MEDITIMI I DITËS – SHPIRTI I LUMTURIVE

Written by on October 31, 2016

Mt 5, 1-12 SHPIRTI I LUMTURIVE

 

Kërkoj hirin: që ta përvetësoj shpirtin e Lumturive.

 

Në atë kohë, 1 kur Jezusi, pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

Kemi krye meditimin e Ungjillit të Shën Markut. Sot fillojmë leximin e Ungjillit të Shën Mateut. Jemi në kapitullin e pestë, sepse kapitujt përpara liturgjia e ka rezervuar për kohën e Ardhjes, Kërshëndellave dhe të Kreshmëve.

Jezusi është në mal, në njërën prej rrafshnaltave në afërsi të Kafarnaumit, që sipas traditës e mori emrin Mali i Lumturive. Jezusi fillon t’i mësojë nxënësit e vet dhe turmën. Do të ulëm si një prej nxënësve të Jezusit afër këmbëve të tij dhe do të dëgjoj së çfarë më thotë! Ky është qëndrimi i nxënësit që dëgjon me kujdes.

3 »Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! 4 Lumë ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! 5 Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum… lum… lum… Këto janë fjalët e para të cilat i shqipton Jezusi në bisedë e parë. Këto janë fjalët që i shqipton për gëzimin, harenë dhe mirëqenien. Këto janë ato fjalë që aq shpesh i dëgjoj rreth meje. Secili dëshiron të jetë i gëzueshëm dhe i lumtur. Njeriu i sotëm në mënyrë të veçantë ka uri për gëzim dhe lumturi. Jezusi këtë gjë na dhuron në një mënyrë të veçantë në mësimin e tij të parë. Ky është mësimi të cilin askush deri atëherë por edhe pas tij nuk e mësoi. Jezusi erdhi që tu sjell njerëzve gëzimin dhe harenë, erdhi për t’i bërë të lumtur. Prandaj nuk jemi aspak të befasuar se mësimi i tij i parë është mësim që paraqet thelbësoren.

Po të dëshironim ta përmblidhnim Ungjillin në disa mendime, atëherë kjo d0 të ishte më se lehti ta bëjmë përmes tekstit të lumturive. Në ketë mësim Jezusi shqiptoj thelbin e porosisë dhe mënyrën më të sigurt që e kemi për ta realizuar jetën e përkohshme dhe të hyjmë në jetën përjetshme. Të varfrit e lumtur në shpirt janë njerëzit, shpirti i të cilëve nuk është shpirt zotërues as i gjërave as i personave. Kjo është vetëdija se asgjë as tokësore as e krijuar nuk ka mundësi të të pasurojë as të gëzojë, sepse neve na duhet ta kërkojmë pasurinë e vërtetë, kjo është Mbretëria e qiellit. Lum ata që qajnë… Ka vaj që është paradhoma e gëzimit dhe e ngushëllimit. Ky është vaji i besimtarit të vërtetë në varrin e njeriut më të dashur, sepse në qenien e vet e mbartë gëzimin dhe shpresën së përsëri do të takohen në ringjallje dhe do të jetojnë  gëzimin e amshueshëm në Mbretërinë e qiejve. Të lumtur janë të butët sepse pranojnë situatën e vet jo për shkak të dobësisë dhe frikës, por për shkak të mirësisë dhe fisnikërisë që është themeli i jetës së tyre.

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen! 7 Lum të mëshirshmit sepse do të gjejnë mëshirë! 8 Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin.

Të uriturit dhe të etshmit për drejtësi janë ata që janë në anën e të nëpërkëmburve. Kjo lumturi na drejton që ta kërkojmë vullnetin e Hyjit. Kjo duhet të jetë uria jonë dhe etja. Të mëshirshmit janë të lum sepse e kanë zemrën e dashur. Në zemrën e mëshirshme nuk ka vend për dëshpërim as ndaj vetvetes as ndaj të tjerëve. Lum ata që kanë zemrën e pastër… Zemra e pastër paraqet qartësinë, hirin dhe lidhjen me Hyjin. Kjo është zemra e dëshirave të vërteta dhe e idealeve të pavdekshme. Ritmi i saj është ritmi i zemrës së Hyjit.

9 Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë e Hyjit. 10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria e qiejve. 11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!«

Paqedashësit janë të lum sepse përshpejtojnë paqen e Hyjit në të cilën nderojnë dallimet dhe nuk e japin më dhunë njëjtësinë. Janë bijtë e Hyjit sepse i gëzohen secilit njeri që Hyjin e quan Atë të vetin. Lumturia e të përndjekurve është kurora e të gjitha lumturive. Të jesh i drejtë do të thotë të kesh guxim t’i dalësh në rrugë padrejtësisë dhe të keqes për të mirën e të tjerëve. Për këtë lumturi Jezusi thotë: Edhe pse ua morën të gjitha, prapëseprapë nuk kanë mundësi që tu marrinë të drejtën për shkak të cilës pësoni! Jezusi në këtë çast na fton që të gëzohemi sepse edhe vetë që i përndjekur për shkak të drejtësisë. Në shpirtin e kësaj lumturie të krishterët rrinë të paluhatshëm para gjyqeve të kësaj bote dhe dëshmojnë për të vërtetën, drejtësinë dhe dashurinë.

Jezusi i pari i jetoi lumturitë prandaj thërret që të shkojmë pas tij që edhe ne t’i jetojmë dhe të ecim në rrugën e lumturive. Mahatma Gandi një herë para njerëzve që prisnin prej tij tu thotë diçka, thjesht e hapi Biblën dhe ua lexoj lumturitë. Atëherë e mbylli Biblën dhe u tha se kjo është krejt çka deshi të thotë dhe se nuk ka çfarë të shtoj më. Sa e jetoj shpirtin e lumturive? Kjo pyetje është e rëndësishme sepse nga përgjigja që jap varët cilësia e jetës sime si besimtar. Vetëm në lutje kam mundësi të përgjigjem në këtë pyetje dhe të shoh se sa i lumtur vërtetë jam në shpirtin e lumturive.


Current track

Title

Artist