnin njerëzit që ishin bashkuar rreth Jezusit. Edhe Jezusi e donte Qytetin e shenjtë dhe Tempullin në të. Edhe ai i mahnitej bukurisë së tij. Qau për fatin e tij. Edhe kësaj here i tha fjalët të cilat jehonin pabesueshëm dhe dhimbshëm në veshët e dëgjuesve të tij. Të gjitha këto që tani po shohim, një ditë do të rrënohen. Prej tyre nuk do të mbetet asnjë gurë mbi gurë. Këtu do të mbretëroj shkatërrimi. Jezusi foli në mënyrën e zakonshme, tradicionale me stilin e profetëve siç flisnin dikur Jeremia dhe Ezekieli. Historiani Jozef Flavi i ka përshkruar tmerret e rrënimit dhe të shkatërrimit të Jerusalemit. Të gjitha ndërtesat e mëdha dhe të mrekullueshme, pothuajse janë të ngritura në rrënojat e ndërtesave të kaluara që e kishin të njëjtin shkëlqim. Në këtë vend, ku ishte ngritur tempulli në kohën e Jezusit, deri më tani qëndruan dy tempuj me lavdi të njëjtë. Të parin e ndërtoj Salomoni. Rreth 1000 vite para Krishtit. E rrënoji Nabukodonozori mbret rreth vitit 586 para Krishtit. Të dytin e ndërtoji Zorobabeli. Ndërsa Tempullin i kohës së Jezusit do të rrënohet në vitin 70 pas Krishtit dhe në këtë vend më vonë do të ndërtohet xhamia e Omarit, e cila është edhe sot. Të gjitha këto janë shenjë e kalueshmërisë dhe dobësisë. Asgjë nuk është e përjetshme. Të gjitha kalojnë dhe e kanë përfundimin e tyre. Për Nju Jorkun thuhet: «Sa rrënojë e bukur do të jetë»! Vërtetë, çdo gjë e ka përfundimin e vet, dhe çdo gjeje një ditë do t’i vij fundi.
Do të ndalem për të menduar mbi kalueshmërinë e të gjitha gjërave. Çdo gjë që është e bukur kalon shpejt. Kështu edhe jeta. Ajo mund të kaloj më së shpejti. Edhe jeta ime çdo çast mund të përfundojë, më duhet të jem i vetëdijshëm për këtë gjë!
7 E pyetën: »Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?» 8 Ruajuni – u përgjigji – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.«
Kjo bisedë e Jezusit quhet bisedë Eskatologjike. Jezusi e shfrytëzon stilin letrar plot me simbole dhe figura të cilat bashkëkohanikët e tij i kuptonin, sepse ishin të njohura në Bibël dhe jashtë saj. Ky është stili apokaliptik i të folurit i cili përdorej shpesh në kohën e Jezusit. Për këtë arsye, kjo mënyrë e të folurit duhet kuptuar mirë. Kemi nevojë për më shumë përpjekje dhe mundim që ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë secilin tekst të këtij stili në krahasim me tekstet e tjera të Ungjillit.
Secila brezni pyetet kur do të vij përfundimi i të gjithave. Si kemi mundësi ta dimë dhe ta nuhasim këtë gjë? Çfarë shenjash do t’i paraprijnë? Shumë shpesh mendojmë se do kishim përparësi po ta dinim datën. Jezusi na tërheq vërejtjen që mos të lejojmë të ngashënjehemi, sepse do të ketë njerëz të cilët do të flasin për afërsinë e përfundimit të botës. Të gjitha doktrinat e llojit «adventist» themelohen në profetizimet e caktuara të cilat e parashikojnë ardhjen e Krishtit. Të gjitha këto rrënohen dhe shkatërrohen pikërisht në këto fjalë të Jezusit. Nuk duhet të tmerrohemi. Çdo gjë që do të ndodh duhet të ndodh. Të gjitha i ka parashikuar Hyji.
10 Atëherë u tha: »Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
Të gjitha këto janë figura të cilat veprojnë fuqishëm në dëgjuesit. Zotëria nuk dëshiron të na frikësoj por të na tërheq vërejtjen që të jetojmë me seriozitet dhe të rrimë zgjuar. Duhet jetuar ditë pas dite, pa pyetur se në cilën datë do të ndodh. Më e rëndësishmja ndër të gjitha këto është që t’i dorëzohemi Provanisë së Hyjit që drejton gjithçka.